Zgjedhjet lokale nuk janë referendum për Teatrin Kombëtar

Postuar në 29 Mars, 2019 03:01

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj po bind tashmë shumëkënd se ka një problem shumë serioz me të vërtetën dhe me respektin ndaj qytetarëve. Ose atyre që e dëgjojnë. Kjo nuk është një kritikë në vetvete për zotërinë, pasi zoti Veliaj shfaqet psikologjikisht si njeri që e përjeton botën si polare: ose je me progresin siç e kupton ai, ose je një pakicë e zhurmshme, një shpellar etj..

Kjo sjellje është në fakt është manifestim i krizës së thellë në raportin mes të zgjedhurit dhe qytetarit. Në një dalje televizive në “Opinion”, kryebashkiaku ofroi këtë lexim për çështjen e shumëdebatuar të Teatrit Kombëtar:

Edhe po të donim një referendum sot do të duheshin 6 muaj ndërkohë që zgjedhje kemi për tre muaj. Kush do të jetë në këtë referendum njerëzit që duan që siç u bë sheshi i ri Skënderbej, se e kishin sheshin e vjetër dhe me të njëjtat argumente ruhej. Sheshi i vjetër nuk mori asnjë çmim. Sheshi sot mori çmimin e Barcelonës. Paneli i Barcelonës me 20 arkitektët më të mirë e ndau në dallim nga ata që janë qejflinj partish. Ne kishim edhe një pazar të vjetër. Pati protesta edhe për pazarin e vjetër, por ja ku jemi sot! BERZH vlerësoi me çmim pazarin e ri. Shihni kalanë. Të gjithë thanë u futën prishën kalanë. Kalaja e Tiranës sot është hapur ku janë ruajtur të gjithë muret por që mund të ruhet dhe pjesa tjetër që ishte një ferrishte, sot është transformuar

Pra argumenti më i mirë që sjell kryebashkiaku është suksesi ndërkombëtar i atyre që ai i quan vepra të rindërtuara prej tij. Ta lëmë mënjanë faktin se ky pohim ka brenda hipokrizinë se të paktën sheshi “Skënderbej” ishte nismë e kryeministrit dhe të merremi me argumentimin e z. Veliaj dhe të shohim sa vlen ai për atë që synon.  

Është e vërtetë se sheshi mori çmim, por gjykimi mbi zhvillimin urban dhe arkitektonik nuk ecën mbi kritere olimpiadash. Pasi hapësira publike dhe mjedisi urban nuk kanë vetëm aspektin funksional, por edhe atë historik dhe njerëzor. Zotëria nuk po do t’ia dijë për këtë, por ja që të paktën për sheshin “Skënderbej”, Tirana dëshmon se ka një problem të pazgjidhshëm. Që nga projektimi fillestar ai është ndryshuar disa herë dhe sërish nuk ia ka dhënë qytetit atë nyjëtim urban, apo atë zgjidhje optimale që të mos sfidohet nga koha. Këtu nuk është vetëm z. Veliaj problemi, janë edhe arkitektët, apo aktivistët që nuk kanë qenë në gjendje të tematizojnë këtë çështje dhe të strukturojnë siç duhet debatin. Me ndryshimin e sheshit do të dilte vetiu pyetja se si do të harmonizohet ndërhyrja aq radikale në të me godinat që e qarkojnë.

Kur kryeministri deklaroi më 23 mars se Muzeu Kombëtar do të prishet e bashkë me të edhe Teatri i Kukullave, e argumentoi këtë me faktin se ato janë vjetërsira. Në të vërtetë edhe sikur të mos ishin të tilla, plani për sheshin do të duhet të kishte konsideruar vetiu elementët plotësues të tij. Këtë rrjedhim logjik z. Veliaj e thjeshtoi me mënyrën e vet karakteristike duke trumbetuar idenë e një qyteti modern, me doëntoën. E thjeshtuar edhe më, kjo do të thotë kulla më shumë. Pra ndërtime vertikale në lartësi qark një sheshi konkav që u takon njerëzve. E kemi të qartë se në fillim pas kësaj qëndrojnë interesat, ato për të cilat pushteti, pra as kryebashkiaku nuk pranojnë asnjëherë të flasin hapur. Pra nëse ndërtimet në lartësi janë një vizion zhvillimi I kryebashkiakut, pse ai nuk pranon të debatojë mbi këtë çështje?

