KOASh zbardh qëndrimin: Për Kishën Ukrainase të mbahet një Sinod Panorthodhoks

Postuar në 11 Mars, 2019 21:59

Mediat greke po i bëjnë jehonë përplasjes së Kryepeshkopit të Kishës Orthodhoske Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos me Patriarkun Ekumenik të Stambollit, Bartolomeu. https://www.liberal.gr/arthro/243512/diethni-themata/2019/ekklisia-albanias-pros-patriarcheio-na-sugklithei-panorthodoxi-sunodos-gia-tin-apofugi-schismatos.html

Polemikat zënë fill më 14 janar, ku pas një mbledhjeje të Sinodit Kishtar, kryepeshkopi Janullatos i drejtohet me një letër Patriarkut të Stambollit, përmes së cilës i kërkon mbledhjen e një Sinodi Panorthodhoks “për të parandaluar rrezikun e një përçarje që do të kërcënojnë kredibilitetin e Orthodhoksisë". Bëhet fjalë për autoqefalinë e Kishës Ukrainase që ka provokuar reagime të forta nga Kisha Ruse e cila ka deklaruar madje ndarjen përfundimtare.

Dokumenti është i publikuar në faqen online të Kishës Ordhodhokse vetëm në versionin greqisht dhe jo në shqip, për arsye që nuk shpjegohen. Letra është bërë publike vetëm në 8 Mars me një paragraf shpjegues që lidh publikimin me shmangien e keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve. 

http://orthodoxalbania.org/alb/index.php/el/lajme-2/blog/6870-2019-03-08-10-53-06

Ky diskutim në fakt i është mbajtur larg publikut në Shqipëri edhe pse Kisha është pyetur nga mediat për qëndrimin e saj rreth çështjes së autoqefalisë së Kishës së Ukrainës, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Flitet për mbajtjen e një Sinodi Kishtar në 14 janar por letra mban firmën e Kryepeshkopit dhe pikëpamjet përcillen në emër të tij. Kjo mund të jetë praktikë në letërkëmbimet mes Primatëve të Kishave, ku shpesh herë është autoriteti i tyre që vendos pavarësisht respektimit të rregullave kanonike për mbledhjen e sinodit.

Nuk dihet nëse është ky rasti i Kishës Ordhodhokse të Shqipërisë dhe kryepeshkopit Janullatos, misioni i të cilit është shoqëruar përherë me dyshimet se Kisha Shqiptare është zgjatim i interesave të Kishës Greke apo dhe politikës personale të kreut të saj. Distancimi i Kishës për të konsumuar një debat që i takon pikësëpari komunitetit ortodhoks të Shqipërisë vetëm sa shton pikëpyetjet. Këto dilema marrin edhe ngjyrime politike kur qëndrimi i Kryepeshkopit të Shqipërisë është i njëjtë me atë të Patriarkut të Serbisë, pra kundër autoqefalisë së Kishës së Ukrainës dhe pro Kishës Ruse.

Në fakt këtu duhet bërë një parantezë: Kryepeshkopi si klerik dhe teolog është në të drejtën e tij që të përcjellë mendimin e vet për unitetin e ekumenës ortdhodhokse dhe në fakt shqetësimi për autoqefalinë e kishës ukrainase është real dhe objektiv. Por sa ndan KOASH të njëjtin qëndrim me Janullatos kjo ka vlerën e vet që të ndahet me opinionin shqiptar. Duhet të shtojmë këtu se Kryepeshkopi dhe KOASH nuk kanë përcjellë asnjë qëndrim publik edhe për marrëdhëniet cilësisht të reja mes Patriarkanës Bullgare dhe Kishës Maqedonase të cilat jo rastësisht u përmirësuan pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë mes të dyja vendeve. Kisha pra funksionon në suazën e shtetit pavarësisht se është e ndarë nga ai.

Më sipër u theksua se njoftimi për dërgimin e letrës por jo përmbajtja e saj është bërë për “shmangien e keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve”, por këto lëvizje vetëm sa i shtojnë ato. Zoti Janullatos në fakt nuk ka vuajtur nga keqkuptimet, por nga keqdashja dhe paragjykimi. Ata që e kanë sulmuar Kryepeshkopin nuk është se nuk e kanë kuptuar atë, por thjesht nuk e kanë dashur. Por kjo nuk do të thotë se KOASH dhe Kryepeshkopi duhet të kompkleksohen deri në pikën saqë të mbajnë larg publikut shqiptar zhvillime dhe qëndrime të tilla, pasi në fund të fundit ka një kategori njerëzish që thjesht DUAN TË KUPTOJNË. KOASH ka në këtë kuadër edhe detyrën e edukimit për mënyrën sesi funksionojnë marrëdhëniet mes kishave dhe nuk ka pse të struket pas heshtjes ndërkohë që dikur ajo do të shprehet patjetër për këtë që po ndodh.

Na vjen ndërmend në këtë kuadër vizita një vit më parë në Tiranë e Patriarkut të Moskës, Kirillit, i cili takoi zotin Janullatos, ndërsa Presidenti Ilir Meta, i cili shtroi dhe një darkë zyrtare në nder të tij. Asgjë nuk u tha asokohe për arsyen e kësaj vizite të pazakontë. Mesa duket zhvillimet në Ukrainë nuk ka sesi të kenë qenë jashtë teme dhe është e qartë se Kirilli ka kërkuar mbështetjen e një autoriteti moral siç është Janullatos në botën orthodhokse për të ndalur veprimet e Bartolomeut. Padashur këtu kemi një rol thelbësor të kryepeshkopit por që tërheq në veprimet e tij edhe Kishën Shqiptare e cila përfshihet në një diskutim që ka marrë ngjyrime gjeopolitike dhe ku politika nuk përjashtohet për asnjë çast.

ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.