"Edhe muret kanë veshë", ngrihet arkiva dixhitale e dëshmive gojore të represionit komunist

Postuar në 31 Janar, 2019 11:47

Në Shqipëri po ngrihet një arkivë dixhitale e dëshmive gojore nga të ata që quhen të mbijetuar të përndjekjes dhe terrorit komunist. "Edhe muret kanë veshë”, është pjesë e procesit të lustracionit që po zhvillohet në Shqipëri dhe Gjermania siç raporton agjencia Deutsche Welle do të ndihmojë me financimin e infrastrukturës.

"Unë e di, pak më shumë, sepse jam gjermane, se të merresh me të shkuarën tënde të errët mund të jetë e dhimbshme, por mjaft e rëndësishme për një fillim të ri shoqëror. Shumëkush mund të kishte preferuar t'i vinte kapak së shkuarës, të niste prej zeros dhe kësisoj t'ia linte harresës ҫështje të tilla si përgjegjësia dhe vuajtjet individuale. Ky nuk është një proces i thjeshtë.  Bindja ime është që një shoqëri duhet të përballet me të shkuarën, në mënyrë të hapur dhe të sinqertë.  Përvoja jonë tregon se vetëm kush njeh të shkuarën e tij dhe përballet me të ka edhe një të ardhme”, tha në fjalën e vet me këtë rast, ambasadorja gjermane, Susanne Schütz.

Agjencia në fjalë raporton se në Shqipëri nuk ka njohur për represionin komunist dhe për këtë I referohet një raporti të OSBE-së të vitit 2016. Ndërkohë drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, jep disa të dhëna:

"Janë 212 mijë dosje të ish Sigurimit, 250 mijë kartela individuale, 15 mijë dosje hetimore gjyqësore, 21 mijë dosje të personave të përndjekur, mijëra regjistra, procesverbale, akte normative, në total 32 milionë faqe dokumenta të hartuara nga ish-Sigurimi i Shtetit , nga 1944-1991, në një Shqipëri që nuk i kalonte 3 milionë banorë. Për të gjithë këtë dokumentacion kemi detyrim ligjor ta ruajmë, administrojmë, përpunojmë dhe ta vemë në dispozicion të publikut".

Platforma dixhitale "Edhe  muret kanë veshë” është pjesë e projektit "Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar ” që AIDSSH po zbaton që prej një viti me mbështetjen  UNDP dhe Italisë. Rrëfime të padëgjuara kurrë më parë, histori autentike persekutimi dhe terrori politik po mbushin nga dita në ditë arkivën dixhitale të dëshmive gojore. Një shans më shumë për kërkimin shkencor, edukimin qytetar krahas qasjes së lirë tek arkivi i dosjeve dhe dokumentave të tjera të ish -Sigurimit. Një shans më shumë për të krijuar dhe konsoliduar kulturën e kujtesës që në Shqipëri mbeti e pazhvilluar për 28 vjet

shkruan DW.   

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.