Ftesat dhe presionet hileqare për Presidentin e Republikës

Postuar në 18 Mars, 2019 23:22

Kur opozita dorëzoi mandatet parlamentare, nga Partia Socialiste doli lajmi se kryeministri kishte përcjellë direktivën që askush të mos replikonte më me ish-deputetët e PD-së dhe LSI-së, meqenëse ata nuk përfaqësonin më ndonjë gjë. Ishte një përpjekje për të mohuar me çdo kusht krizën.

Kur protesta e parë dhe e dytë patën suksesin që opozita priste, z. Rama vuri në lëvizje miqtë e vet ndërkombëtarë. Të cilët këmbëngulën në dy mesazhe: së pari se opozita nuk duhet të dalë nga parlamenti dhe se protesta është e drejtë demokratike, por jo kur është e dhunshme.

Në rastin e këtyre protestave z. Rama mori përsipër të sqaronte edhe opinionin në Itali meqenëse mediat e këtij vendi i dhanë jehonë zhvillimeve në vend.

Së fundmi z. Rama ia ka dalë të hedhë në varkën e vet edhe ambasadoren gjermane ka ngecur edhe ajo te fjalët e përgjithshme të legjitimitetit dhe kundër dhunës, duke hequr kështu spekullimin e hidhur se Gjermania është kundër qeverisë së tij.

Sfilitja për të qepur plagën vazhdon së fundmi me kërkesën e llogarisë ndaj Presidentit. Çfarë ka bërë presidenti Ilir Meta? Çdo ditë që ka patur protesta ka dalë dhe ka bërë thirrje për përmbajtje dhe kundër dhunës. Njësoj si ambasadorët e akredituar në Tiranë.

Nga qeveria e z. Rama është mohuar që të ketë ndonjë krizë. Është folur për marrëzinë e një opozite që ka ikur në drejtim të paditur. Edhe z. Meta që është një udhëtar i palodhur, ka parë një qeveri që zhvendoset një herë në Berat, një herë në Vlorë, njëherë në Korçë apo Fier, ndërkohë që në Tiranë ka protesta.

Pse vallë i kërkohet presidentit të ndërhyrjë në një situatë ku vetë pala që pretendon këtë ndërmjetësim mohon se ka krizë? Ka një përgjigje dhe këtë e ka dhënë shumë i zgjuari Arben Ahmetaj sipas të cilit kriza zgjidhet në institucione, por opozita ka ikur prej tyre.

Mirëpo këto manovra kuptohen lehtë në dredhinë e tyre. Ato duan ta izolojnë krizën tek shtrati opozitar duke pretenduar hapje për dialog me kushtin e rikthimit në Parlament. Pra një disfatë të plotë të opozitës dhe po kërkohet që ftesën ta bëjë një prej radhëve të saj, Presidenti. Si të tilla, pra dredhi, ato dëshmojnë se z. Rama ka sëkëlldinë e krizës, por jo vullnetin dhe as staturën mendore dhe integritetin për ta trajtuar atë ashtu siç është. Sepse në fakt Kriza është Ai qoftë edhe për faktin se po bën çdo gjë ta mohojë përgjegiësinë e vet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.