Nuk e ka ngatërruar akoma askush për ministër

Postuar në 20 Shkurt, 2019 14:47

Shërbimi i shtypit në Ministrinë e Jashtme dhe për Evropën – që ndoshta konsiston në vetëm një njeri – ka shpërndarë së fundmi materialet e para filmike dhe fotografike nga aktivitetet e ministrit në detyrë Gent Cakaj. Duke lënë mënjanë aspektin formal të njoftimeve ja vlen të merremi pak me shfaqjen e z. Cakaj. Mjaftojnë tri videot e para për të lexuar se zotëria e konsideron punën që ka marrë si sfidë për show e vet personal.  

Sigurisht që politika është edhe show personal, por në lëmin e z. Cakaj ka një avantazh që e bën disi të tepërt aktrimin prej sfilisti në paradë. Ky avantazh është fakti se axhenda e një ministri të Jashtëm përfshin pjesëmarrje në konferenca, aktivitete apo takime me personalitete të botës politike ndërkombëtare. Ndaj vetiu, takimi aktualizon edhe rolin e një ministri që siguron prezencë në titujt kryesorë.

Z. Cakaj duket se e sheh ndryshe këtë dhe këtu nuk po spekullojmë. Mjafton të shohim pamjet për të kuptuar se atij i duhet sforco e madhe që të begeniset për atë që është në funksionin aktual, lëre më për atë që ai ndoshta mendon se është. Video e parë – pa audio – na sjell zotërinë në Konferencën e Mynihut, nëpër korridore me një bexh varur në qafë. Bexhi të hap rrugën dhe të mundëson që mos të të ngatërrojnë me personelin e sigurisë, ndaj edhe ministri në detyrë, shihet që e takon, apo më mirë kap në befasi Eliot Engell që as nuk e njeh. Edhe njerëzit rreth tij shfaqen të çuditur, ndoshta nga mosha e z. Cakaj. Një foto tjetër më tej dhe në fund frymëmarrje lirshëm në takimin me Hashim Thaçin dhe Behgjet Pacollin.

Po çfarë ndodhi në këtë konferencë dhe çfarë bën aty Shqipëria? Këtë na e thotë video e dytë, e cila duket që ka dorë regjizoriale. Por regji ama që do merrte çmim vetëm për sakrificën pasi me sy të lirë kuptohet që personi që mban kamerën bën edhe intervistën. Pas sorrollatjes strategjike në korridore duhet një shpjegim për qytetarët e Shqipërisë se çfarë thuhet andej Lart për ne. Dhe z. Cakaj e ka zbuluar sesi të impresionojë. Duke bërë korrespondentin e Republikës sonë të dashur në Mynih. Sajesa është me të vërtetë për të qeshur: ministri i Jashtëm në Detyrë pozon duke dalë nga godina, duke kaluar rrugën i vetëm, afrohet përballë kamerës, ndoshta me mendimin se kështu krijon efekte kushedi se çfarë te shqiptarët.

Pastaj montazhi vepron aty për aty sepse duhet që dikush të mbajë edhe mikrofonin. Dëgjoni fjalën e ministrit në Detyrë. Ai po flet për mikrofonin zyrtar të Ministrisë sonë të Jashtme dhe po raporton në përgjithësi zhvillimet e Konferencës. Një gazetar ambicioz do të thoshte dikush nga jashtë. Asnjë intervistë, asnjë prononcim. Askush nuk e pyet Gentin për Shqipërinë.

Video e tretë dëshmon sa për delirin e këtij individi, vanitetin e tij, aq edhe bindjen - mesa duket arritur pas konsultimeve me kabinetin – se ai duhet t’i shfaqet publikut shqiptar në profil. Në planet e përcjella për takimin me raporterin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein – edhe këto pa audio – z. Cakaj shfaqet duke dalë me vrull nga makina, duke marrë qëndrim drejt, thuajse me veprime ushtarake, shtrëngon pak nofullat si për t’i dhënë siguri vetes dhe pak testosteron prezencës dhe ecën drejt nga shkallët. Me Knutin që ia ka marrë dorën këtyre pallavrave dy lekëshe, shfaqet i qeshur dhe i çliruar. Fundja nuk ka patur ndonjë punë të madhe siç e thotë edhe teksti zyrtar:

Ministri në detyrë Cakaj dhe Raportuesi për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Fleckenstein ranë dakord për rëndësinë e vijimit të reformave dhe nevojën e angazhimit të të gjithë aktorëve në interes të avancimit të Shqipërisë drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit

Po çfarë mund të bënte tjetër? A mundet një njeri kaq i lexuar të mos bjerë dakord me Europën?

Ky nuk është ndonjë vëzhgim keqdashës, jo se edhe ashtu nuk e bëjmë dot. Por është një vëzhgim keqardhës. Për të gjithë ne. Zoti Cakaj është shkolluar jashtë vendit, dakord. Një gjë e mirë kjo. Erdhi në detyrë se ashtu deshi Baton Haxhiu dhe Edi Rama. Por deri këtu përfundon loja. Tani diçka duhet të bëjë edhe vetë ky zotëri që në fund të fundit të merremi me produktin e punës së tij e jo me sfilata. Është për të ardhur keq sesi ka mundësi që pavarësisht se nuk ka asnjë “handikap” nga ato të shqiptarit xhaketë vjetër që do me çdo kusht të duket, zotëria pa bërë të 30-at e trajton detyrën si çështje ekskluzivisht televizive dhe imazhi. Duke bërë stilistin dhe modelin e vetes. Keqardhje që jemi përherë në këtë derexhe kur kalamaj si ky duan me çdo kusht që të na bëjnë edhe budallenj.

PS: Fotoja me efekte është e Ministrisë së Jashtme. Me siguri rregullues çehreje. 

Comments

Submitted by Taras (not verified) on

Nuk kane audio sepse anglishtja e tij eshte e njejte me ate te Pandit te Majkes, null.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.