Kosova reagon ndaj bizneseve shqiptare të lojërave të fatit

Postuar në 22 Mars, 2019 12:56

Ka mjaftuar një vrasje në një mjedis lojërash fati që politika kosovare të dalë me qëndrimin se ky aktivitet duhet mbyllur. Në një dalje publike, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se lojërat e fatit janë një aktivitet për të cilin ai do kërkojë mbylljen.  Teknikisht kjo do të realizohet përmes një resolute të Kuvendit dhe mandej duhet miratuar në qeveri.

Fati i qytetarëve tanë nuk është Kazino e as lojërat e fatit, por është puna dhe zhvillimi ekonomik, për të cilin përgjegjës janë institucionet e Republikës të Kosovës

citohet Veseli.

I të njëjtit mendim është shprehur edhe kryeministri Haradinaj, i cili vetëm në muajin dhjetor të vitit 2018 shprehte mendim të kundërt:

Qëllimin e kemi me e vu njëfarë rendi me këto, se është tepruar me to, janë bërë si kërpudhat që kanë mbi nëpër Kosovë. Ka raste të krimit, vetëvrasjeve e problemeve dhe nuk do të vazhdoj në pakufi kështu

shprehej ai.

Duket qartë se qeveria e Kosovës për arsye të pashpjegueshme ka kaluar nga ideja e legalizmit dhe rregullimit, në atë të nxjerrjes jashtë ligjit.  Ndërhyrja në këtë formë, identike me atë që bëri qeveria e Shqipërisë pak muaj më parë, krijon dyshime që në fakt pak kanë të bëjnë me problemet për të cilat flet Veseli. Më tepër ngjan se diçka ka lëvizur në tregun e lojërave të fatit në Kosovë, pas mbylljes së aktiviteteve të tilla në Shqipëri.

Revista “Monitor” raportonte në datën 1 mars se 19 biznese të kësaj fushe ishin vendosur në Kosovë. Duke patur parasysh fitimin e madh dhe lidhjen e dyshuar përherë mes këtij biznesi, botës së krimit dhe politikës, është e natyrshme të shtrohet pyetja nëse ndërhyrja aktuale e Prishtinës lidhet me “invadimin” e biznesit nga Shqipëria pas mbylljes së tyre nga qeveria Rama.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.