Zgjidhje që të ruhet paqja e brendshme

Postuar në 02 Prill, 2019 14:11
Romeo Gurakuqi

Gjatë periudhës së mbi 100 vite jetë shtetërore, në intervalet kur aktiviteti politik në vend është zhvilluar mbi parlamentarizimin, krizat politike, përplasjet mes individëve të fortë, që komanduan hapësirat politike dhe territoriale, janë zgjidhur me kompromise të përkohshme dhe të paprincipta, duke shkaktuar sistematikisht destabilitetin e vendit. Për rrjedhojë, rrjedha e ngjarjeve ka vazhduar të sillet në atë rrethin, që vërtitet përkundër interesave të njerëzve të thjeshtë dhe paqëndrueshmëria shtetërore ka qëndrue si kambanë mbi jetën e familjeve shqiptare. E ndeshim këtë dramë që nga viti 1913, disa herë në intermexo-t me sistem kushtetues të jetës shtetërore. Është në fakt, drama e një vendi të prapambetur, me vektorë të përkundërt formativë, me mbisundim të fanatizmit politik dhe të besnikërive të verbra ndaj andrrave, ambicieve, pasioneve dhe çdo fjale irracionale të individëve mbisundues. Bëhet fjalë për një shoqëri, që në përgjithësi nuk ishte mësuar ende sa duhej të respektonte kushtetutshmërinë, një vend ku respektohej besnikëria tradicionale ndaj individit drejtues politik dhe jo aq respektimi i institucioneve shtetërore.

Është një dramë, që në një shekull ka nxjerrë jashtë skenës politike dhe udhëheqëse më të mirët e kombit dhe shtetit, si: Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Princ Vidin, Nolin, Aqif Pashën, Hasan Prishtinën, Stavri Vinjaun, Ernest Koliqin, Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Padër Anton Harapin, Mit’hat Frashërin e sa e sa të tjerë, duke promovuar si fitimtarë modelin e Esadave. Jo rastësisht, ne kemi çdo herë në jetën tonë foshnjarake politike, individë të shquem, si intelektualë dhe si politikanë, që përpiqen të bëjnë më të mirën për vendin e tyre dhe përfundojnë të prozhmuem, të konsumuem, të denigruem nga jeta politike dhe shoqërore e mbisundueme nga prapambetja. I ka ndodhë të gjithë të mëdhenjve tanë, që së fundmi kanë filluar të pranohen njëzëri. Dhe pavarësisht këtij mësimi të historisë sonë të trazueme politike, opinioni publik ende sot nuk reflekton sa duhet, priret të ndjekë pas me irracionalitet besnikëritë, të heshtë kur duhet të ndalet e kuvendojë mbi zgjidhjet, të brohorasë me entuziazëm për marrëzitë, kur duhet të vajtojë etj.. 30 vjet mbas rënies së diktaturës, regjimentimi i shoqërisë së mbetun në shtet, që në vlerësimin tim është dikund te 40% e trungut të familjeve të regjistrit të gjendjes civile të vitit 1991, është i konturuar në mënyrën më të mjerë. E keqja është se, në këtë përkufizim shoqëror puthadorës ndaj pushtetit të fortë, është vendosur edhe elita profesionale, për shkak se çdo ushqim dhe mbijetesë e saj është e lidhur me një sistem të tërë marrjesh dhe dhëniesh me shtetin dhe paranë publike, që u lëshohet me një pikatore rrogëtarëve të dijes dhe profesionit. Thënë ndryshe, mbisundimi në opinion, i fjalës, i linjës së ndjekur nga “lideri karizmatik” i pushtetit, ka përkryer edhe një herë pas tri dekadave të rënies së diktaturës, eliminimin e vetvetishëm të pavarësisë së elitës, e cila ka mbetur në minorancë në vendin e “shqiponjave të shpupurishuna”. Rrezikojmë që, në qoftë se aplikojmë “demokracinë zgjedhore” të turmave të pilotueme ndër parti, që përzgjedhin deputetë pa kritere të larta profesionale dhe pa shkollime cilësore, të kemi serish një Parlament të vajtueshëm, me “dele” të bindura. Jemi sot në kulmin e një krize të gjithanshme politike dhe shoqëria hesht para çdo maskarade të pushtetit, para çdo marrëzie të udhëheqjes puniste, që imponon me arrogance në vend. Është krijuar përshtypja jo e pabazuar, se Shqipëria si një e tërë nuk është e gatshme të pranojë organizmin delikat të demokracisë kushtetuese. Pushteti po përpiqet të ngulisë bindjen, se një “makinë” e ndërlikuar demokratike në duart e një populli me sistem edukimi të degraduar, me varfëri ekstreme në skajet e shtetit, është një gjë e dëmshme, ndaj nuk është e nevojshme që ky vend të drejtohet nga elita që konkurrojnë të lira, por thjesht nga militantë që binden. Mjaftojnë gjysmë të shkolluarit, demokracia fasadë, një stabilitet sipërfaqësor në një shtet që boshatiset nga vendësit dhe mbushet me refugjatë që vendosen në geto, për të ruajtur kornizën formale të një shteti, i cili bindet në kuadrin ndërkombëtar mjaft delikat. Ky është interesi i kastës së hajdutëve, që ecën në linjën e shkombëtarizimit të vendit dhe demontimit të demokracisë së mirëfilltë.

