Borëbardha e Infrastrukturës

Postuar në 21 Janar, 2019 19:46

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka performuar sot konferencën e parë për shtyp të cilën e ka pagëzuar duke qeshur pa doganë me një lajm që me gjasë e ka tronditur keq biznesmenin Bashkim Ulaj. 
Pas një njoftimi afatshkurtër siç tha Balluku, ajo mblodhi gazetarët për të njoftuar se pipipija e Thumanës është anulluar. Thuajse e lumtur për atë që po thoshte, ministrja sqaroi se paratë do të transferoheshin drejt paktit për universitetin. 

Por kush u gënjye me ëmbëlsirën apo ëmbëlsinë komunikuese të ministres ende të pathinjur nga punët e infrastrukturës, kuptoi se ajo kishte lënë kafenë pa sheqer në fund. 

Pyetje të gazetarëve për këtë temë ajo iu përgjigj me disa kokoshka verbale – falemnderit, falemnderit - për të ikur mandej po aq e qeshur sa edhe hyri. 

Xhanëm, krahasuar me Damian Gjiknurin, zonja Balluku, edhe si sjellje, por edhe si pamje, duhet kursyer nga pyetjet. Ajo sepse të kujton atë variantin turk të filmit “Borëbardha me shtatë xhuxhët” që jepej para viteve ’90, në të cilin rolin e mollës së helmatisur e luajnë pyetjet e gazetarëve. E, meqenëse e ka parë filmin, e ka ndarë mendjen të mos e hajë më mollën. 

Përgjigje ndaj pyetjeve ka dhënë kryeministri i cili sqaroi se është ngritur një grup pune që do të hartojnë projekte për infrastrukturën universitare dhe se është vendosur që të financohet modernizimi i saj. Mirëpo çështja është se për cilat fonde bëhet fjalë, sa dhe si do transferohen. Këto janë pyetje shumë serioze të cilave nuk iu përgjigj as ministrja dhe as kryeministri. Ministrja madje këshilloi me shumë dinakëri që lajmi të përpunohet, duke e shoqëruar këtë sugjerim me një përpëlitje sysh dhe një mbyllje gishtash. Fjala nuk binte as në sy e as në vesh në konferencën performative të saj që na sqaroi për ububunë e qeverisë së re: Rama Lamtumirë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.