Pyet zemrën se çfarë do bësh se gjykatën e zhbëre!

Postuar në 20 Mars, 2019 21:53

Zoti Rama ka rifutur në lojë deputetët e vet besnikë për të goditur presidentin e Republikës. Ermonela Fellaj dhe Lindita Nikolla kanë thyer monotoninë e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit për të dalë sot me qëndrime që kundërshtojnë kreun e shtetit.

Ky i fundit ka përzier aspektin politik me atë kushtetues, duke nënvizuar atë që përbën sot edhe një nga pikat kritike të krizës: mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit do të zgjidhte çdo dilemë dhe debat për vlefshmërinë e akteve të fundit të opozitës për ta transferuar debatin drejt aspekti politik. Cilidoqoftë mendimi eventual i Gjykatës Kushtetuese për këtë temë ai do ta lehtësonte barrën e diskutimit pasi në rastin më të mirë do të sugjeronte vetiu nevojën për ndërhyrje në Kushtetutë.

Por Gjykata e ka evidentuar mungesën e vet në disa raste tashmë dhe z. Rama është treguar dritëshkurtër kur e ka parë këtë si avantazh. Sepse pa gjykatë eliminohet e drejta e qytetarit për t’u ankuar dhe më tej, për të besuar tek shteti i vet.

Ky incident i fundit me djegien e mandateve, me protesta, revokim të listës shumëemërore dhe tani me qëndrimin e Presidentit, provon se kriza kushtetuese është sistemike. Ajo është e plotë dhe nuk mund të amortizohet nga çfarëdo lloj legjitmiteti shurdh që rrjedh nga zgjedhjet.

Në këtë kuadër merr vlerë të sillet në vëmendje mbrapshtia e qëllimshme e treguar me reformën në drejtësi, që e nisi vettingun nga Gjykatat e nivelit të lartë për të zbritur poshtë, ndërkohë që të paktën Gjykata Kushtetuese sipas ligjit tonë themeltar nuk ka rol thjesht gjykimi. Ajo madje as nuk përfshihet në kapitullin e gjykatave por është një hallkë më vete shumë e rëndësishme që bën interpretim përfundimtar të Kushteutës. Zoti Rama u hoqi edhe gjyqtarëve që iu nënshtruan vettingut të drejtën për t’u ankuar, duke lënë dyshime serioze se e ka bërë qëllimisht këtë për ta pastruar gjyqësorin dhe Prokurorinë pa andrallat e ankimeve.

Koha nuk i dha të drejtë. As logjika e sistemit. Por as loja e shahut që aq humë e referon dhe thotë se e pëlqen. Në këtë rast kryeministri ngjan të ketë vepruar si ata shahistët e lagjeve që sapo nisen të bëjnë një lëvizje mbyten nga zhurma dhe sugjerimet e spektatorëve-këshilltarë që e bëjnë të mendohet e ç’mendohet derisa vendos me kokë të vet apo për inat.

Përndryshe nëse kjo ka qenë llogari e ftohtë, ka qenë pra llogari shumë e keqe. Vetë kryeminsitri nuk di ku të drejtohet për të marrë një mendim të kualifikuar dhe të certifikuar. Patjetër që mund të pyesë këshilltarët mediatikë, por ne do t’i sugjeronim – për sadaka kuptohet – që të mos i dëgjojë e nëse është me të vërtetë burrë shteti siç pretendon, t’i ndërrojë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.