Nuk u fye nga Berisha. Thjesht luftë ndaj Thaçit për të qenë Lajmi në Tiranë

Postuar në 01 Shkurt, 2019 13:09

Dje në mbrëmje kryeministri Edi Rama doli në një videokonferencë, apo videoselfie për të shfryrë kundër Sali Berishës dhe akuzave të këtij të fundit për familjen e z. Rama. Dalja e z. Rama u përcoll live në disa televizione, ndonëse jo e plotë.

Askush nuk gjeti ndonjë arsye të vërtetë se përse kryeministri i Shqipërisë, i cili e prishi keq gojën dhe në të vërtetë ja tha të gjitha ish-kryeministri në sallën e parlamentit, duhet të dilte në orët e mbrëmjes për të shpërfaqur një gjendje të vetën ku ngatërrohej realja me aktrimin.

Ka vetëm një shpjegim për këtë alucinim të papritur dhe kjo lidhet me daljen televizive të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në News 24, ku përballë gazetarëve ka sqaruar pozicionin e vet për çështjen e marrëveshjes me Serbinë. Për ata që njohin z. Rama dhe përjetimin e politikës prej tij thjesht dhe vetëm si çështje lajmi, kjo sjellje shpjegon çdo gjë, edhe aktrimin e mbrëmjes. Një manovër për të zhvendosur vëmendjen dhe asgjë më shumë.

Zoti Rama bëri çmos dhe publikoi në mediat sociale njoftimin e kishte folur në telefon me këshilltarin e z. Trump, John Bolton, përpara sesa këtë gjë ta bënte z. Thaçi apo edhe Ramush Haradinajt.

Është pra shumë e qartë se sindroma e lajmit udhëheq veprimin politik të kryeministrit që kërkon të perceptohet se ka një rol thelbësor për këtë që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk do të pranojë për asnjë çast se atë marrëveshje, të keqe apo të mirë, e bën në fakt Hashim Thaçi me qeverinë e Kosovës dhe këtu Kryeministri i Shqipërisë është në variantin më të mirë një garniturë. Thjesht është për t’u nënvizuar dhe këtë tashmë e shohin edhe në Kosovë, fakti se përkundrejt vanitetit dhe lajmomanisë për z. Rama nuk ka vlerë asgjë. Ndoshta edhe z. Thaçi, miku i tij mund ta ketë pikasur një gjë të tillë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.