Mbetet opozita e ankesave në Platformën e Bashkëqeverisjes

Postuar në 16 Shkurt, 2019 22:32
Skerdilajd Zaimi

 

Protestoni paqësisht!

Kjo thirrje po dëgjohet nga të katër anët në këto orë. Atë e artikulojnë demkat e partisë, analistët militantë, gazetarë që po mbushin dekadën që shkruajnë të kundërtën e asaj që mendojnë, amatorë të Facebook-ut. Por këtë tezë po e riqarkullojnë me forcë dhe këmbëngulje edhe pushtetarët. Zv.kryeministri, kryeministri, ministri i Brendshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, etj..

Teza është e thjeshtë: dhuna e protestës, apo vrasja e protestuesve është shenjë e mungesës së qytetërimit, tipar dallues i një politikani fisnor si Sali Berisha. Ndërkohë që pjesa tjetër është Ndryshe. Këmbëngulja te dallimi mes Berishës dhe berishizimit dhe pjesës tjetër nuk është në fakt një tezë ku besojnë pushtetarët e sotshëm për shkak të një vizioni politik ndryshe. Ajo është një ndjesi që buron nga një racizëm i brendshëm mes shqiptarësh që janë prodhim i ndarjeve klasore dhe krahinore të regjimit të Enver Hoxhës. Kjo ndarje, e mbetur përherë në kuadrin e një dallimi që përfton politikën e vet, rigjenerohet në kësi ngjarjesh të cilat për fat të keq kanë formësuar perceptimin politik të një pjese të shoqërisë shqiptare. Dhe për këtë arsye krijojnë edhe stigma të rreme, që janë të tilla jo vetëm sepse përgënjeshtrohen nga përvoja e tranzicionit shqiptar, por edhe sepse injorojnë aktualitetin politik të Europës. Dhuna në protestë është implicite edhe kur ajo nuk përshfaqet në formën e akteve direkte. Protesta në vetvete manifeston një vullnet që nuk përfaqësohet më në institucione dhe që merr jetë pikërisht për të korrigjuar apo ndryshuar sjelljen dhe vendimmarrjen e tyre.

Nga kjo perspektikvë, protesta është një akt politik shumë më pak demagogjik dhe manipulues sesa litania narkotizuese e ndjekur nga socialistët, që për 28 vite me radhë mbajnë në axhendë një realitet manikeist të së mirës kundër të keqes, ku Berisha është figuranti, protagonisti dhe premisa e tij. E keqja që shërben si pasqyrë.

Por sot nuk ishte dhuna problemi protestës, por mungesa e saj si akt konkret i organizuar, diçka më shumë sesa element manifestues dhe skenografik, që të mund të perceptohej si katalizues i një objektivi politik që përndryshe nuk është përmbushur dot me rrugë të tjera.

Protestuesit e Astirit janë sjellë paqësisht. Por ata u përbuzën.

Studentëve iu desh të çoheshin në protestë dhe të kërcënonin me numrin e tyre që qeveria të kuptonte se duhej të konsideronte kërkesat e tyre.

Qytetarët kanë protestuar paqësisht për Teatrin, por askush nuk i ka dëgjuar. Projektligji i posaçëm ka kaluar dhe po zbatohet.

Banorët e Kukësit duhet të thyenin makinat e konçesionarit, që qeveria të ulej e të diskutonte. Apo të bënte sikur u kujtua se kontrata i kishte kaluar pa e parë mirë çështjen e tarifës.

Qeveria jep dhe ka dhënë konçesione të dyshimta, të cilat i anullon apo i çon përpara sipas koninkturës që e njeh vetëm ministri I linjës dhe kryeministri. Koncesione me faturë stratosferike, ku mungojnë studimet, që janë të paracaktuara, që merren me 99.999% të fondit limit dhe për të cilat askush nuk jep llogari. Ajo quan kazan dhe viktimë të kazanit çdo ankesë në këtë drejtim.

Edhe opozita, kjo që është, është pjesë e një rituali të përjavshëm ku fjala e saj, ashtu siç paraqitet, sa vjen e ka më pak vlerë.

Vendit i mungojnë hallkat bazë dhe themelore që garantojnë ushtrimin e të drejtës, i mungon Gjykata Kushtetuese ku të mund të kërkojmë të drejtën për një sërë çështjesh.

