Largimi i Mitchell, politika amerikane në Ballkan e paqartë. E nevojshme shtyrja e çdo marrëveshjeje me Serbinë

Postuar në 28 Janar, 2019 13:09

Largimi i Wes Mitchell nga detyra e ndihmës sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, po analizohet si shenjë e një krize në komunitetin euroatlantik. Në një opinion në gazetën greke “Kathimerini”, me autor kreun e Këshillit Amerikano-helenik për lidership, Endy Zemenides, thuhet se ndër arsyet e largimit përfshihet edhe NATO.

Dorëheqja e Mitchell nuk ka për të tërhequr vëmendjen apo reagimin e asaj të ish-sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis, por mund të jetë po aq e rëndësishme. Për t’i bërë gjërat më keq, zëvendësi i Mitchell ka planifikuar largimin në pak muaj dhe kjo ngre pyetje se kush do ta udhëheqë politikn europiane të Trump në këtë kohë sfidash

shkruan ndër të tjera, Zemenides.

Ai citon një deklaratë të presidentit të Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale, ish-ambasadoprit amerikan në NATO, Ivo Daalder, sipas të cilit largimi i Mitchell pason atë të disa njerëzve të tjerë kryesorë të Europës dhe NATO-s në Pentagon duke dëshmuar për rënien e interesimit të ShBA në kontinentin europian.

Emenides thekson edhe ndikimin që ka largimi i tij për Greqinë, apo rajonin, duke cilësuar se zyrtari amerikan ishte një ndër shtytësit kryesorë për kalimin e Marrëveshjes së Prespës dhe në kultivimin e një marrëdhënieje të fortë mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Çdo rol i mëtejshëm i SHBA në zbatimin e marrëveshjes është në pikëpyetje

shkruan autori.

Mitchell po ashtu cilësohet si person kyç në bllokimin e manovrës turke për blerjen si të sistemit rus S400 dhe avionëve amerikanë F35. Në këtë kuadër ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, konsiderohet si aktori kryesor në formulimin e një politike amerikane për Mesdheun Lindor. Spekullimi i mëtejshëm është se largimi i Mitchell lidhet me Rusinë për shkak se qasja e tij binte ndesh me lojërat e Rusisë në këtë zonë, ndërkohë që Trump po synon largimin e atyre që konsiderohen si kundërshtarë të Rusisë.

Pjesë e vlerësimit të Perëndimit për maarëveshjen e Prespës motivohet nga ndjenja në Washington se “Ballkani është rikthyer në vëmendje dhe Rusia është kthyer në Ballkan”. Largimi i Mitchell është mjaftueshëm domethënës, por nëse sinjalizon një ndryshim në orientimin politik amerikan ndaj Greqisë, bëhet e paqartë se deri në çcfarë pike lëvizjet e guximshme në këtë front do të vlerësohen në Washington

shkruan Emenides.

Por teksa analizohen këto implikime të ikjes së tij, mbetet e paqartë se çfarë domethënie ka dorëheqja e tij për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës ku është shtruar në tavolinë çështja e shkëmbimit të kufijve. Ne në Shqipëri nuk kemi ndonjë të dhënë për rolin apo ndikimin e Mitchell për këtë çështje, por nisur nga roli i tij në marrëveshjen e Prespës, mund të merret me mend se një dorë në zhvillimet serbo-shqiptare ai e ka.

Duhet theksuar se ideja e shkëmbimit të kufijve është kundërshtuar edhe nga aktorë serbë, ndërkohë që ajo po kufiziohet tematikisht në Kosovë si pjesë e një presioni amerikan që vjen ndërkohë që vetë politika e jashtme e SHBA-së bëhet e paqartë. Është kjo arsyeja pse çdo pozicionim mbi ndarjen e Kosovës, apo korrigjimin e kufijve të shtyhet në kohë derisa në SHBA të shprehen qartë për atë që po ndodh. Luhatjet si këto që verifikohen së fundmi bëjnë çdo skenar që shitet si pjesë e politikës së jashtme amerikane të pabesueshëm dhe thjesht vendim të çastit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.