Po mendon për veten!

Postuar në 28 Shkurt, 2019 23:18
Leonard Mitro

Shqipëria për meritë të klasës politike që e drejton vijon të trajtohet si ekzotike si për rrëmujën e organizuar që ka në çdo drejtim ashtu edhe për krizat që prodhon.

Misioni i Parlamentit Europian që erdhi në Tiranë nuk kishte për detyrë të jepte konsiderata për situatën e brendshme politike dhe as të jepte zgjidhje, por të analizonte përmbushjen e reformave në prag të vendimit të qershorit.

Vizita e tyre përkoi me atë daljen nga parlamenti të opozitës, veprim të cilin ata e dënuan me argumentin se nuk i shërben si hapjes së negociatave në qershor dhe as demokracisë. Edi Rama nga ana e tij i ka lexuar si siklet më vete mendimet e pashprehura të ndërkombëtarëve që kanë dhënë të njëjtat receta edhe kur zotëria që tani “qesh pas ferrave” ishte në opozitë.

E ashtuquajtura elitë politike u bë sërish gazi i botës në sytë e burokratëve të Brukselit që kishin eskursionin e radhës në Tiranë, duke i përmbyllur të gjitha konsideratat më fjalinë; Zgjidheni vetë!

Pikërisht kësaj mundohet t’i shmanget kryeministri i vendit, një zgjidhjeje që tejkalon kapriçon e tij politike për ta vazhduar qeverisjen pa opozitë në parlament. Shqipëria ka shumë probleme, ku përveç mungesës kruciale të drejtësisë, i dyti në radhë është autokracia krerëve politikë. Si Edi Rama ashtu dhe Lulzim Basha janë “mendje” antidemokratike, që nuk e duan garën në partitë që drejtojnë. Duan status quo-në aktuale me  lista të mbyllura dhe trupa politike që mundësojnë trafikun e interesave të lidhura drejtëpërdrejt me Njëshin.

Edi Rama është i paaftë dhe për më tepër nuk ka as vullnetin të ngrihet në përgjegjësinë që i kërkon detyra për të ruajtur ekuilibrat e një normaliteti që gjithsesi nuk e ka frenuar dëshirën e njerëzve për të ikur nga ky vend. Ai vazhdon të besojë se Shqipëria mund të qeveriset me strategji komunikimi ose në rastin më te keq mos me opozitën në sqetull, apo me platforma të tipit, “Bashkëqeverisja që duam”.

Koha është në disfavor të tij për shkak se Qershori është afër dhe një tjetër refuzim i Brukselit për të hapur negociatat rrëzon çdo lloj legjitimiteti moral për të vijuar qeverisjen, e cila duhet të marrë përsipër faturën e dështimit në raport me një objektiv kombëtar si integrimi në BE.

Në të tilla kushte votëbesimi në elektorat është i pashmangshëm për një vend me parametra normalë. Laku po ngushtohet politikisht për kryeministrin dhe gjasat janë  që ai të kërkojë sërish një zgjidhje jo aq për të mirën e vendit, por për të shmangur çdo përgjegjësi që riskon sadopak të ardhmen e tij në politikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.