Përsheshtrojka ballkanike*

Postuar në 05 Shkurt, 2019 16:53
Asdren Rrahmani

Për ne të cilët jemi Made in 1950 - 1960 - 1970 dhe të cilët e mbajmë ndërmend Mikhail Gorbachev, presidentin e BRSS-së (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) së atëhershme, jemi në dijeni për angazhimet e tij për demokratizimin dhe avancimin ekonomik të Bashkimit Sovjetik. Mikhail Gorbachev nëpërmjet programit për reforma politike dhe ekonomike - PERESTROJKA (rindërtim, riorganizim) synoi që t’i bënte ndërrimet dhe reformat në kuadër të Partisë Komuniste të BRSS-së si dhe politikave të demokratizimit të brendshëm, si dhe reformave të ndryshme ekonomike dhe politike. Duke mos dashur që të hyj në detaje të angazhimeve dhe të arritjeve të Gorbachevit, vlen të theksohet se në atë periudhë ra edhe Muri i Berlinit, tërheqja e trupave ushtarake sovjetike nga Afganistani, si dhe u bë pavarësimi i dhjetëra republikave të cilat ishin në kuadër të BRSS-së e të cilat sot ekzistojnë si shtete të pavarura. Arsyeja përse ua solla këtë në vëmendjen tuaj janë faktet në terren, të cilat 30 vjet më vonë rezultojnë me një lëvizje të re të ringjallur (në trajtë vampirësh politikë) për rindërtim dhe riorganizim, dhe bërjes përshesh kësaj radhe të kufijve. PËRSHESHTROJKA (Vuçiq - Rama - Thaçi) & BRSS (Batoni Rekruton Sejmenë Specialë).

Aktorët e lartpërmendur të Përsheshtrojkës, trinomi Vuçiq - Rama – Thaçi, tashmë botërisht është e ditur se gjatë viteve të fundit kanë mbajtur takime sekrete, si dhe kanë arritur marrëveshje sekrete ndërmjet vete që kufijtë e Ballkanit të ndryshoheshin dhe që njëherë e “përgjithmonë” të vihej deri te zgjidhja e nyjës së raporteve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Në kuadër të këtij vampirizmi politik ballkanik, Përsheshtrojka me angazhimet dhe marrëveshjet e saj sekrete dhe Batoni Rekruton Sejmenë Specialë për t’i hedhur hirin në sy publikut të hutuar dhe popullatës civile të pafajshme si gjithnjë, vazhdojnë debate të panumërta, lobime për këtë kauzë dhe aktivitete të ndryshme.

Këta vampirët politikë ballkanikë me paratë e taksapaguesve të tyre nuk lënë gurë pa lëkundur për të gjetur administrata dhe politikanë të shteteve të tjera, të cilët do ta përkrahnin idenë e tyre vampireske ballkanike. Këtë idenë e tyre vampireske politike e promovojnë me moton se tashmë jemi “ngopur gjak” dhe koha ka ardhur që të ecet tutje dhe të shkohet “përpara”, duke mos e kthyer kokën prapa! Sa shoferë të dobët politikë që janë. Edhe ecja përpara në politikë është e njëjtë sikur me ngasjen e veturës. Nuk mund të ecësh përpara në politikë pa shfrytëzimin e retrovizorëve politikë, që të mundësojnë të shohësh se çka të vjen nga mbrapa, çka të vjen anash dhe ashtu ai udhëtimi yt përpara merr trajtën e sigurisë së shtuar në rrugëtimin para. Për rripa të sigurisë nuk po flas fare. Këta langonj politikë tashmë janë zgjidhur fare dhe nuk e di se kush do të mundë që t’i lidhë!

Në Shqipëri protestat e studentëve, të cilat disa javë më parë ishin masive, tashmë veçse janë të heshtura pothuajse. Në Beograd vazhdojnë protestat në formë shëtitjeje gjatë vikendit nën moton “Një në pesë milionë” dhe të cilët e kundërshtojnë Vuçiqin dhe Qeverinë e tij të korruptuar. Kosova, gjithashtu, është përfshirë nga vala e protestave ku në kabllogramin e sapoarritur kuptova se grevës për nivelimin e koeficienteve të pagave iu bashkëngjit edhe një SHKA,

(Shoqata Kulturo-Artistike) “Qyqja n’rrem”. Në Kosovë rrallë protestohet, mirëpo kur protestohet atëherë ato protesta janë multiepike dhe multidimensionale, sa që e kompleksojnë edhe çdo fizikan të teorive të fijeve/telave (String Theory) dhe ua bëjmë lëmsh ato.

Thirrje për protesta masive bëri edhe Gani Koci, njëri nga zavenC ministrat e Qeverisë së Kosovës. Ai i bëri ftesë të gjithë 80 zavenC ministrave që të dilnin në protesta masive në shesh kundër zvogëlimit të kuotave të tyre për paga në kuadër të Qeverisë. Mendoj se rreziku më i madh për rrëzimin e Qeverisë vjen pikërisht nga këta 80 zavenC ministra. Hej, 80! Të gjithë vampirët politikë janë zgjuar nëpër greva pas kafshimit nga kryevampiri i këtyre trojeve, Grof Hashim Kallamari. Nën thirrjen e tij, pas mesnate dhe ulërimës së tij vampireske, i përgjigjen neo-vampirët e tij të rinj e të vjetër. Ata të cilët ky ndër vite i qerosi me pozita, rritje rrogash, avancime të ndryshme, tashmë veç i kemi të shpërfaqur në rrjedhën e përditshmërisë horroreske kosovare. Alfredi e ka pasardhësin e tij të denjë, Hashim HitchCock, një regjisor i ri ky i realiteteve më të reja horror në 5D, tanimë edhe pranë shtëpisë suaj.

