Mposhtja e historisë dhe një dështim monumental i kryeministrit në modë në vitet '2000

Postuar në 09 Janar, 2019 05:42
Fabrizio Bellomo - La Repubblica

Çfarë do të ndodhte nëse ndërtesat e arkitekturës fashiste bareze do të fillonim t’i shembnim? Nëse pallatet në lungomaren monumentale do t’i hidhnim përtokë ose nëse këtë fund do ta kishin ndërtesa e njohur si Casa del Portuale (Shtëpia e Portit) apo Casa del  Mutilato? Me shumë gjasa, asgjë. Ndërtesat fashiste të qytetit tonë, njësoj si ato të Asmaras (sot në listën e trashëgimive të njerëzimit), Tripolit, Rodit, Adis Abebës, Tiranës, janë ngritur në të njëjtën periudhë koloniale, gjatë të cilës Bari ishte një prej pararojave të imperializmit italik.

Musolini gjatë eventit në Fiera del Levante* në vitin 1934, tha:

Në mënyrë të veçantë popujve të Lindjes, që janë kaq pranë nesh, me të cilët kemi pasur kontakte për shumë shekuj me radhë, unë u them: Kini besim te revolucioni i Italisë fashiste. Le të shkëmbejmë mallra dhe ide!

Në Tiranë (që rezulton më afër se Leuca), një kompleks i madh kulturor i epokës koloniale italiane, Teatri Kombëtar (projektuar nga arkitekti Luigi Berte), po përgatitet të shembet.

Për vendin fqinj, mosmarrëveshjet e tyre i kalojnë kufijtë: Si për të konfirmuar çimentosjen e Tiranës, kryeministri Edi Rama u drejtohet “yjeve” të ndryshëm të arkitekturës, mes të cilëve Stefano Boerit, ndërsa ata të cilët janë kundër u drejtohen më shumë mediave të huaja se atyre kombëtare për të vënë në lëvizje opinionet e tyre.

Kjo është një rrjedhojë e natyrshme për një vend, diaspora e të cilit ka një përqindje jo të vogël. Në këtë kontekst, Italia dhe Pulia rrezikojnë të kalojnë nga të qenit pika të rëndësishme referimi, te një rol “i maskuar” dhe pothuajse pa ndikim, sidomos kulturalisht, për brezat e rinj. Ne barezët, njësoj si banorët e Tiranës, në epokën e fashizmit kemi qenë të “kolonizuar” nga modele arkitektonike me të cilat jemi afeksionuar në mënyrë të pakthyeshme. Ato janë sot pjesë e historisë tonë.

Asaj tonës, njësoj si të atyre, pavarësisht se në atë kohë ishin një shembull homologimi arkitektonik (çfarëdo që mund të thuhet dhe duke lënë mënjanë teoritë e C.E Rava). Dhe kjo është arsyeja pse ajo që po ndodh në Tiranë nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por ka të bëjë edhe me ne. Kjo sepse për t’u dhënë kredibilitet zgjedhjeve të tilla, edhe këtu në Bari, përdoren disa personalitete të caktuara, madje në rastin konkret edhe vetë Boeri (përveçse është përgjegjësi për masterplanin e Tiranës, shpesh edhe ështëkonsultuar për raste të ngjashme bareze. Për konkursin e ideve të lungomares qendrore, p.sh., ishte kryetar jurie). Duke qëndruar sërish te Tirana, stadiumi i epokës fashiste, i projektuar nga Gherardo Bosio, ai që mban emrin “Qemal Stafa”, u prish për t’i hapur vendin një kompleksi të ri sportiv (pjesë e të cilit është një gratacelë me një hotel, një qendër tregtare dhe një sallë multifunksionale), me firmën e studios “Archea Associati”, autorë të rikonstruksionit të tregut të San Lorenzos në Firence (i cili është kthyer nga një treg historik popullor në një “lodër” për turistët me zinxhir dyqanesh të rrjetit Eataly si aneks).

Pra, shembja e Teatrit Kombëtar, me shumë gjasa do të ndjekë modelin e stadiumit. Këto çështje nuk i përkasin asnjë zone në veçanti, sepse transformimi në proces e sipër është kudo i njëjtë: u lihet fusha më e gjerë e veprimit mundësive që sjellin fitim, duke pasur si përfitues kryesor një klient universal, derivat i botës së globalizuar, që kërkon kudo, të njëjtat përvoja.

Në Tiranë është mbledhur një komision aktorësh, regjisorësh, intelektualësh që e gjejnë veten çdo ditë, prej muajsh, në oborrin e Teatrit Kombëtar për të shprehur kundërshimin e vet: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Siç ndodh shpesh në situata të ngjashme, promotorët e së resë kanë nisur prej kohësh ta diskreditojnë Teatrin Kombëtar në sytë e popullit, në mënyrë që të ndërtojnë njëfarë konsensusi për atë që do të ndërtohet në vend të tij.

Teatri tashmë është i vjetër dhe i rrezikshëm, për ta ndërtuar janë përdorur materiale të rrezikshme”.

Kujtoj këtu problematikat e mikrokriminalitetit që u lanë të fermentoheshin në “Stecca degli Artigiani”, në lagjen Isola di Milano, në dhjetëvjeçarin e parë të mijëvjeçarit të ri.

Kjo bëhej për të justifikuar shembjen e asaj që ishte një tjetër vepër arkitektonike që duhej ruajtur, për t’i lënë hapësirë kullave të dizajnit modern, në të cilat banojnë blogerë të modës dhe fëmijët e të pasurve. Në rastin e Teatrit Kombëtar, plani i rikonstruksionit përfshin përveç një teatri të ri, edhe këtu disa kulla. Këto transformime, siç thuhet, janë pjesë e një fenomeni global shpesh të identifikuar me termin në anglisht gentrification.

Në Tiranë, habia qëndron si te shpejtësia me të cilën ky fenomen ndodh, edhe te mungesa e plotë e dialogut që kryeministri i vendit, një ish-artist, Edi Rama, u servir këtyre  "disidentëve". Një kryeministër me marrëdhënie të shkëlqyera me disa yje të kulturës ndërkombëtare – që, megjithatë, u mohon mundësinë e dialogut pikërisht atyre artistëve dhe intelektualëve vendas, të cilët duhej të ishin grupi i parë i referimit për të. Një kryeministër, i cili gjithnjë e më shumë duket se e sheh qytetin e Tiranës si telajon e tij, ku mund të pikturojë. Një kryeministër dhe një kryeqytet që, pasi ndezën kureshtjen e të gjithë intelektualëve ndërkombëtarë në “vitet zero”, tani po shndërrohen në dështimin e parë monumental të asaj të shumëpriturës "fantazisë në pushtet". Të bësh indiferentin, si barezët,  për këtë çështje - do të ishte sikur të rrije pa folur për të ardhmen e ndërtesave monumentale përgjatë bregdetit tonë.

*Fiera del Levante – event i përvitshëm promovues në Itali prej 82 vitesh. Në edicionin e vitit 1934, Benito Musolini inauguroi disa vepra të arkitekturës së fashizmit 

Burimi: La Repubblica

Përktheu: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.