Ekskluzive/Tensionimi i Ballkanit, skenar amerikan: Hyrje e shpejtë në BE, amnisti për të korruptuarit

Postuar në 06 Mars, 2019 01:42
Shaptilografisti

 

Në nëntor të vitit 2018, përfaqësues të pushtetit dhe opozitës nga Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova kanë qenë në një takim me dyer të mbyllura në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku merrte pjesë edhe John Bolton, këshilltari për Sigurinë i presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas burimeve diplomatike të sigurta që kanë folur për redaksinë e “Të Kripura” takimi është kërkuar nga pala amerikane pak përpara se SHBA të deklaronte tërheqjen nga Siria. Angazhimi amerikan është zhvendosur kundër Rusisë në Europë dhe kundër Iranit. Për të siguruar avancimin e çdo axhende, DASh ka vënë në veprim një plan që synon përshpejtimin e përfshirjes në Europë të Ballkanit Perëndimor, shndërruar në një kanal pasigurie me ndikime gjeopolitike të mëdha.

Sipas të njëjtave burime thuhet se ftesa për të gjitha palët është shoqëruar me arsyen e takimit që është pikërisht si të arrihet drejt hyrjes në Europë sa më shpejt.

Pala shqiptare është përfaqësuar me z. Lulzim Basha, z. Edi Rama dhe një person i cili nuk ka një post zyrtar por që ka lidhje të forta me qeverinë gjermane. Moshë e re, ndërmjetës dhe përçues i mesazheve të rëndësishme, personi në fjalë, I njohur në qarqet politike shqiptare dhe që ka qenë në vizitën e fundit të z. Rama në Arabinë Saudite, ishte thirrur për të mbajtur një derë të hapur me Berlinin.

Konfirmohet se propozimi shqiptar jo vetëm ka fituar, por edhe ka befasuar të gjithë. Sipas burimeve në fjalë, prezantimi i tij i është lënë z. Basha i cili ka deklaruar se propozimi është i dakordësuar mes tij dhe z. Rama tërësisht. Ideja është huazuar nga një historian ottoman në Kosovë, Sulejman Gulçe që dikur shkruante se Moisi Golemi dhe Hamza Kastrioti në fakt kanë qenë agjentë të Skënderbeut dhe jo tradhëtarë. Legjendimi i tyre historik ka mbetur i tillë për arsye shumë komplekse. Pala shqiptare pra propozoi tensionimin e kontrolluar të situatës politike në mënyrë të koordinuar me synimin që euroskeptikët dhe antimyslimanët e Europës, apo antirusët, të perceptonin rrëshkitjen e Ballkanit në kaos. Që këtej axhenda e sigurisë do të prevalonte mbi standardet dhe politikën e pritjes që është zyrtarizuar nga Juncker.

Zoti Basha ka sqaruar se meqenëse në Shqipëri nuk ka shkaqe të qenësishme që të ngrenë popullin në protestë apo të familjarizojnë publikun me nevojën e protestës do të shkohet në masa ekstreme si dorëzimi i mandateve.

Propozimi u gjet shumë i qëlluar dhe sipas vendeve u kërkua që të kalohet në veprime politike dhe institucionale që do të mahisnin skenën politike.

Zoti Rama dha shanse shumë në këtë drejtim dhe sipas të gjitha të dhënave skandali i DH Albania është shpërthyer nga selia diplomatike amerikane. Loja e tij me kufijtë e Kosovës bënte pjesë në këtë skenar, por me dallimin se atë e miraton edhe SHBA si zgjidhje eventuale reale.

Në Mal të Zi u stis skandali me bankierin Dushko Knezeviç, ndërkohë që në Serbi protestat janë më të thjeshta pasi aty reagimi është kulturë.

U shpik kështu një opozitarizëm i paqenë që në rastin e Tiranës shfrytëzoi gatishmërinë e Berishës dhe të Ilir Metës që janë mbajtur në presion me reformën në drejtësi. Vizita e z. Meta në SHBA pak javë më parë ka dyshime se ka qenë lidhur pikërisht me këto lëvizje por kjo mbetet e pakonfirmuar. E sigurtë është se Basha dhe Rama kanë konfiduar në Tiranë planin te Berisha dhe Meta, me hilenë tipike ballkanike të krijimit të garancive reciproke duke mos besuar deri në fund tek amerikanët.

Pasojat e këtij skenari ne i shohim qartë sot: Europa është më e gatshme se kurrë që të lehtësojë rrugën e integrimit pavarësisht se të paktën Shqipëria nuk ka asnjë standard të përmbushur. I vetmi aktor europian i njoftuar për këtë është Berlini zyrtar që ka dalë kundër ndryshimit të kufijve, por nuk ka ndonjë angazhim serioz.  

Me hyrjen në zonën europiane çështja e kufijve lehtësohet pasi ajo nuk rrezikon më të kompromentojë sigurinë. Njohja mes Serbisë dhe Kosovës relativizohet si çështje dhe kufijtë ndjekin modelin kroato-slloven.

SHBA ka premtuar amnisti për politikanët e korruptuar të Ballkanit dhe një dalje me nder nga skena. Jo më kot nuk është parë asnjë qëndrim apo kërdcënim nga opozitat se do të çojnë në burg njërin kryeministër apo tjetrin. Z. Basha p.sh mundet shumë mirë të dalë në protestë duke tundur pranga në qafën e Edi Ramës, por burgu është një fjalë që po mbahet larg publikut. Ne nuk kemi për të parë më shumë sesa disa konfrontime të meaxhueshme krahas një gjuhe të ashpërsuar. Sepse askush nuk e ka sinqerisht “revolucionin”.

Një nga arsyet pse SHBA ra dakord me këtë plan është fakti se administrata Trump, nëse do të merrte në dorë situatën në Ballkan do të komplikonte shumë marrëdhëniet me europianët që kanë paragjykime të mëdha. Është kjo qasje strategjike që shpjegon se përse së fundmi edhe marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Erdoganit janë ftohur ndjeshëm.

"Detyra ime është ta lë Shqipërinë në stacionin e Europës", thuhet se është shprehur z. Rama në takimin në fjalë. Duke lënë të kuptohet dakordësinë në parim që t’i lërë vendin Lulzim Bashës.

Është një operacion në shkallë të gjerë që po pompohet – me dije apo padije – nga mediat që analizojnë dhe komentojnë duke mos e parë shkakun tek ata që hiqen si doktorë. Dhe duke humbur fillin e ngjarjeve që vihen në lëvizje për arsye shumë të ndryshme nga ato që mendohen. Me protestat sot po blihet garancia për Vuçiçin, Edi Ramën, Thaçin dhe Gjukanoviçin. Me këta patjetër që përfitojnë edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta. I vetmi që gaboi dhe u rreshtua kundër amerikanëve është edhe ai që sot është në kërkim ndërkombëtar: Nikolla Gruevski.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.