Si do të duhet të vepronte Presidenti nëse Rama do të propozonte Tom Doshin për ministër të Jashtëm?

Postuar në 16 Janar, 2019 19:40

Socialistët janë hedhur në mësymje të përgjithshme për të këshilluar presidentin e Republikës, Ilir Meta se po bën një gabim të rëndë me mosdekretimin e ministrit të Jashtëm. Me një qasje që manifeston siguri të pambështetur, përfaqësues të PS-së e konsiderojnë çështje të fituar prej tyre në Gjykatën Kushtetuese kazusin nëse kreu i shtetit ka apo jo të drejtë të refuzojë një propozim të kryeministrit. Çdo gjë do të varet nga objekti i ankimit dhe mënyra sesi do të përpilohet ai, por në çdo rast, askush nuk mund të jetë garanci të plota se Gjykata Kushtetuese do të vendosë pro tyre. Vetëm në rast se në këtë gjykatë do të hyjnë si anëtarë njerëz të profilit të Denar Bibës, një militant partiak që mund të firmosë çdo gjë.

Por bindja se Ilir Meta e ka shumë gabim, në fakt tradhëton nervozizmin e shumicës në pushtet për faktin se presidenti ka rritur faturën për kryeministrin duke provokuar debat mbi anonimët e propozuar prej Edi Ramës për ministra. Është e qartë se klima në PS nuk është më ajo që ka qenë. Është e qartë se pakënaqësia ndaj tekanjozit Edi Rama është rritur dhe se vullneti për zëvendësimin e tij është imininent. Ministret e reja, shoqe bashkie nëse na lejohet të përdorim këto fjalë, krijojnë një mjedis acid arrogance që bëjnë çdo përbetim për bashkëqeverisjen të duket si deklaratat e të pirit se është esëll.

Gazetari Mero Baze shkon edhe pak më larg. Ai paraqet për Presidentin e Republikës disa variante që sipas tij e vendosin Ilir Metën në kushtet e emergjencës politike. Së pari, Baze, njësoj si anëtarët e PS-së, është i bindur se Gjykata Kushtetuese do ta kapë në shkelje Presidentin. Dhe në këtë rast ai duhet të japë dorëheqje. Po kështu gazetari në fjalë i sugjeron kreut të shtetit të mos dekretojë as Edi Ramën si ministër sepse…

Dekretimi i mundshëm i Edi Ramës si ministër i Jashtëm do ta rëndonte atë njësoj si mos dekretimi i Cakajt, pasi shkelja bazë e tij qëndron tek mosdekretimi i shkarkimit të Bushatit dhe më pas tek hezitimet dhe refuzimet për emrin e ministrit të ri

Po t’i referohemi idhtarëve të librit “Kurban”, pra të Edi Ramës, kujtojmë se ndër të tjera ky i fundit thotë që Ilir Meta nuk lexon. Dhe ka gjasë që Meta të mos e lexojë as paragrafin më sipër që flet për selektivitetin eventual të Presidentit.

Por e vërteta është se presidenti, edhe ky që ka emrin Ilir Meta, nuk ka tagër refuzimi apriori për propozimet, por sipas rastit. Për këtë është lënë afati 7 ditë.

Për t’u përfshirë edhe ne – modestisht kuptohet dhe vetëm me pyetje – në debatin se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese – shtrojmë një rast që ndoshta apologjetët e PS-së dhe të vrerorsurit Edi Rama mund t’i përgjigjen: A duhet të dekretojë Presidenti aktual Tom Doshin për ministër të Jashtëm?

Po hamendësojmë se z. Rama zgjedh deputetin Doshi për kandidat për ministër të Jashtëm dhe ja çon Ilir Metës. Çfarë duhet të bëjë Presidenti?

Nëse nisemi strikt nga kriteri juridik, z. Doshi plotëson çdo kërkesë pasi ai është deputet. Kat ë gjitha letrat në rregull. Dhe kush është deputet plotëson kushtet për të qenë ministër. Nga ana tjetër, duke lënë mënjanë historinë e z. Doshi me Ilir Metën dhe akuzat për porositjen e vrasjes së tij, kujtojmë se z. Doshi është një person të cilit I është ndaluar hyrja në SHBA për shkak të akteve korruptive domethënëse. Kjo është deklarata e Departamentit të Shtetit. A duhet pra dekretuar z. Doshi si ministër i Jashtëm? Çfarë vlere përfton në këtë rast dekreti i një presidenti: të një akti formal thjesht dhe vetëm juridik siç duan ta thonë ata që janë për presdintin noter, apo ai do të duhet të jetë një dekret që mbështetet me pjesën e arsyetimit politik. Në kushtet e z. Doshi, propozimi i tij për ministër, do të krijonte një situatë provokimi në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, që cilësohet me dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar, si partneri kryesor strategjik.

Por ku qëndron këtu shkelja ligjore, kushtetuese e z. Doshi, apo kryeministrit që e propozon? Asgjëkundi.

Është e qartë se kjo situatë hipotetike e rivlerëson detyrimisht pozicionin e Presidentit si aktor që nuk është aty për të hedhur një firmë, por për të bërë vlerësimin politik dhe institucional, krahas atij kushtetues e ligjor. Dikush flet për një president të politizuar nën emrin e Ilir Metës. Edhe nëse është kështu, çfarë mund të themi për një Kuvend që do të votonte çdo gjë që do t’i vinte nga kryeministri? Çdo gjë.

Marrëdhënia ndërinstitucionale për procesin e emërimit të një ministri në të vërtetë shërben edhe për të korrigjuar atrofizimin e hallkave që marrin pjesë në proces, atrofizim që është i dukshëm. Ndaj ata që bërtasin se refuzimi i dekretit është shkelje kushtetuese ndoshta duhet të japin përgjigje edhe për rastin që sollëm më lart. Gjykata Kushtetuese e radhës, nëse krijohet si Prokuroria e Arta Markut mund të thotë çdo gjë, por të gjithë shohim se refuzimi i trilleve të një kryeministri me axhendë personale, është më i dobishëm dhe më legal sesa kjo që po ndodh pas mureve të një Kushtetute të cilës po t’i heqësh frymën e saj, mbetet një letër bakalli.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.