Këtu vijmë tek aspekti tjetër, që konfirmon sërish hipokrizinë dhe mendjelehtësinë e z. Veliaj. Ai e konsideron suksesin e këtyre veprave dhe fitoren eventuale në zgjedhjet e qershorit si referendum për prishjen edhe të Teatrit Kombëtar. Zotëria është më së paku në keqbesim dhe tregon se jo vetëm nuk është i aftë të debatojë me ata që kundërshtojnë projektin, apo ta mbrojë atë, por i rrëshket përballjes sepse e kupton shumë mirë faturën.

Zgjedhjet janë një proces ky hyjnë shumë faktorë në lojë, por ato nuk japin të drejtën që të bësh çdo gjë. P.sh zoti Veliaj e kupton shumë mirë se pa PS-në ai nuk I fiton dot zgjedhjet në Tiranë, pra në një drejtim vota për të është Politike. Patjetër që ka njerëz që e shohin si punëtor dhe e votojnë edhe për këtë, por kur vjen puna te çështje që prekin sensorët e kujteës, të pasurisë shpirtërore, emocioneve etj., është e udhës që të diskutohet hapur.

Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës nuk sjellin me vete një miratim automatik për prishjen e Teatrit Kombëtar sepse ajo është një çështje që kërkon vëmendjen e duhur dhe që ka karakter specific. Brenda paketës elektorale ajo do të humbasë në kaosin e premtimeve dhe të takimeve, do të manipulohet, ndërkohë që në një referendum të posaçëm diskutimi do të ishte më i zgjeruar. Por edhe në një rast të tillë, sërish nuk ofrohet zgjidhja më e mirë, pasi ky është vendim i një brezi qytetarësh dhe jo detyrimisht më i miri. Për këtë arsye edhe një mendim i vetëm mund të jetë më i drejti.

Teatri Kombëtar është – do të duhet të ishte - një rast i mirë për të matur pjekurinë dhe përgjegjësinë, sikurse mund të shenjojë një thyerje në kohën politike të kryeqytetit, pasi protesta për mbrojtjen e tij nuk shtoi aureolën e një godine, por rithemeloi një rol qytetar në Tiranë. Sado modest qoftë ai. Në kursin e tij drejtvizor, ku çdo mendim shihet si pengesë, z. Veliaj po I ikën edhe parimve të smart city që predikon vetë e që në fakt i përmbahet dhe rrjedh nga qytetari si qendër e tij. Ai nuk është në lartësinë e detyrës që ka nisur nga sfidat që i shtron vetes. Ndërhyrje të këtilla urbanistike kërkojnë tjetër profil dhe formim, tjetër kulturë.

Zotit Veliaj i mjafton të jetë i shkathët me lopatën dhe ekskavatorin, përderisa edhe ai që autorizon në fakt këtë akt, kryeministri Edi Rama, nuk ka dëshirë të konsumojë diskutim për këtë çështje, por të aplikojë forcën dhe të këmbëngulë në një model PPP-je me ligj të veçantë, ndërkohë që nuk ekziston Gjykata Kushtetuese/ Dhe të manipulojë me votën duke parë te fitorja eventuale amnistimin nga çdo shkelje e katër viteve të fundit. Zgjedhjet kanë dhe duhet të kenë edhe një dimension moral. Heqja e tij i zhvlerëson ato dhe ua dëmton legjitmitetin që nuk mund të mbahet në këmbë vetëm te sasia e votave. Fatkeqësisht kjo i mjafton si z. Veliaj, ashtu edhe z. Rama që kanë një axhendë të mbyllur dhe që nuk do të mjaftohej vetëm të kundërshtohej publikisht, apo të debatohej, por edhe të Hetohej në shumë drejtime. Kurdo qoftë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.