Mediat e grazhdit/Përjashtohet Islami nga PS, shpallet Kaçi i Zi. Përjashtohet Rudina Hajdari nga PD, gati për heroinë

Postuar në 12 Mars, 2019 19:36

Partia Demokratike ka vendosur përjashtimin e Rudina Hajdarit nga radhët e saj. Vendimi erdhi pasi zonja Hajdari nuk pranoi që të dorëzonte mandatin e deputetit. Kushtetuta dhe politika janë të qarta: zonja Hajdari edhe pse përjashtohet nga partia nuk e humbet mandatin. Por vendimi për përjashtimin është i drejtë dhe legjitim. Zonja nuk i është përgjigjur një vendimi politik të partisë ku aderon. Por jo një vendimi të zakonshëm.

Mediat pranë pushtetit, ato që nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër të atit të saj, Azem Hajdari, po përpiqen të shpikin kauzën e radhës. Por nuk ecën. Në radhët e PD-së ka patur edhe më parë vendime kundër nga konsensusi partiak. Por përjashtime asnjëherë. Jozefina Topalli votoi kundër zgjedhjes së Theodhori Sollakut si Prokuror i Përgjithshëm dhe nuk u mor ndonjë masë.

Edhe Astrit Patozi, Arben Imami, Genc Ruli, u izoluan por nuk u përjashtuan nga partia.

Zonja Hajdari ka dalë kundër një vendimi që ka të bëjë me një qëndrim përcaktues për të ardhmen e PD-së, që është dorëzimi i mandateve për shkak të defunksionalizimit të rolit të opozitës në Parlament. Synimet e PD-së me këtë lëvizje janë maksimaliste, rreziku i ndërmarrë jo i vogël. Ndaj teksa znj. Hajdari është në të drejtën e saj që të veprojë si do, PD-ja ka të gjithë tagrin të shkëpusë marrëdhëniet me të.

Sa për sazexhinjtë mediatikë, këta atë avaz kanë: kur u përjashtua Kastriot Islami, ai u bë sa hap e mbyll sytë Kaçi i Zi. Kur përjashtohet znj. Hajdari, ajo thuajse shpallet heroinë. Grazhdi ka efekte magjike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.