E zhbënë edhe parlamentin...

Postuar në 11 Mars, 2019 17:34

Shqipëria aktualisht nuk është demokraci parlamentare. Ka një sallë ku mblidhen të ashtuquajturit deputetë të një shumice të vetësugjestionuar me idenë se janë aty për të bërë shtet, me barrën e rëndë për të përfaqësuar edhe qeverinë, edhe opozitën.

Bilanci është i thjeshtë, në fund të muajit llogarisin rrogat, dietat dhe padiskutim titullin honorifik që i shoqëron edhe kur janë vetëm ata dhe gurgullima e ujit në tualitetin e kuvendit.

Duke mos përjashtuar këtu edhe vetëbesimin që ka ushqyer tek kjo kategori retorika e kryeministrit se kemi të bëjmë me elitë të përzgjedhur nga vota e popullit për të ndryshuar Shqipërinë. Formalisht kështu është, kuvendi është pasqyrë e ambicjes që ka shoqëria për të ndryshuar apo përsosur veten. Dhe në këtë pikë, përgjegjësia nuk duhet kërkuar vetëm tek seleksionuesi i kolonisë së dëputetëve, por edhe tek trupa elektorale që i legalizon ato.

Ikja e opozitës e katandisi Republikën në një demokraci invalide të paktën nga pikëpamja formale, pasi askush nuk ushqen iluzionin se parlamenti i djeshëm ishte tempull i përplasjes së ideve apo përpunimit të platformave politike në funksion të një perspektive shpresëdhënëse për ata që duan ta ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.  Jo, kryeministri ashtu siç kërkoi mori shumicën që i nevojitej për të noterizuar interesat e tij dhe pushtetit që përfaqëson.

Ky njeri ia doli që Shqipëria të ketë sot një parlament gjysmak jo vetëm në numra. Fillimisht veshi me kostumin e deputetit enturazhin e rrugës dhe më pas investoi në karriera që varen nga humori i tij, ku shembujt më tipik janë Sajmir Tahiri apo Elisa Spiropali. Tani po predikon si normalitet krijimin e një ekstraopozite të dalë nga lista shumëemërore. Ky është Edi Rama, njeriu që hyri në vallen e pushtetit si qënie jopolitike, siç edhe po rezulton në fakt. Një eksperiment shkatërrimtar për demokracinë dhe Republikën.

Nga ana tjetër Lulzim Basha mjerisht përfaqëson sot alternativën tjetër. Fatkeqësia e tij është se ka dhënë prova të jetë një Don Kishot, fijet e të cilit i lëviz dikush tjetër.  Zyra për shtyp e tij përcolli formalisht përmbajtjen e mbledhjes së fundit të kryesisë, ku Lulzim Basha kërkoi që opozita të fokusohet të organizimi, (të kontaktohen sa më shumë njerëz, të mbajnë lart frymën antiqeveri, të bëjmë për vete elitën e çdo fushe).

A mund ta bëjë Lulzim Basha dhe njerëzit e tij këtë gjë? A mund të inspirojë ai një shumicë që do t’i imponohet monokracisë që ka ngritur kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe njerëzit përreth tij?  Ka ardhur koha që kryetari i PD të bëjë politikë dhe jo retorikë që nuk çon gjëkundi. Ai duhet të ofrojë një model tjetër pa frikën se ky model mund të nxjerrë atë vetë të parin nga politika.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.