Fjala nuk ka patur ndonjëherë mission të lehtë në këtë vend. Jo pa forcën në krah. Por opozita e z. Basha dhe znj. Kryemadhi kanë tradhëtuar si njërën ashtu edhe tjetrën. Të parën sepse nuk e njohin mirë, të dytën sepse nuk kanë gjunjë. Ata nuk e konkurojnë dot narrativën e pushtetit sepse nuk janë të aftë të artikulojnë veçse fjali të shkëputura nga ideja e ndonjë programi, apo nga përvijimi i një alternative. Sepse korrupsionin e qeverisë, të ministrave e përdorin për pazar dhe jo për të djegur karriera politike të rëndësishme, për të imponuar frenim të akteve korruptive, koncesioneve etj.. Denoncimi i tyre ka qenë dhe mbetet instrumental, jo parimor.

Ata janë shumë të pasur që të dy, e ndoshta janë në biznes politik saqë të kenë aftësinë, dëshirën  apo vizionin për të kuptuar se ky pushtet është në kushtet politike dhe ka krijuar rrethanat kriminalizuese që duhet goditur fort, shumë fort. Që të arrihet kjo duhet që aktet e protestës të imponojnë perspektivën politike dhe të afirmojnë me një përmasë reale, dramatike krizën ku ndodhet sot vendi. Të diktojë pra domosdoshmërinë e zgjidhjes politike. Të dy këta persona, kanë bërë atë që nuk mund të falet: kanë bërë një gabim, duke lënë në mes protestën. Kanë përgënjeshtruar veten. Në mes të gjithë njerëzisë. Kanë dirgjuar akte të dhunshme si mesazh për Edi Ramën dhe jo për të krijuar bindjen se e kanë seriozisht atë që thonë pa pushim.

Dhe kështu siç po e shohim nga borizanët e mirësisë socialiste ky dështim po kapitalizohet me cinizëm si momenti kur të gjithë duhet të kuptojnë se Krizë nuk ka. Ajo është virtuale, e shpikuar nga Kazani dhe një opozitë pa kokë.

Zoti Basha dhe znj. Kryemadhi sapo i kanë dhënë z. Rama dhe taborrit të vet në uniformë kartëmonedhash mundësinë që të mohojnë me lehtësi atë që është evidente: faktin se vendi po shkon në greminë. Se shoqëria është në depresion të thellë.

Nuk është e qartë se çfarë i mbetet të bëjë opozitës në këto kushte. Ajo mund të protestojë sërish, të bërtasë më shumë, të thyejë xhama të tjerë, por në vend se kjo të shqetësojë qeverinë, do të vërë në provë besimin për PD-në dhe LSI-në. Këtë tashmë e kuptojnë të gjithë. Dhe ato kauza protestash të derisotme që kanë mbajtur në këmbë dy partitë e opozitës dhe kanë legjitimuar deri diku prezencën e tyre mediatike, me gjasë do të shkërmoqen.

Që sot kemi para syve togën e komisarëve të progresit, Rama – Veliaj – Spiropali – Lleshaj - Balluku që do të flasin për zhvillimin, Shqipërinë e gjeneratës tjetër, duke prishur banesat që nuk mbrohen mund të më, teatrin të cilit i janë lënë në rrugë heronjtë e protestës apo edhe ndonjë gjë tjetër.

Sepse “kjo është qeveria e dëgjesave dhe shërbesave” përballë një opozite që duket qartë se nuk e do rolin që ia cakton vetë logjika e sistemit, pasi në atë rol nuk ka fitime momentale.

Ne po ashtu mund të imagjinojmë se z. Basha dhe znj. Kryemadhi nuhasin edhe një mundësi të fundit për të na gënjyer: Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat e anëtarësimit. Dhe për këtë fajin do ja ngjeshin kryeministrit, korrupsionit, manipulimit elektoral. Kush do t’i besojë më këta se kanë ndonjë gjë seriozisht?

Në fund të fundit nuk na mbetet që ose të shpresojmë në mrekullinë e një force të re politike, ose të trokasim në platformën e bashkëqeverisjes të gjithë, edhe këta, pra z. Basha dhe znj. Kryemadhi. Të pyesim aty se kur do të ketë rotacion. A nuk është kjo një formë e protestës paqësore për të cilën na predikojnë shokët socialistë dhe ambasadorët e huaj në Tiranë? Ose ta bëjmë si Plaku Merre: të qeshim.

Si hap të parë le t’i falenderojmë pra shokët socilaistë që nuk na vranë sot, që na lanë gjallë. Por me siguri e kanë bërë edhe sepse me Bashën dhe Kryemadhin që aktrojnë si opozitarë, të vdekur jemi. Le ta kuptojmë këtë si ndryshim real mes Atyre dhe Nesh jo si dëshmi qytetërimi apo humanizmi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.