Shekspiri i vërtetë, një siçilian?

Postuar në 26 Mars, 2019 17:12

Dramaturgun më të madh të të gjitha kohërave e ka mbuluar përgjatë historisë një vel misteri. Kush ka qenë në të vërtetë autori i veprave të jashtëzakonshme të Shekspirit? Aktori nga Stratford (Britani), i adhuruar nga anglezët, por gjysmanalfabet, ka lënë pas një testament në të cilin nuk thuhet asgjë për veprat dhe disa kontrata për të dhënë para me fajde.

Ka edhe një listë alter egosh të mundshme, që qarkullon prej pothuaj 400 vitesh, pjesë e të cilës janë emra nga të katër anët e botës: Francis Bacon, konti i tretë i Southampton, madje edhe vetë Christopher Marlowe.

Por vitet e fundit ka fituar terren një hipotezë e re: ajo sipas të cilës Shekspiri ka qenë në të vërtetë një studiues me origjinë nga Sicilia, në Itali: Xhon Florio, djali i Mikelanxhelo Florios, një dijetar në mërgim, i arratisur nga Mesina për shkak të inkuizicionit, që u vendos fillimisht në Venedik dhe Verona, para se të mbërrinte në Londër. Xhoni i lindur në Londër shfrytëzoi kulturën e madhe të babait të tij dhe u mirëprit nga konti i Southampton-it së bashku me një aktor të ri, Uilli i Stratfordit.

Ata do të mbroheshin për shumë vite nga aristokratët e fuqishëm dhe do të jetonin në të njëjtën kështjellë. Këtu lidhja bëhet e qartë. Autori i vetëm i mundshëm dhe i vërtetë i veprave të mrekullueshme është Xhon Florio.

Është e pamundur të krijohen vepra të tilla pa pasur një kulturë të gjerë klasike. Si ka mundësi që aktori dinte përsosmërisht toponimet e Mesinës (Shumë zhurmë për asgjë), Venecias (Tegtari i Venedikut) apo Veronës (Romeo dhe Xhulieta) ose Padovës (Zbutja e kryeneçes). Hamendësimet shtohen duke filluar me gjykimet e Mark Tueinit, më pas Çarls Dikensit, Herri Xhejmsit dhe madje edhe të Frojdit, të provuara nga studimet më të fundit të studiuesve italianë dhe britanikë: Saul Gerevini, Corrado Panzieri dhe Giulia Harding.

Regjisori Stefano Reali po përgatit një film fiksion të prodhuar në Spanjë, i cili rrëfen jo vetëm marrëdhënien midis Florios dhe Shekespirit, por edhe takimin midis Migel de Servantesit dhe Xhon Florios, i cili u zhvillua në Mesina ndërsa gjeniu spanjoll ndodhej i shtruar në spital pas plagosjes në betejën e Lepantos. Edhe regjisori Reali mbështet tezën e tre studiuesve të mësipërm.

"Është një seri indiciesh që bazohen në prova substanciale. Florio e njihte prozën e rilindjes italiane, greqishten dhe latinishten, të cilat aktori i Stratfordit nuk i njihte. Këtu çështja merr të tjera përmasa. Në testamentin që ka lënë Florio, ai ka lejuar përdorimin e dorëshkrimeve të tij nga konti i Pembrokut, familja e të cilit e ka mohuar deri më sot se ka pasur akses në to”, thotë ai.

Profesor Panzieri i ka kërkuar leje ish-kryeministrit Toni Bler dhe mbretëreshës Elizabetë II, por pa sukses.

““Marka” Shekspir – shpjegon regjisori, - për Britaninë e Madhe vlen miliarda stërlina dhe është e pamundur që të hiqet dorë prej tij. Edhe shkrimtarët e epokës elizabetiane, bashkëkohësit e Shekspirit, flasin për një mashtrim të mundshëm, por askush nuk mund të dyshonte se ajo epokë ishte aq e lehtë për të bërë para me teatrin.

Ishte Xhordano Bruno ai që këshilloi Florion e Shekspirin për të ndërtuar një teatër më të madh dhe të çmontueshëm, “Globe”-in. Por kur suksesi u pasua nga një disfatë, pas vdekjes së autorit dhe aktorit, dhe familja Pembroke publikuan librin e parë dhe kuptuan se mund t’ua jepnin me qira veprat që posedonin njerëzve të shtresës së lartë dhe kështu lindën të drejtat mbretërore të autorit.

Ajo që dihet me siguri është se Florio është autori i fjalorit anglisht-italisht, që i dha fjalorit anglez më shumë se 200 000 fjalë të reja dhe që zëri "Florio" në enciklopedinë britanike në vitin 1880 konsistonte në 25 faqe. Por 10 vjet më pas u reduktua në vetëm 2 të tilla. Pra, për mbështetësit italianë të kësaj hipoteze, kjo shënon forcimin e establishmentit stratfordian, i cili vijon të mbrohet edhe sot. 

/ANSA/TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.