Huawei, pretendenti për dominimin e sistemit nervor të ekonomisë së këtij shekulli

Postuar në 08 Prill, 2019 14:36

Huawei. Emri i kompanisë kineze përmendet përherë e më shumë në Perëndim, por jo për risitë dhe penetrimin në tregje. Ndaj saj ka një mori shkrimesh dhe materialesh që e vendosin në qendër të një konspiracioni të Pekinit zyrtar për të dominuar tregun e teknologjisë. Në SHBA, kompania mori goditje përmes vendimeve të administratës Trump që ndalojnë përdorimin e pajisjeve të saj në sektorë si ushtria dhe shërbimet sekrete, apo fusha të tjera të ndjeshme. Kompania ka mohuar çdo gjë, edhe akuzat se në pajisjet e saj janë vendosur viruse që synojnë vjedhjen e informacioneve dhe kontrollin e rrjeteve të SHBA.  Lufta është e hapur, por me gjasë Huawei po shihet si pretendent për fitore edhe të tregun 5G.

Në një shkrim të gjatë, revista e njohur “The Foreign Policy” ofron një kuadër të rritjes së kompanisë kineze e cila e ka debutimin e parë serioz në vitin 2009 në Norvegji, përmes bashkëpunimit me një kompani suedeze, Teliasonera. Projekti synonte ndërtimin e rrjetit 4G në disa vende të Skandinavisë. Po atë vit, Huawei mori një kontratë shumëtë madhe: rindërtimin e rrjeteit të fibrave në Norvegji që ishte ndërtuar në fillim nga Ericsson dhe Nokia. Kompania e përfunddoi punën përpara afatit por në ndryshim nga kompani të tjera kineze, ajo po prezantohej me teknnologji shumë të avancuar.

Zyrtarisht një kompani private, Huawei gjithësesi mendohet se financohet nga shteti kinez çka shpjegon rritjen e pandalshme të saj. 107 miliardë dollar të ardhura nga operacionet e saj në 170 vende, ja bilanci i vitit 2018 që e bën atë kompaninë më të madhenë botë.

Por më shqetësuesja është fakti se Huawei është në krye të garës për 5G, gjeneratën e pesë të telefonisë celulare. Kjo teknologji mendohet se do të revolucionarizojë të gjithë ekonominë botërore. Më shumë shpejtësi në shkëmbimin e të dhënave, përdorim të inteligjencës artificiale në sektorë si transporti rrugor, apo komunikimi mes makinerive dhe pajisjeve në mbarë botën.

E thënë thjesht, 5G do të jetë sistemi nervor i ekonomisë së shekullit të 21-të dhe nëse Huawei vazhdon rritjen, atëherë Kina dhe jo Washingtoni mund të jetë vendi që do ta dominojë atë

shkruan revista.

Është e qartë se beteja që po zhvillohet nuk ka të bëjë thjeshte për epërsinë teknologjike, por me për kontrollin e ekonomisë botërore që mandej sjell rrjedhoja shumë të mëdha. Revista kthehet pas në histori kur sqaron se Huawei u themelua në vitin 1987 nga një veteran i ushtrisë kineze, Ren Zhengfei, inxhinier. Ushtria kineze është klienti kyç i kompanisë. Rritja e saj i atribuohet pikërisht mbështetjes shtetërore dhe gabimeve të rivalëve në Perëndim. Kompania nuk ka detyrim të zbardhë bilancet e veta, por mendohet se 30 miliardë dollarë i janë kredituar asaj nga Banka Kineze për Zhvillim.

Ngritja e Huawei mund të shihet pra si testi më i fundit në betejën mes dy formave të kapitalizmit: ai perëndimor, i hapur me tregje të privatizuara përballë versionit kinez që konsiston në ndihmën shtetërore, ndonëse Huawei nuk është zyrtarisht kompani shtetërore

vijon revista.

Por konsideratat gjeopolitike fusin ujë në shpjegimin e çdo gjëje, pasi në thelb në kompani punojnë dhe japin kontribut njerëz konkretë që kanë aftësi dhe cilësi konkuruese.

Cilidoqoftë roli i qeverisë kineze, Huawei u formësua nga vizioni personal dhe ambicia e Ren. Pasi la ushtrinë në moshën 39 vjeçare dhe pasi punoi për katër vjet për një kompani shtetërore, Shenzhen Electronics Corp, Ren siguroi një kredi prej 8.5 milionë dollar nga një bankë shtetërore dhe filloi Huawei me vetëm 14 veta staf…Ai nisi si një importues shkëmbyesish të telekomunikacionit. Në vitin 1990 kompania nisi të punonte për krijimin e një të tillë, por në vend se të hynte në partneritet me një kompani të huaj, Ren nisi kërkimet dhe zhvillimin në kompaninë e vet…

Në vitin 1993 ajo hodhi në treg produktin e parë dhe pati ushtrinë si klientin e vet…Një viti më vonë ai mori një tjetër mbrojtje nga shteti. Ren u takua me Jiang Zemin, sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste dhe I tha atij se një vend pa industrinë e shkëmbyesve të telekomunikacionit ishte si një vend pa ushtri. Mirë e ke thënë, u përgjigj Jiang

shkruan FP.

Lobimi agresiv i Ren dha efekte. Në vitin 1996 Kina ndryshoi politikën industriale në favor të kompanive vendase të telekomunikacionit, duke mbajtur konkurentët e huaj jashtë.

Pas këtij hapi, Ren nuk u ndal. Ai u zgjerua në të gjithë tregun kinez duke bërë shite të teknologjisë së vet në zonat rurale kineze me çmime fare të ulëta për të eliminuar konkurencën. Më shumë se kaq. Ai shpesh ofroi shërbimet e veta për njësitë qeveritare falas. Në vitin 1998, pra dy vjet pas ndryshimeve në politikat e Kinës, Huawei ishte në pozita të barabarta me rivalin e vet kryesor, Shangai Bell, një bashkëpunim kompanish të huaja.

Që nga ajo kohë ecuria e kompanisë ka parë vetëm rritje, duke shënuar më shumë sesa një sukses në sensin e ngushtë të fjalës. Ajo po i jep Kinës rolin e liderit në një sektor që përcakton profilin e qytetërimit të sotshëm dhe që siç është parë në rastin e SHBA-së prodhon diferenca zhvillimore në një kohë shumë të shpejtë me vende të tjera. Distanca në zhvillim, e menduar deri më dje si e pathyeshme për shkak të njohurive, është sot ngushtuar së tepërmi dhe mjafton një vizion politik që të shpërbëjë ekuilibrat që ngjajnë të pacenueshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.