Albin Kurti, 16 shkurti, kufijtë dhe politika e jashtme e sms-ve

Postuar në 05 Shkurt, 2019 17:09

Vizita e Albin Kurtit në Tiranë ka prishur ca nerva. Nerva të atyre që kujtojnë se kanë disa monopole: të patriotizmit, të politikës së jashtme, të bashkimit kombëtar. Më keq, kjo kategori mendon se ka për detyrë historike të na ruajë të gjithëve nga ndonjë budallallëk, të cilin vetëm ajo e pikas. Ndaj edhe përkundrejt z. Kurti ka patur thirrje: Albin, jo me Berishën. Jo me Bashën.

Në fakt në takimin e sotshëm mes Kurtit dhe Lulëzim Bashës, të paktën sipas njoftimit zyrtar të Partisë Demokratike, bëhet e ditur se:

Basha dhe z. Kurti ndanë të njëjtin mendim mbi rëndësinë që ka dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës dhe unitetin politik me të cilin Kosova duhet të përfaqësohet në këtë dialog.

Kreu i opozitës shqiptare dhe lideri i Vetëvendosjes shprehën vendosmërinë për t’u qëndruar vlerave dhe standarteve perëndimore, si e vetmja garanci në mbrojtje të interesit më të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës

Çka do të thotë se mirë apo keq, sot PD-ja dhe Vetëvendosja përfaqësojnë mendimin politik se Kosova nuk duhet të lëshojë territor.

Por nuk është ky problemi në vetvete. Problemi është te goditjet poshtë brezit që i bëhen Kurtit me emrin e Sali Berishës që asociohet nga qarqe të caktuar si I shitur dhe tradhëtar i çështjes kombëtare. Nëse hedh sytë pas në histori, dallon dy rryma: një ajo e inteligjencës kosovare që e shihte rrugën drejt pavarësisë në një process evolucionist dhe një tjetër, e Lëvizjes Popullore, e cila kishte lidhje të forta me regjimin e Enver Hoxhës dhe që shihte nga rruga e forcës. Kurti përfaqëson një lëvizje nga kjo traditë, pasi zakonisht ai asociohet me LPK-në në origjinë e cila vetë ka më shumë afëri me të majtët në Shqipëri. Që këtej rrjedhin edhe pallavrat për tradhëti dhe për dalldinë me veten se e majta e sotme shqiptare është nacionaliste.

Ajo çka na provojnë këto lëvizje janë së paku dy gjëra: së pari se Kurti ka lëvizur nga poizicionet e ngurta të paragjykimeve për njërin krah apo tjetrin dhe kjo në politikë është zhvillim pozitiv. Por ai nuk ka hequr dorë nga programi i tij, pasi moscenimi i kufijve është tanimë një variant maksimalist nacionalist për ata që duan korrigjimin e kufijve. Ai mund të jetë edhe temë e protestës së 16 shkurtit që nuk përjashtohet të ketë dy pole, një në Tiranë e një në Prishtinë.

Së dyti se lëvizja dhe aktualiteti i vizitës së tij në Tiranë provoi frikën e establishmentit nga çdo prurje e cila nuk ka njollat e duhura për të skematizuar në suazën e akuzave të rëndomta që hasen shpesh në skenën politikë shqiptare. Por me më shumë rëndësi: vizita e tij ka aktualitet për shkak se Shqipëria zyrtare nuk ka asnjë drejtim apo politikë të Jashtme për sa i përket marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ka vetëm një ambicie personale të kryeministrit të saj për të qenë dikush që ia përmendin emrin në këtë histori kundrejt ndihmës së tij në lehtësimin e marrëveshjes pavarësisht kostove. Ndihmë e cila është një pëshpërimë aty, një foto atje, një status më tej, një telefonatë që nuk dihet për çfarë është, lajle lulet e zakonshme të artistit më të mirë mes kryeministrave.

Nëse Tirana zyrtare do të shpallej hapur sot do të kishim tjetër zhvillim. Mirëpo z. Rama nuk e do këtë jo vetëm për meritat që ka shpikur për veten e që do t’ia njohë mbarë bota, por edhe sepse nëse do të zyrtarizonte qëndrimin pro korrigjimit të kufijve do të provokonte hyrjen në skenë të Parlamentit dhe kreut të Shtetit. Dhe siç e dimë të gjithë z. Rama nuk I do këto gjëra. Ndaj ai vazhdon me diplomacinë e sms-ve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.