Krisja e armaturës*

Postuar në 23 Janar, 2019 11:41
Bard Camaj

Në njëfarë mënyre studentët këto dy muajt e fundit ia kanë dalë të detyrojnë klasën politike të provojë medicinën e hidhun që non stop prej 25 vitesh kanë gatuar për të gjithë ne. Refuzimi për të dëgjuar e për të negociuar nuk është një tipar mbizotërues i grupeve sociale që rregullisht janë keqtrajtuar nga kjo qeveri; reagimi më shumë duket si refleks i kushtëzuar i dikujt që duke e pasë lakun në fyt, nuk ka çfarë të humbasë në këtë betejë. 

Nga ana tjetër kjo qeveri nuk po duket të mësohet me idenë që kur i vë duart tjetrit në fyt, është e pashmangshme që ky i fundit të reagojë. Nuk dinë si të sillen përballë këtij refuzimi,përçmimi e talljeje që u ka prerë rrugën. Deri tash kishin kujtuar që refuzimi, përbuzja dhe indiferenca ishte monopol i tyre. Do skandale me diplloma e doktoratura të fallsifikuara e plagjiatura e hajni të ngjashme të neveritshme që përsëriten rregullisht prej dy dekadash, ia kanë hequr qeverisë edhe ato petka të fundit me të cilat mbulonte lakuriqësinë e mjerimin e saj moral. E tash, kur kokëulur kërkojnë të negociojnë, duken si ato zonjat e profesionit më të vjetër në botë që kapen galiç duke urinuar në lulishtet e qytetit. Një neveri plebishitare është akumuluar mbi kryeministri e parlament si re e zezë, e prej lartësive të saj pritet me ankth shkreptima e zemërimit që rrezikon ti përzhisë të gjithë bashkë.

Krisja që studentët i kanë shkaktuar armaturës deri më tash të papërshkueshme të kësaj klase politike, duket të jetë e një efekti tashmë të pakthyeshëm. Qeveria që deri dje tallej me oponencën që i bëhej ligjit të arsimit të lartë, tani lutet të negociojë, ndërsa Lulzimi në rolin qesharak të revolucionarit me limuzinë, e ka kuptuar që kundërshtia ndaj këtij pushteti të korruptuar, është jashtë dhe e pavarur nga strukturat e opozitës zyrtare. Ndoshta është tepër heret për ta thënë, por duket që me lëvizjen e studentëve, akti i fundit i tragjikomedisë së kësaj klase politike ka filluar të luhet. Dhe megjithë cinizmin e kritikave të mbjellësve profesionistë të dëshpërimit, protesta e studentëve përbën rrëzimin përfundimtar të asaj bindjeje patologjike kolektive, sipas të cilës, nuk mund bëhet asgjë për ti vënë para përgjegjësisë ata që na qeverisin. 

*Titulli i autorit: Fillimi i fundit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.