Leximi/ Autorët shqiptarë të librave për fëmijë të braktisur nga botuesit?!

Postuar në 26 Janar, 2019 14:12

Fëmijë dhe të rinj që e duan librin dhe leximin. Botues dhe autorë shqiptarë që çojnë te fëmijët krijimtarinë më të mirë të tyre. Këto janë vetëm një pjesë e synimeve e disa prej njerëzve të angazhuar në botën e librit dhe në të ashtuquajturën Lëvizja Kombëtare për Lexim. Lëvizja, një nismë e Ministrisë së Kulturës, që nga viti 2014, kur në krye të saj ishte Mirela Kumbaro vijoi me idenë e krijimit të Qendrës Kombëtare për lexim. Vendimi për ngritjen e këtij institucioni është botuar së fundmi në Fletoren Zyrtare të Këshillit të Ministrave, një strukturë që mendohet se do të jetë e formëzuar brenda muajit mars. Por pse ka lindur kjo nismë dhe çfarë përmban ajo?!

NJË QENDËR KOMBËTARE PËR LIBRIN DHE LEXIMIN

Për Kumbaron është e domosdoshme ta kthejmë vëmendjen te lexuesi, gjë që ajo pranon se ishte e vështirë fillimisht dhe solli edhe konflikte me botuesit, të cilët e paragjykuan dhe e pranuan vështirësisht lëvizjen, por shprehet e lumtur që pas 5 vitesh, ajo që u nis fillimisht me programe për librin, ku mund të përmendet fondi për përkthyesin, mbështetja e autorit për botimin e librave origjinalë dhe atyre të autorëve të rinj, apo përkthimin e veprave shqip në gjuhë të huaj dhe promovimi i leximit dhe edukimi i lexuesve, duket se po jep frytet e veta, edhe pse nuk mund të arrihet thjesht me vendime institucionale.

Një ndër problematikat që Kumbaro, por edhe autorë të librit shqip përmendim është mungesa e kritikës për librin, por jo vetëm.

Një nismë e tillë sipas tyre duhet të fillohet që në familje, për të vijuar më pas edhe në kopshte apo shkolla.

Kumbaro bën me dije se me shkollat qendër komunitare është nisur një iniciativë në këtë drejtim dhe vëren se sot janë rreth 10 mijë anëtarë të biblotekave të klasave, të cilët në çdo klasë krijojnë bibliotekën e tyre duke shkëmbyer libra. Ajo flet edhe për iniciativën që për çdo bebe të dhurohet një paketë librash, nismë që do të vihet në zbatim me çerdhet dhe kopshtet, fillimisht në Tiranë.

Ndër pikat që përmendet është edhe krijimi i klubeve të ndryshme të leximit, si dhe zgjimi që po njohin bibliotekat e lagjeve. Një prej këtyre bibliotekave është biblioteka “Hamit Beqaj” në njësinë nr. 8 në Tiranë.

Por, ndërsa flet për frytet që pritet të sjellë Lëvizja Kombëtare për Lexim dhe misionin e Qendrës Kombëtare të Leximit, Kumbaro thekson se diçka e tillë nuk mund të realizohet brenda 5 apo 10 viteve.

Përtej këtyre nismave është e rëndësishme të ngremë pyetjen se sa cilësorë dhe joshës janë librat që ofrohen nga botuesit në Shqipëri. Problemi sipas Kumbaros është se në Shqipëri botohet shumë më tepër se sa mund të  konsumohet dhe ka shumë më tepër botues se sa ka nevojë Shqipëria, gjë që e bën të vështirë bashkëjetesën për botuesit cilësorë, të cilët nuk duan ta ulin standardin. Ndërsa nëse fokusohemi më tepër te letërsia për fëmijë, zgjedhjet janë të shumëllojshme, por ajo që vërehet është se mes titujve të kësaj letërsie ka pak tituj të autorëve shqiptarë.

Edhe për Kumbaron është krejt e natyrshme për botuesit, që pjesa më e madhe e këtyre librave të jenë të huaj.

Ndërkohë, një tjetër çështje që mund të ngrihet është se sa afër janë të vegjëlit drejt letërsisë së mirë apo autorëve klasikë, të huaj dhe shqiptarë.

Ndërsa vetë botuesit, sipas autores Çupi duhet të kenë kujdes në botimet e tyre, që të mos mbingarkojnë librat me fjalë të huaja apo që nuk përdoren në shqip, pasi diçka e tillë dhe mosshpjegimi i tyre në fund të faqes e bëjnë fëmijën që t’i largohet librit, sepse has në vështirësi dhe nuk e kupton atë që lexon. Për librat për fëmijë, botuesit duhet të ngrenë grupe të veçantë pune, ndërsa sipas botuesve duhet të ketë shumë kujdes në politikat e Ministrisë së Arsimit në përzgjedhjen e kësaj letërsie në shkolla. 

Për të përfunduar, afrimi i të vegjëlve dhe të rinjve me librat dhe leximin është një punë që nuk mund të bëhet në një periudhë të shkurtër kohe dhe as me urdhëra ministrorë apo nisma të veçanta, por kërkon një bashkëveprim të të gjithë aktorëve, duke filluar nga institucione të veçanta, si Ministria e Arsimit apo Kulturës, tek botuesit, mësuesit në shkolla, autorët e librave për fëmijë, përkthyesit, si dhe vetë prindërit dhe fëmijët.

TemaTv

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Sa mire! Cdo vit ne Shqiperi ka nga rreth 100 projekte te reja! Dhe vendi rri po ne vend!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.