Edhe sot, shanset e një zgjidhjeje reale, thelbësore të krizës, janë të rrethuara në mënyrë fatale nga individë dhe teoricienë të mbrapshtë, ithtarë të ruajtjes së status quo-së së mbisundimit të një loje politike me pak aktorë. Kjo ndodh aq fatalisht, sa unë nuk besoj se vetëm largimi i Edi Ramës do ta shpëtojë shtetin nga kapja ose rikapja e të ngjashmëve të tij, ose e manekinëve të tjerë brenda kastës puniste, zonjave dhe zotërinjve me dukje dhe prezencë madhështore, por me thelbe të përçudnueme nga morsa e pushtetit të hajdutëve profesionistë, të vërshuem nga politika, nga shkëmbimi i favoreve, nga mbajtja në llogarinë e fshehtë e mëkateve, për t’u përdorun një ditë në funksione servitore kalimtare etj.. Mjedisi shoqëror është ndotun randshëm në këto 6 vite të sundimit të pak familjeve të radhës së parë të rrethit të diktatorit, të shërbëtorëve të tyre të nivelit të dytë, të tretë, të katërt, të sundimit të harbutërisë dhe babëzisë, si piramidë e së keqes, e pushtetit të maskarenjve që kontrollojnë paranë publike, median, financat, kriminelët, zgjedhjet, qeverinë, parlamentin, drejtësinë e vjetër dhe të re. Të gjitha këto rrethana aq shumë të ndërlikuara, e vështirësojnë daljen e një De Gaulle shqiptar, të një lideri të modelit të vendosur si Mehdi Frashëri, në Shqipërinë e shekullit të XXI (mos vallë mendon ende dikush sot, se Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Padër Antoni dhe Lef Nosi ishin tradhtarë dhe kolaboracionistë?!).

Dua të them se, pa një çlirim nga sundimi i kësaj bashkësie të hajdutëve, pa një ndërhyrje të strukturuar, të vendosur, pa një Prokurori që merret me një radhë punësh sipas rëndësisë dhe së drejtës në funksion të ribërjes së shtetit, pa shkelur mbi njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur që gabojnë, koha e normalitetit do të jetë e largët. Për këtë arsye, udha e zgjidhjes së krizës aktuale do të kishte qenë mirë të kalonte për kah interesi publik, d.m.th. drejt një zgjidhjeje me themel të origjinës së trazirës dhe jo nga një modelim dhe përafrim i qëndrimeve, që nuk të çon askund, veç në rrethin e riciklimit të modelit autoritar të Edverave të kapun mbas karriges. E mira publike do të kishte qenë që zgjidhja e krizës të drejtohej drejt korrigjimit të themeleve të shtetit, duke e vendosur qeverisjen e përkohshme në mënyrë transitore (kohë që e përllogaris të jetë jo më pak se 9 muaj), në një dorë të pastër dhe mendje të shëndoshë dhe largpamëse. Kushti paraprak për këtë është nulifikimi i të gjithë veprimtarisë antiligjore të maxhorancës, të ndërmarrë pas datës 21 shkurt 2019 dhe dorëheqja e Kryeministri në detyrë. Pra, nuk e konsideroj si opsion moderimin e konfliktit, duke vendosur në krye të qeverisë, një kukull të telekomanduar nga kazani, por një zgjidhje strukturore të drejtuar nga një personazh i paanshëm, që arrin të përzgjedhë mbi modelin e Frashërllinjve, 10 deri 15 burra dhe gra të aftë, që dinë me e korrigjue katrahurën që asht prodhue në këtë vend në sistemin politik dhe kushtetues, posaçërisht nga aventura e fundit e palavdishme e punistëve.

Të qeverisësh është dije, shkollë, përvojë dhe në rastin e një vendi të ndërlikuar keqas si Shqipnia, është shumë më tepër se kaq. Edhe sot, problemi më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet vendi, është vendosja e një politike të brendshme të qëndrueshme, për shkak se ndër ne vijon pasioni politik, që transformon në mënyrë konstante dëshirën e pjesës së emancipuar të popullsisë për liri të mirëfilltë, demokraci dhe prosperitet, në një dashuri për pushtet.

Kur do e marrë Shqipëria formatin e plotë e të qëndrueshëm? Qytetarët shqiptarë, me arsyetim të shëndoshë kanë arritur të kuptojnë çelësin e zgjidhjes, se në qoftë se kërkohet të ruhet paqja e brendshme, është e nevojshme që sa më parë të krijohet dhe strukturohet një autoritet i fortë qendror, i respektueshëm dhe jo shtypës, i arsyeshëm dhe jo arrogant, i ndershëm dhe jo mashtrues, integrues dhe jo përçarës, në mënyrë që të pranohet vullnetarisht prej të gjitha anëve të vendit. Sa më shumë të vonohet një zgjidhje e tillë kaq thelbësore dhe themelore e punëve tona të ngatërrueme, aq më gjatë do të vazhdojë situata e pasigurt politike dhe trazira në Shqipërinë që boshatiset.

E për të gjetur zgjidhjen e krizës, duhet zbuluar sërish Mehdi Frashëri i ri, që do të udhëheqë saktë reformimin strukturor të shtetit!

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.