Është nip në Itali. Vizita zyrtare në Rai për t'u shpjeguar krizën të afërmve

Postuar në 05 Mars, 2019 23:58
Shaptilografisti

 

Rrallë mund të ketë ndodhur që kryeministri i një vendi të zhvillojë një vizitë zyrtare në një...Televizion. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, hyn te gjërat e rralla të kësaj bote. Ai ka vizituar Rain, televizionin e njohur italian. Dhe ka vizituar modelin e ndjekur nga Blendi Fevziu, Bruno Vespën në emisionin “Porta a Porta”.  

Megjithatë z. Rama na tha se e bëri këtë për të mirën e Shqipërisë, për t'u shpjeguar italianëve se krizë nuk ka dhe se ata duhet të investojnë të qetë në Shqipëri.

Çështja është se investimet italiane nuk është se kanë njohur ndonjë rritje thelbësore këto vite. Ndaj ky argument nuk qëndron edhe aq.

Por z. Rama në një pikë ka të drejtë: krizë nuk ka në kuptimin që kjo fjalë ka në një vend normal. Sepse Shqipëria ka qenë përherë në krizë, të pakten neurotike. Ndaj të thuash që ka krizë në një vend që është në krizë, ngjan si nonsens.

Megjithatë z. Rama nuk tregohet i sinqertë. Ai shkoi në studion e Bruno Vespës, që me gjasë as do kishte denjuar t'i vinte ndonjëherë në zyrë kryeministrit, për të luajtur djalin e zgjuar shqiptar që po çon Shqipërinë drejt Evropës, meqenëse mediat italiane kanë patur një interesim shumë të madh për këto që po ndodhin në Tiranë.

Ambasadori italian në Tiranë, Cutilio, ambasadori i BE-së, edhe ky një tjetër italian, Soreca, flasin përherë me tone shumë pozitive për vendin tonë. Ndaj z. Rama, si njeri që e njeh mirë tavolinën e pushtetit, ka shkuar në Itali edhe që t'ua heqë sikletin këtyre zotërinjve, të cilët duhet që t'i justifikojnë ato që thonë për ne në Romë.

Krizë nuk ka. Ajo edhe po qe se është, është diku larg, në mendjet periferike të opozitarëve. Populli shqiptar nuk e kupton këtë opozitë ndaj edhe ai po bën sehir. Ja shpjegimi më i mirë për italianët nga z. Rama që përmbush me bion e vet të gjitha befasitë: shqiptar, piktor, kryeministër, rilindas dhe me gjyshe italiane. Zoti Rama është nip në Itali. Kujt ia priste mendja! Ky është yni, diasporë e moçme latine në anën tjetër të Adriatikut. Edhe pse nuk na ngjan fare, se si i thonë fjalë "...ka 40 damarë", prapë ai ka një lidhje. Dhe kështu retë davariten nga qielli i kaltër arbëror.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.