Njëri në burg, tjetri të ikë? Po pse jo që të dy në burg?

Postuar në 24 Shkurt, 2019 12:58

Viktor Malaj shkruan sot në gazetën “Dita” një opinion të gjatë që merret me situatën në vendm, me ndërkombëtarët, Edi Ramën, për të dalë në konkulzionin e tij – ta themi sipas një termi të dikurshëm - Disfatist, që e sheh largimin e berishizmit si obligim moral të Perëndimit ndaj shqiptarëve.

Nëse bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë me politikën “tërhiq e mos këput”, duke e lejuar berishizmin të jetë faktor politik, atëherë është e sigurt se as e sotmja dhe as e ardhmja e shqiptarëve nuk do të jenë optimiste. Dhe, njëkohësisht, prestigji perëndimor do të pësojë rënie deri në atë shkallë sa gjithçka është bërë do të shkojë dëm, duke i vlerësuar propagandën dhe përpjekjet e dështuara si “Përralla Diplomatike Perëndimore”. Shqiptarët e duan sinqerisht Perëndimin. Ju lutem, mos i zhgënjeni më tej!

shkruan Malaj që në fakt ka bindjen përpara arsyetimit.

Rapsodia e Berishës në këtë vend ka mbërritur në maja të reja. Çdo gjë mund të ndodhë, por atij s’ja kalon dot kush. Kjo është bindja e atyre që i kanë mbushur mendjen vetes se e duan këtë vend në mënyrë speciale. Malaj shton se Edi Rama pavarësisht se çfarë ka bërë, nuk mund të zëvendësohet nga PD-ja. Sepse njëri dallon nga tjetri, por se në çfarë kjo sigurisht që mbetet subjektive. Opinionin e Malaj, vetë gazeta e publikonte me një përmbledhje të shkurtër që i kishte gjetur titullin: Rast i artë për të burgosur Berishën, pas kësaj largohet Rama.

Po pse të mos futen të dy në burg? Madje në një qeli? Pse duhet ta ndajmë këtë përgjegjësi në këtë formë manipuluese?

Z. Rama erdhi me premtime të mëdha, ka sot një pushtet shumë të madh. Ai ka informacionin e plotë saqë  të përpilojë në emër të qeverisë dhe interesit publik të paktën një kallëzim penal për z. Berisha si ish-kryeministër. Ai ka folur për konçesionet e qeverisë së shkuar, por nuk ka lëvizur nga vendi për të çuar para drejtësisë ata që i hartuan ato dosje. Pse ka rëndësi kjo?

Për ta kuptuar le të hidhemi në Italinë fqinje dhe në rastin e skandalit Tangentopoli. Ai nisi pas arrestimit të Mario Chiesas, një zyrtar i mesëm i partisë së kryeministrit Bettino Craxi për korrupsion. Partia u distancua dhe e akuzoi si të korruptuar Chiesan që për hakmarrje informoi për mënyrën sesi ishte shpërnarë korrupsioni në Italinë e atyre viteve. Rezultati dihet: establishmenti i vjetër u përmbys dhe gjysma e Parlamentit ishte nën hetim, pa folur për këshilltarët lokalë.

Sigurisht që ne kemi nevojë për një prokurori të pavarur dhe këtë duhet ta kemi mirë parasysh. Z. Rama flet lart e poshte për SPAK, por emrat që po depërtojnë aty janë ata të cilët ai i ka në xhepin e vet. Kjo është sjellja që bënte Sali Berisha dikur por këtë nuk kanë qejf ta shohin të majtët e vetëshpallur sot, sepse në mendjen e tyre Berisha është më i keq, thjesht sepse është maloku nga Tropoja, kurse Edi është qytetar.

Një prokurori e pavarur do të bënte çmos të thërriste p.sh Avdiol Dobin, ta përpunonte dhe t’i merrte dëshminë për skandalin e Unazës së Re, e mandej ne do të shihnim të gjithë sesi z. Gjiknuri, z. Rama e të tjerë, ndoshta, po e theksojmë Ndoshta, do t’u ndryshonte ngjyra e fytyrës. Ata që kërkojnë problemin vetëm në njërin krah, duhet të kujtojnë sesi ish-ministri Gjiknuri dridhej në parlament kur fliste për marrëveshjen me CEZ, pa folur mandej për nëpunësit e Tatimeve, të cilët dinë shumë, po shumë, për shumëçka që shitet si sukses në këtë vend. Çfarë halli kishte ish-ministri?! 

Sali Berisha është për burg. Po. Por nuk ka pse pritet SPAK për këtë, as Byroja Kombëtare e Hetimit. Tani Sali Berisha është pa imunitet. Çfarë pret z. Rama dhe qeveria e tij, që ka rënë në dashuri me Shqipërinë, që të bëjë kallëzim? Përgjigja dihet: nëse në burg shkon njëri, radha i vjen tjetrit. Sepse Edi Rama është për më së paku për HETIM PENAL TË THELLUAR për të gjitha këto që kanë ndodhur. Nuk ka korrupsion të mirë dhe korrupsion të keq. Ka thjesht Korrupsion. Për ta kuptuar këtë do të mjaftonte që PD-ja e sotme të deklaronte se nëse nuk do të ketë mundësi ligjore që të anulllojë ato që i quan koncesione korruptive, do të hetojë deri në fund, do të ndjekë rrugën e parave, për çdo anëtar të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, drejtorëve etj., që janë marrë me to. Patjetër që do të shikonim tjetër shfaqje sot.

Comments

Submitted by ProstiKurva Sali (not verified) on

Te dy ne burg bashke me kopene do ishte shpetimi i Shqiperise, por zor te ndodhe!!
Ne, na i kane fik dritat 600 vite me pare, tash zvarritemi!
E rendesishme per kopene eshte te kendoje himnin kur luan kombetarja e topkembes dhe te bejme shqiponjen me duar!
Pas humbjes se rradhes e kalojme merzine me tallava dhe kadaif...

Submitted by Anonymous (not verified) on

Problemi i ketij vendi nuk eshte Berisha e as Rama! Problemi i ketij vendi jane vete njerezit, qe kane makuterine dhe anarshine ne gjak! Jo te gjithe dhe jo te gjithe njelloj, por nje pjese e madhe e tyre, pak apo shume!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.