As dy, apo tri polare. Shqipëria është e ndarë në dy kampe

Postuar në 21 Shkurt, 2019 21:02

Në Shqipëri tanimë një gjë është konfirmuar pavarësisht leximeve të ndryshme: vendi është në krizë të thellë politike.

Sido që ta lexosh situatën, askush nuk mund të quhet objektiv nëse thotë se Shqipëria e sotme ka opozitën në krizë dhe qeverinë efektive. Për këtë mjafton të dëgjosh fjalimin kaotik të kryeministrit, i cili teksa referon zgjidhjet juridike kushetetuese të “mandatit legjitim”, vetëofrohet për zgjidhje politike që kalojnë nga dialogu me opozitën.

Kemi mbërritur në këtë pikë jo për shkak të një vullneti pozitiv të z. Rama, i cili shërben përditë e përnatë opinionin me helmin e gënjeshtrve të veta dhe gogolët e markës Berisha. Kemi mbërritur këtu për shkak të mungesës së vullnetit politik, hileve dhe lojërave të shumta dhe patjetër, edhe për shkak të dështimit të opozitës për të kuptuar se misioni i saj është të kundërshtojë qeverinë dhe të paraqesë alternativë.

Kushdo që sot flet për konspiracione të ndryshme, për frikë nga reforma në drejtësi, më së paku e sheh situatën të thjeshtuar. Z. Basha, z. Berisha më pak, apo dhe Monika Kryemadhin nuk i solli në vendimin e dorëzimit të mandatit parlamentar thjesht kalkulimi politik pwr hesapet e veta, apo idealizmi për Shqipërinë e ndryshme nga kjo e Edi Ramës. I solli sidomos rrethana e re politike që u krijua nga dështimi i tyre në morinë e lodrave dhe flirteve me pushtetin, si dhe mesazhi i drejtpërdrejtë nga qytetarët se ata nuk janë të besueshëm.

Vijimi në politikën e zakonshme, konform një normaliteti politik që është fiktiv në kushtet kur edhe situata ekonomike dhe sociale është në zgrip, kur skandalet e korrupsionit nuk kanë të sosur, do të përbënte në çdo rast vetëvrasje të natyrshme. Ndaj opozita ka ndërmarrë një hap të detyruar mbijetese politike përpos faktit se ajo po artikulohet edhe në zëdhënie të një pakënaqësie që ka marrë forma radikale. Akuza që bëhet sot se kjo mbijetesë është në fakt manovër e atyre që janë objekt i hetimeve të mundshme penale, është manipuluese për arsye se pjesëmarrja në të dyja protestat e fundit dhe sidomos pritmëria ndaj tyre, provon se, përtej çdo spekullimi që lidhet me karriera të caktuara, ka një proces fermentimi të opozitarizmit ndaj qeverisë së z. Rama që do të asociohet me çdo lëvizje që e kundërshton sinqerisht atë.

Zoti Rama e di shumë mirë se ai nuk po qeveris. Prej më shumë se një viti ai është në mbrojtje politike të cilën e aplikon duke sulmuar çdo kritikë legjitime dhe duke u përpjekur të relativizojë situatën, e më keq të delegjitimojë opozitën. Në një pikë ai ka të drejtë: opozita është e dobët. Jo vetëm në sjellje politike, por edhe në ide. Por po kështu ai ka edhe një dobësi të madhe strategjike: ndonëse ai kishte përballë këtë lloj opozite, sërish nuk ja doli të ruante rregullat e bashkëjetesës. Bashkë me faktin se u shndërrua në problemin kryesor politik të vendit, z. Rama mbërriti me sukses në pikën kur e izoloi kundërshtarin në qoshen e ringut duke i lënë vetëm një rrugëdalje: mbijetesën me çdo kusht. Dhe e bëri këtë të duket si rrugë e vetme edhe në sytë e shumëkujt që e ka dënuar Lulzim Bashën me mosbesim të përhershëm.

Për këtë arsye akti i dorëzimit të mandateve nuk do parë si aventurë e dy apo tre personave, por si simptomë dhe manifestim i një krize të thellë politike që pikërisht te ky akt merr edhe sugjerimin e parë për zgjidhje. Sepse zgjidhja është vetëm POLITIKE.

Në një debat televiziv të dy ditëve më parë, Preç Zogaj, ish-deputet I PD-së, komentonte se Shqipëria është tashmë tripolare: nga njëra anë qeveria, nga ana tjetër, opozita dhe në një krah ndërkombëtarët.

Në fakt, pas dorëzimit të mandateve – që përtej procedurës 60 ditore shpresohet të jetë definitiv – Shqipëria nuk është tripolare. Dhe as ka qenë në fakt në nënshtresat e saj. Shqipëria, përkundrazi, është e ndarë dhe thellë madje në dy kampe. Këtë nuk e ka sjellë Sali Berisha dhe Lulzim Basha të cilët dëshironin si gjë të parë bashkëqeverisjen me z. Rama. Shqipëria është e ndarë pavarësisht tyre.

Këtë e solli strukturimi i pushtetit aktual, mënyra e përqendrimit të pasurisë që dikton edhe mënyrën sesi ai ushtrohet. Paradoksi i lëvizjeve të shahu politik, është se në vend se pasurimi me paratë publike të sillte siguri të shtuar, solli në fakt destabilizimin e plotë të pushtetit. Sepse të gjithë e ndjejnë se sa më shumë zgjatet ky pushtet aq më shumë territor i merr të ardhmes sonë.

Fatkeqësi sigurisht që nuk ka zëra të tjerë opozitarë. Por më fatkeqësi është shpërdorimi i një shprese kaq të madhe siç qe ajo që shumëkush pati për z. Rama.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.