Dje në kabllogramet e mia diplomatike lexova se si kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë për shtyp kishte deklaruar se taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk do të hiqej, dhe se presioneve të Amerikës për heqjen e tyre nuk do t’u përgjigjej pozitivisht dhe se “s’ka dert pse prishemi”. Ashtu si për inat të njëjtën ditë u prononcua edhe Grof Hashim HitchCock Kallamari, duke thënë se ai do të dëshironte që ta ftonte Vladimir Putinin për ta vizituar Kosovën. Njëri se ka dert nëse prishemi me miqtë tanë e përkrahësit dhe sponsorët tanë më të mëdhenj, ndërsa ky tjetri e fton Putinin në Kosovë. Ashtu siç ua kam cekur shumë herë deri më tani, në diplomaci asgjë nuk është e rastësishme dhe kjo krekosje e vampirit ballkanik nuk është gafë i rastësishëm. Ky është duke e luajtur lojën e arkadashit të tij Erdogan për t’i shantazhuar qoftë BE-në, qoftë Amerikën me aspiratat e tij të përafrimit me Rusinë. Sivjet lëkura e gjarprit i paska ra shumë e ngushtë dhe derisa ta heqë ai atë deri në pranverë, ne spektatorët do të heqim të zinjtë e ullirit.

* * * * *

Pjesën tjetër të mbetur të ditarit tim do t’ua kushtoj disa ecurive nga skena diplomatike kosovare.

Këtu në Britaninë e Madhe ku unë jetoj, Republika e Kosovës ka ngelur pa ambasador të saj qysh nga largimi i ambasadorit Lirim Grajçevci në muajin gusht të vitit të kaluar, dhe vazhdimin e detyrës së tij tashmë në një vend tjetër mbretëror, Holanda. Sipas rregulloreve në kuadër të Ligjit për emërimin e ambasadorëve nëpër botë, ky përfaqësim bëhet me një përqindje 50:50 ndërmjet atyre të emëruarve politikë dhe atyre të cilët janë diplomatë të karrierës. Në fakt, situata në terren është më shumë 80:20 në favor të ambasadorëve të emëruar politikë.

Nga burimet e mia të informacioneve kam kuptuar se Imer Berisha, i cili veçse shërben në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Britaninë e Madhe e ka ofruar emrin e tij për shqyrtim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për pozitën vakante të ambasadorit. Me z. Berisha më ka rastis që të njoftohem ashtu nëpërmjet një mikut tonë të përbashkët dhe që të tre kaluam një pasdite të një dite verore me diell, në bahqen e një lokali këtu në Londër. Nga z. Berisha kuptova se ai nuk ishte anëtar i asnjërës parti politike, por ishte diplomat i karrierës me shumë vite përvojë. CV-ja e tij ishte e bujshme. Studime të përfunduara në Londër, këshilltar juridik në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, këshilltar ligjor në USAID, këshilltar ligjor në Bankën Botërore, dhe për shumë vite që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës edhe anëtar i koreve diplomatike të ndryshme të Kosovës nëpër botë.

Gjatë asaj bisedës sonë prekëm mjaft pika që e prekin diasporën kosovare këtu në Britani të Madhe.

Mua më la përshtypja fakti se z.Berisha ishte apartiak dhe se ishte diplomat i karrierës. Tani unë do të dëshiroja që në interesin sa më të mirë të diasporës sonë këtu, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ta shqyrtojë dhe ta aprovojë kërkesën e z.Berisha për emërimin e tij në pozitën vakante të ambasadorit, si dhe e njëjta të dekretohet nga ana e presidentit.

Është rasti dhe situata kur të gjithë ju aktorë të përfshirë duhet të filloni të mos i shikoni gjërat nga këndvështrimi i interesave të juaja politike, partiake, personale, por t’i shihni ato nga primi i diasporës dhe tatimpaguesve, të cilët edhe ua mundësojnë të gjithëve juve që t’i merrni rrogat e juaja. Diaspora vetëm dëshiron një përfaqësim sa më të denjë diplomatik dhe një urë lidhëse ndërmjet tyre dhe shtetit të tyre amë. Aspak nuk na interesojnë as lojërat, as kalkulimet as favoret politike që ju duhet bërë ndaj njëri-tjetrit për t’i kënaqur apetitet dhe ambiciet e juaja postzgjedhore.

Do të jetë një rast shumë i mirë që politika kosovare ta demantojë ambasadorin e Republikës së Kosovës në Facebook, pra ekselencën time dhe të bëjë një veprim shumë profesional dhe transparent. Përndryshe unë shpresoj që kjo kërkesë e imja do ta gjejë Qeverinë nesër në ditën e botimit të ditarit tim shëndosh e mirë, dhe se ajo s’do të ketë rrëshqitur në ndonjë skllotë dhe të ketë rënë në kokërr të shpinës.

Burimi: www.koha.net

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.