Kur të përçudnon Elisa, me porosi të Endrit edhe në emër të Edit

Postuar në 09 Shkurt, 2019 13:15
Kristi Pinderi

Shoqëritë e qytetëruara”, u fliste dje Elisa Spiropali prindërve dhe gjyshit të vajzës së dhunuar në Kavajë, “dallohen nga mënyra se si përballen me sfidat, si përballen me raste të tilla dhe si e trajtojnë dinjitetin e njeriut”.

Mirëpo gjuha e trupit e atyre njerëzve fliste më shumë se Spiropali dhe veshjet e saj të zeza.

Nëna e vajzës kishte kryqëzuar këmbët edhe duart, një komunikin ky jo verbal që ulëret padëshirën e personit për tu hapur ndaj çdo mesazhi apo ngacmimi të jashtëm, si mesazhet që po përpiqej Spiropali të përcillte.

Me dorën e majtë kapte një cep të trikos, një formë kjo e pandërgjegjshme përmes së cilës qënia e saj po komunikonte pasigurinë në të cilën ndodhej e duke u përpjekur kështu t’i jepte vetes një formë çfarëdo komforti.

Ndërsa sytë i mbante ulur duke na treguar se kamera e Edi Ramës që i kishte shkuar në shtëpi, më shumë se çlirimi që të pushton kur e përball me kurajo të vërtetën, po i shkaktonte parehati, si parehatia kur t’i ngulin sytë njerëz të panjohur që përpiqen të të zhbirilojnë teksa ecën në rrugë.

Në këtë moment, kamera nis ngadalë të afrohet duke u zoom-uar në bustin e Spiropalit që vazhdon të mbajë të ulët tonin e zërit e të ngadaltë ritmin e të folurit.

Spikat aty lëvizja që bën me dy duart e bashkuar.  Në atë moment, që është dhe më i rëndësishmi, ajo ndjen se fytyra dhe zëri ndoshta nuk po e përcjellin tamam mesazhin, ndaj përdorimi i dy duarve që i shtyn para është mënyra si ajo po e ndihmon veten ta shtyjë deri në fund apo ta përforcojë aktrimin për të cilin kishte marrë detyrën:

“Kam porosi nga kryeministri”, nis të thotë me një buzëqeshje fallco në fytyrë, tipike të njeriut që bën sikur mban më shumë zi se familjarët, “që nëse vajza do dojë të ndjekë shkollë këtu në kolegj, apo do të shkojë jashtë, pra kudo që të jetë ne do ta ndjekim për t’i siguruar bursë edhe mbështetje që ajo të zhvillojë të gjithë potencialin e saj”.

Zgjatimi i Edi Ramës përmes aktores-ministre drejt e në shtëpitë e shqiptarëve, nuk është një përpjekje për të komunikuar me shumicën e qytetarëve për të krijuar imazhin e një qeverie që kujdeset për më të dobtit dhe më të pambrojturit e këtij vendi.

E gjithë ajo shfaqje e turpshme që zgjati 4 minuta dje, ashtu si edhe muaj më parë një shfaqje e ngjashme me viktimën e përdhunuar nga djali i një deputeti të PS, ishte, në fakt, një përpjekje perverse e Ramës për të komunikuar direkt me të vetët, me militantët dhe me bazën e votuesve të PS.

Atyre tani, nuk u intereson më se çfarë mendon shumica e heshtur e shqiptarëve. Celësi i pushtetit të tyre, ashtu si në çdo vend autoritar, është të sigurohen se baza e militantëve, pra e deleve që e votojnë dhe që e legjitimojnë, të rrijë në tufë e të mos guxojë as ta mendojë se një ditë mund të ikë e të vrapojë me kokë të vet!

Në këtë mënyrë, me ndërgjegje të plotë dhe pa pikën e dinjitetit, edhe Spiropali, edhe Endri Fuga që qëndron pas këtij teatri mediatik, edhe shefi i tyre Edi Rama, janë duke konsumuar një akt të pastër të përdhunimit deri në fund të asaj pak ndërgjegjeje që mund t’u ketë ngelur njerëzve të tyre e që në rast krizash mund të shpërfaqet në sipërfaqe.

Janë duke u dhënë mesazhin se partia të hyn në shtëpi, me hir a me pahir, në ditën tënde më të keqe. Se nëse nuk i nënshtrohesh vullnetit të partisë jo vetëm që nuk do të të ofrohet më asnjë ndihmë, por ditë më të këqija se këto që ke parë do të të vijnë mysafire këmbëkryq në sofër.

Kjo është edhe arsyeja pse ndryshe nga fytyra e ngrirë e gruas që tregon përpjekjen e saj për të fshehur emocionet e vërteta që ndjen në atë moment, burri i saj, babai i vajzës, është më i sinqertë dhe nuk bën asnjë përpjekje për të fshehur asnjë emocion që ndjen në ato momente.

Kur qan e përgjërohet me dënesë që “ta mbyllim me kaq”, më shumë se dhimbjen për atë që i ka ndodhur, po tregon në fakt, frikën për atë që akoma mund t’i ndodhë në të ardhmen.

Burimi: https://historia-ime.com/2019/02/09/kur-te-percudnon-elisa-me-porosi-te-endrit-edhe-ne-emer-te-edit/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.