Tallavaja kushtetuese/Në një faqe firmos kryeministri Edvin, në tjetrën ministër Edveri

Postuar në 18 Janar, 2019 15:35

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë publik sot një qëndrim të vetin për dekretimin e Edi Ramës si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Përmes një statusi në Facebook, Berisha, që ka patur edhe funksionin e ish-presidentit të Republikës, e quan aktin e sotshëm një ditë të zezë për kushtetueshmërinë e Shqipërisë, por pa prekur në asnjë rresht këtu përgjegjësinë e Presidentit aktual, Ilir Meta.  

Kjo është një e premte e zezë në historinë e kushtetutshmërisë dhe triumf i grushtit të shtetit brenda shtetit dhe kjo sepse:

Kushtetuta e Shqipërisë neni 102 pika “d” sanksionon” se kryeministri dhe jo zëvendëskryeministri, “kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë e në ligje”. Me këtë pikë të këtij neni, në arsyetimin më elementar do të thotë se Kushtetuta e kufizon kryeministrin dhe jo zëvendësin e tij, të kryejë detyra të tjera përveç atyre që parashikohen në Kushtetutë dhe ligje.

Kushtetuta ka vendosur pikën “d“ në nenin 102 me qëllimin për të kufizuar kryeministrin, për t'i diktuar atij se vërtet ti je shef i ekzekutivit, por fuqitë e tua kufizohen brenda Kushtetutës dhe ligjit, dhe për ta detyruar kështu me qëllim kryeministrin, që të respektojë parimin e dekoncentrimit të pushtetit ekzekutiv, parim që de facto eleminohet me dekretimin e Edvinit ministër i Jashtëm dhe çel rrugën ipso facto mbi bazën e këtij precedenti, pasi ka kryer grushtin e shtetit brenda shtetit duke eleminuar Gjykatën Kushtetetuese, të marrë çdo portofol tjetër njëlloj si në vende diktatoriale.

Edvin Kristaq Rama, për të marrë portofolin e ministrit të Jashtëm duhet që të amendonte Kushtetutën, e cila qëllimisht nuk ka parashikuar që kryeministri të marrë edhe detyrën e ministrit, por e ka urdhëruar atë se mund të marrë detyra që parashikohen në Kushtetutë dhe ligje. Po keshtu, puçisti Rama mund të merrte detyrën e ministrit të Jashtëm duke amenduar ligjin organik të Këshillit të Ministrave dhe me ligj të autorizonte veten që të merrte edhe detyrë ministrore.

Kushtetuta e Shqipërisë në nenin e saj 100 pika 4 sanksionon se: “Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues.” Kështu që sot e tutje të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë, aktet dhe propozimet e Ministrisë së Jashtme që do miratohen në qeveri, do kenë në njërën anë firmën dhe vulën e kryeministrit Edvin, kurse në anën tjetër firmën dhe vulën e ministrit të Jashtëm Edver. Turp dhe faqe e zezë

shkruan Berisha.

Një interpretim origjinal ky por që nuk dihet pse lë jashtë përgjegjësisë së turpit dhe faqes së zezë edhe presidentin i cili sot foli për një rast të veçantë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.