Rusët fituan picën. Ne ndoshta kemi (ri)emigrimin...

Postuar në 09 Shkurt, 2019 12:35

Spoti publicitar në fjalë evokon tranzicionin postsovjetik dhe siç mund të shihet është një përpjekje për të përcjellë një mesazh të thjeshtë dhe të kapshëm për masën e gjerë. Ndonëse u realizua në vitin 1997, ideja është e qartë: me çfarë gjëje pozitive mund ta asociojmë drejtuesin e një vendi, e cila të pranohet me konsensus, ndërkohë që për çështjet politike do të ketë përherë debate dhe ndasi? 

Ideuesit e materialit kanë gjetur picën - spoti u financua nga Pizza Hut. Pra vërtet që kemi probleme, por ama reformat e Gorbaçovit na sollën picën. Ja pra si lideri në fund mbahet mend për mirë. Në perspektivën e një kohe kaq të gjatë spoti tingëllon gati fyes, pasi pica është një gjë që sot ia lejon vetes kushdo.

Çdo pushtet kërkon që të gjejë konsensusin për disa gjëra, miratimin dhe aprovimin në mënyrë që problemet reale të relativizohen. Ai madje sjell edhe disa të mira.

Në Tiranë banon një reformator po aq i vendosur sa z. Gorbaçov, Edi Rama. Ndaj le të pyesim të gjithë: për çfarë gjëje mund të themi të gjithë se e solli qeveria e z. Rama? Diçka që jo vetëm nuk mund t’ia mohojmë, por të cilën një pjesë e madhe jona e pranon me gëzim.

Mund të mendohemi gjatë, por Shqipëria është kaq e ngjashme me atë të 5 viteve më parë, saqë rrezikojmë të mos gjejmë asnjë mall në shportën e kujtesës. Ndoshta hashashi, produkti ynë kombëtar që arriti majat dhe që na identifikon. Nuk është aq i keq sa ka namin, ai po legalizohet. Plus për Shqipërinë e kanabisit shumëkush ka mall. Goditja ndaj tij ka qenë padyshim një gabim.

Apo mos vallë duhet të themi që falë qeverisë së z. Rama, sot kemi Lulin? Kemi bashkimin kombëtar? Tre stadiume të reja? Dy ministra kosovarë?!

E vështirë do të kishte qenë për këdo që do të ulej të mendonte diçka për këtë qeveri në atë sens që përcjell spoti sovjetik. Çfarë kemi pra që na bashkon te kjo qeveri? Vetë kryeministri le të pyesë veten: Çfarë na solle Edi që të të identifikojmë?

Nuk është pyetje keqdashëse, pasi identifikimi i një kohe është shenjë që mund të riprodhojë shumë afilacione.

Ah, po. Ndoshta kemi emigrimin. Pasi në fakt me Edin në qeveri një shumicë shqiptarësh po bie dakord që duhet ikur nga Shqipëria. Po. Kjo duhet të jetë. Ikja. Ndonëse nuk është ndjesi e mirë, ajo është siç thotë z. Rama një mundësi që buron nga Liria. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.