Një ndihmë për miqtë e huaj që të kuptojnë historinë shqiptare të opozitave të shpikura

Postuar në 19 Mars, 2019 00:20

Disa prej pjesëtarëve në listat shumëemërore të dy partive opozitare, PD dhe LSI, kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit. Deri këtu nuk ka ndojë çudi, ndonëse të dyja partitë revokuan listën, një procedurë që ha diskutim sesa mund të ketë vlerë.

Ajo që bën përshtypje është disproporcionaliteti politik dhe mediatik në trajtimin e deputetëve të rinj si opozita e re. Kjo është e ekzagjeruar dhe jo serioze, sepse opozita nuk e konstituon veten te një betim në Parlament. Si për ta bërë situatën fare qesharake, ka dale ish-deputeti i PBDNJ-së, Ligoraq Karamelo, që flet madje për një pol të ri opozitar. Thotë z. Karamelo:

Unë jam një opozitar, i qëndroj linjës sime të opozitës dhe ende nuk e kemi bërë deklarimin cilën parti do përfaqësojmë. Unë jam pjesë e PBDNJ, në marrëveshjen e 2017 nuk u lejua kandidimi i partive të vogla dhe partitë e koalicionit u futën në listën e PD. Përfaqësoj elektoratin tim, ne jemi një elektorat i konsoliduar, kemi ndihmuar PD në 2017 dhe është ky elektorat që më sugjeroi të bëhem pjesë e Parlamentit. Sa i takon polit të ri politik, ne jemi duke ristrukturuar forcat opozitare, priten prurje të tjera për të shtuar numrin e deputetëve në radhët e opozitës. Bëhet fjalë për një opozitë në parlament që do të marrë përsipër që të çojë përpara proceset integruese, reformën në drejtësi, është opozita e re që po krijohet në Parlament

Kjo është tepër për t’u marrë seriozisht. Edhe pse formalisht një gjë e tillë mund të ndodhë; pra kryeministri që ka marrë tashmë bekimin e të gjithë ambasadorëve që njohin deputetët e rinj si legjitimë, një ditë të bukur të niset me Air Albania, mundësisht me ndonjë avion që mund të quhet Shoku Zylo, ose Jovan Bregu dhe të prezantohet si një trupë e unifikuar që ka në zemër vetëm integrimin. Pra bashkë me opozitën legjitime. 

Në Shqipëri ka një zell të madh për të qenë pjesë e politikës duke i dhënë rëndësi vetes dhe duke u vetëpromovuar. Ka individë që jetojnë me idenë se jeta i ka ndëshkuar padrejtësisht dhe se potenciali i tyre nuk është vlerësuar. Kësi lloj opozitash dhe idealistësh, apo veprimtarësh të pakuptuar, kanë një histori të vetën. Origjinale madje. Dhe këtë histori është mirë ta lexojnë apo hulumtojnë edhe miqtë ndërkombëtarë për të kuptuar sadopak nga grotesku i kësaj që po ndodh e të cilin ata ose nuk e kapin mirë, ose e justifikojnë me nevojën për stabilitet. 

Ne sugjerojmë këtë pasazh nga filmi “Vendimi” që shpjegon pa shumë fjalë se çfarë përfaqëson në raport me realitetin politik z. Karamelo, apo edhe z. Lefter Maliqi. Si një analogji. Ndonëse rrezikojmë të paragjykojmë, dhe ndaj edhe kërkojmë ndjesë, por deri sa kjo opozitë e re të afirmohet si e tillë, dyshimi dhe paragjykimi janë legjitimë:

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.