“Të qartë në paqartësinë tonë”, Luli vazhdon me grip

Postuar në 24 Janar, 2019 11:41

Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për protestën e 16 shkurtit. Ky aksion po diskutohet gjerësisht në forumet e saj, ku ka ende paqartësi për çfarë dhe ku do protestohet. Gazeta "Panorama" ka zbardhur një pjesë të debatit në mbledhjen e grupit parlamentar, ku mungonte Lulzim Basha për shkak se është i sëmurë keq me gripin e stinës.

Një pjesë e debatit:

Edmond Spaho: Kjo mbledhje e Grupit Parlamentar do të ketë në fokus të saj diskutimin për stinën e protestave që kemi vendosur të zhvillojmë. Është menduar për një ndarje të deleguarve nëpër qarqe ku të gjithë do të jenë në terren, duke nisur nga anëtarët e Kryesisë, deputetët dhe të deleguarit zgjedhorë.

Ervin Salianji: Z.Spaho, unë mendoj që ne duhet të lëmë mandatet dhe të bashkohemi me popullin në protesta dhe revoltë. Ose nëse shihet si alternativë që të mos djegim mandatet, atëherë të ndajmë mendjen të hyjmë në Kuvend për betejë dhe ta shoqërojmë këtë me paraqitjen e alternativës sonë për të ardhur në pushtet. Të kërkojmë zhvillimin e interpelancave dhe të nisim përzgjedhjen dhe prezantimin e kandidatëve për 61 bashkitë në vend, në mënyrë që të fillojmë fushatën sa më parë. Mendimi im është që ne duhet të bëjmë protestë të fortë para Kryeministrisë. Protesta jonë duhet të përqendrohet në çrrënjosjen e Ramës më shumë se të harxhojmë energji me protestat nëpër rrethe. Duhet të nxjerrim sa më shumë njerëz para Kryeministrisë deri në largimin e tij.

Edmond Spaho: Ervin, akoma nuk kemi një vendimmarrje për këtë. Për këtë arsye jemi mbledhur.

Rudina Hajdari: Mondi, si mund të shkojmë te qytetarët nëse nuk kemi ende vendim? Ne duhet të shkojmë me mendje të qartë, t'u themi qytetarëve çfarë do bëjmë.

Albana Vokshi; Po t'i pyesësh!

Rudina Hajdari: Njerëzit po presin nga ne.

Bardh Spahia: Ne nuk jemi infantilë, ne duhet të jemi të qartë me njerëzit dhe duhet të bëjmë organizim të mirë dhe në Tiranë.

Aldo Bumçi: Do bëjmë protesta para kujt institucioni, po Veliajn do e godasim në protestat tona?

Ervin Salianji: Jemi të qartë në paqartësinë tonë domethënë. Protestat tona nuk janë sociale dhe ekonomike, nëse janë kështu, ne duhet të hyjmë të bëjmë interpelanca. Nëse janë politike, duhet t'i përqendrojmë vetëm te Rama në Kryeministri.

Edmond Spaho: Do të pyesim degët.

Gazment Bardhi: Nuk duhet të ngatërrojmë deputetët. Ende nuk kemi qartësuar se për çfarë tematikash do protestojmë, do pyesim degët dhe do të vendosim.

Rudina Hajdari: Ne duam protesta dhe shkojmë iu themi atyre se çfarë doni të protestoni ju?

Klevis Balliu: Ne duhet që të nxjerrim njerëz në Tiranë sepse Tirana ka më shumë popullsi.

Xhemal Gjunkshi: Duhet të jemi më të qartë, kërkoj nga ju që të jemi ne dijeni për çfarë arsye dhe si i kërkojmë protestat. Ne si deputetë duhet të kemi informacion. Në Dibër po privatizohen edhe termalet.

Dhurata Çupi: Përgjegjësinë për termalet e kanë dega dhe këshilltarët.

Hekuran Hoxhalli: Si t'i përgjigjem demokratëve kur të më pyesin, dakord me protestat, po për zgjedhjet do përgatitemi?

Myslim Murrizi: Studentët kanë 1 muaj e gjysmë që rrinë rrugëve. Ne duhet të ishim me ta. Tani secili të marrë përgjegjësi, do nxjerrim popullin apo partinë. Ne duhet të nxjerrim sa më shumë njerëz. Nuk duhet të ngrejmë pritshmëritë dhe pastaj të marrim opingat! Duhet të përgatitemi dhe për zgjedhjet njëkohësisht.

Fatbardha Kadiu: Njerëzit janë të mbingopur me qeverinë, duhet të përqendrohemi dhe të jemi të organizuar dhe të qartë dhe të largojmë Ramën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.