Janë ngritur të gjitha çmimet. Vetëm çmimi i vrasjeve ka rënë

Postuar në 05 Prill, 2019 14:54

Frrok Çupi ka publikuar një opinion në gazetën AFP që e titullon, apo ja kanë titulluar: Plani për grusht-shteti i opozitës dhe ‘2000 të marrët’ që ka bërë gati! Gazetari në fjalë ka disa kohë që e a bërë të vetën tezën se opoizta e sotme është manipuluar, shitur apo bën pa dashje lojën e Rusisë, kurse qeveria, ashtu babaxhanërisht, është bërë meit për Perëndimin. Kjo e thjeshtuar.

Në opinionin e sotshëm – që nuk kuptohet mirë nga njëri paragraf në tjetrin – Çupi hedh idenë se shteti është goditur. Nga jashtë dhe nga brenda. Nga opozita dhe palët e treta. Sipas tij ky plan po çon në një situatë kritike, e cila në fakt aktualizohet si element fatal i një sjelljeje apo porosie, por jo si një krize që lidhet me veprime të caktuara politike. Sepse kështu në vend se të detyrohet shumica ta gjejë përgjigjen brenda llogjikës së sistemit, legjitimohet ajo që të ecë përpara në emër të avenirit perëndimor të shqiptarëve.

Por Çupi thotë se shteti po goditet edhe nga individi. Dhe kjo goditje “çuditërisht” nuk lidhet në këtë analizë me palët e treta, por me dështimin e drejtësisë. Edhe këtu gazetari vendos raporte preferenciale apo origjinale për të përligjur atë që do të thotë. Si p.sh ai se ndikimi i dhunës është shumë më ndikues sesa përpjekjet për shtet dhe stabilitet.

Dhuna kundër Parlamentit a kundër selisë së shtetit, plagos pesë a dhjetë vetë, por traumatizon dhjetë mijë, një milionë, dy milionë. Është njësoj si terrorizmi që vret tre por tremb tre miliardë në botë. Ne e kemi provuar në vitin ’97 kur nga lufta dolën shumë të çmendur.

Njeriu ka nisur të ndjehet i vetmuar dhe i pashpresë për të drejtën. Kanë dalë hapur ‘skifterët’ e grabitjeve dhe të shantazheve. Tjetri të vjen në derën e shtëpisë, të kërkon ta paguash që të të lejojë të hysh në shtëpinë tënde…Ku do ta kërkosh të drejtën? Askund, shteti është vënë nën frikë, edhe ministri të thotë ‘paguaje’ skifterin. Prindërit dhe gjyshërit i shikoj ditët e diela që i shtrëngojnë më fort fëmijët në krahë se dikush mund të vijë tua rrëmbejë. Janë zgjuar vrasësit dhe është ulur shumë pagesa, me një pagesë vriten tre persona. Shteti i sulmuar mbi të nesërmen: Nëse shteti do të mbahet nën goditje, dhe pakica do të mbyllë në ‘qelitë’ e shtëpive shumicën, atëherë do të nisim të hamë ‘bukën’ e nesërme. Po të trembet shteti me kaq, atëherë do të kthehen projektet, do të kthehet teatri, biblioteka, mbikalimi, ura, rruga, unaza, aeroporti dhe baza ushtarake amerikane… Atëherë shteti nis e ha veten, nëse do të lejohet. Kur them se ‘ha veten’ po them se ne individët brenda shtetit do të nisim të hamë të ardhmen tonë. Dhe goditësit mbi shtetin na çojnë prapë njëmijë vjet pas. Dua të them i tronditur se deri tani shteti ‘e ka marrë goditjen e parë’, jemi të rrezikuar, por vetëm kaq është më pak se katastrofa

shkruan Çupi.

Po kush e mban përgjegjësinë që ky shtet na rënka me gjethet e para? Opozita, apo qeveria. Të dyja veprojnë në emëruesin e përbashkët të gangsterizmit dhe jo të shtetit që nuk ekziston. E vetmja e vërtetë e Çupit këtu është ulja e çmimit të vrasjeve. Duhet të ishte sjellë më parë kjo temë. Shtet, punë, mirëqenie. Ja deviza elektorale e socialistëve në vitin 2017. Devizë që ngriti të gjitha çmimet, por uli atë të vrasjeve. Këtë na thotë Çupi, që nuk kemi pse të mos ja pranojmë këtë reflektim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.