Protesta dhe dallavere

Postuar në 27 Janar, 2019 20:28

Shqipëria, ajo e tellallëve të interesit të saj publik, është përfshirë nga ethet e ruajtjes së mjedisit. Nuk dihet sesi e qysh, por prej disa ditësh një rrymë anti – hec, sidomos atyre të vegjëlve ka përpirë mendjet e qeveritarëve dhe opozitarëve. Ministrja e te ka nisur me dëgjesa dhe ka njoftuar pezullimin e 95 lejeve të dhëna, përveç atyre operative. Do të bëjmë verifikim, ka thënë zonja Balluku. 

Ajo qëndron në ballë të një proteste fanatikësh online të mjedisit, të cilët njëherë këtu e një herë atje, i gjen me fije interesash ekonomike në çdo vend ku ka një protestë. Janë po ata që kanë mbyllur sytë p.sh për importin e mbetjeve dhe që nuk e çuan ndonjëherë zërin për lejet që po jepeshin për hecet. Sot protestën në fakt e drejton vetë qeveria e cila bën kauzë mjedisin për të afruar emocionet e veta me një milet të manipuluar. Sepse në finale e dimë shumë mirë se asnjë ministër nuk anullon dot 95 leje, për shkak se do të duhet të çonte për ndjekje penale ministrin që iku e me të kryeministrin. Tullumbacja mjedisore ku prin Taulant Balla është një lëvizje që preson mbi bizneset lokale para zgjedhjeve, ndërkohë që berihait i shkon nga pas opozita. 

Aty ku qeveria thotë do anullojmë, opozita e Lulëzim Bashës thotë që po gënjejnë. Aty ku qeveria thotë se nuk ka kërkim nafte në Zagori, PD-ja flet për një krim të vërtetë. Letrat zyrtare askush nuk ka arjf t’i tregojë. As kryeministri që ka ca zgjedhje përpara dhe i duhet ta mbajë lart gënjeshtrën, as opozita e cil aka tmerr nga fakti se dikur mund t’i thotë miletit që: ne jemi dakord me këto investime. 
Shqipëria ndodhet në mes të një rruge ku klima e biznesit përcaktohet nga gjobvënësit në media që ditën bëjnë sekserin apo agjentin e influencës, në pasdite hanë dreka me biznesmenë që ndërtojnë hece dhe kërkojnë naftë, kurse në mbrëmje mbrojnë kauzat publike. Ndodh kjo për shkak të injorancës së miletit që rron e prosperon në Facebook, ligësisë dhe korrupsionit të prostitutës me emrin shoqëri civile, dinakërisë së qeverisë dhe shejtan budallallëkut të opozitës. 

Mjedisi është një anë, ndërkohë që raporti i stabilizuar me biznesin është një anë tjetër. Kur një shtet lëshon disa dokumente, u përmbahet atyre dhe nuk i zhbën ato sa herë ndërrojnë ministrat që sepse për çudi janë përherë e më të pasur. 
Mos të çuditemi që do jenë po këta që do vihen në ballë të aksionit kundër hapjes së shtëpive publike, si përherë duke bërë zëdhënësin tonë dhe të ardhmes tonë, por duke harruar sesa më shumë shfaqen e rishfaqen sorollopë të këtillë me deformacione të lindura, aq më shumë duket Shqipëria si një bordello ku sepse mban një erë e rëndë dhe e padurueshme. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.