Bllokimi i basteve online, një rast ilustrues, një gabim i AMLF-së

Postuar në 09 Janar, 2019 13:33

AKEP ka njoftuar më 4 janar bllokimin e menjëhershëm të disa domaineve/faqeve web bazuar mbi kërkesën e AMLF, duke qenë se konsiderohen si aktivitet i jashtligjshëm i basteve online. Dhe pa asnjë dyshim pothuajse të tëra këto domaine janë të tilla. Nuk është i qartë cili është verifikimi që bëhet në këto raste apo kush denoncon/informon për një adresë por mund të vihet re që në listën e domaineve që duhet të bllokohen është dhe një kompani e regjistruar dhe e licensuar nga AKEP për aktivitet në tregun e Internetit. WebHost sh.p.k. është licensuar më 2013 dhe ofron shërbimin e rregjistrimit të domaineve të tipit .al. U interesuam pranë AKEP dhe kontaktuam Drejtorinë e Drejtorisë së Autorizimeve, z.Jetmir Braha i cili pohon per Tv TemA kërkesën për bllokim të adresës web të Webhost sh.p.k.. “Faqja e tij dhe mbi 100 faqe të tjera janë kërkuar për mbyllje nga AMLF. Ata na kanë dërguar një listë me emra domainesh për t’i mbyllur pasi me anë të atyre domaineve kryhet aktivitet i jashtëligjshëm dhe ne e kemi zbatuar me pikë dhe presje, pasi s’kemi të drejtë ta ndryshojmë”, është shprehur Braha.

Aktualisht shoqëria WebHost sh.p.k. nuk mund të zhvillojë aktivitetin e saj të biznesit si pasojë e këtij bllokimi, që prej datës 4 janar 2019. Pra e thënë më qartë asnjë klient i ri por dhe ata ekzistues nuk kanë të drejtë të operojnë mbi domainet e tyre të rregjistruara pranë shoqërisë në fjalë. Kjo vjen si pasojë dhe e mënyrës që ISP-të zgjedhin për të realizuar bllokimin, i cili konsiston në “obskurimin e plotë” të domainit nëpërmjet DNS-së, dhe jo bllokimin e saktë të adresës së kërkuar nga AKEP. Duket si një gabim teknik por Braha sqaron se “jo, për AKEP nuk është gabim, por është AMLF që duhet të sqarojë subjektin se përse është futur në këtë listë. Por nga një verifikim i thjeshtë dukesh që në faqen e tij ekzistonte edhe mundësia për të shkuar në një domain tjetër që lejon lojërat e fatit dhe ka mundësi të jetë kjo arsyeja se përse është futur në listë. Nëse  AMFL-ja na kërkon ta zhbllokojmë ne do e zbatojmë”.

Konkretisht, adresa e kërkuar për bllokim është webhost.al/domain/bet111.al. Po të provosh ta aksesosh sot këtë adresë është e pamundur nga shumica e ISP-ve shqiptare (AKEP konfirmon bllokimin e plotë, të paktën sipas raportimeve nga ana e ISP-ve por nuk patëm mundësi të testonim të tëra). Por me pak njohuri teknike është e mundur të aksesohet serveri i webhost.al duke përdorur një proxy të huaj dhe duke përdorur “tvt.al” (domaini i Tv TemA ) në vend të “bet111.al”, del një faqe informative mbi këtë domain, ku jepet dhe data e rregjistrimit, dhe ajo çka pohon z. Braha mbi “mundësinë për të shkuar në një domain tjetër që lejon lojërat e fatit” është asgjë më shumë se thjesht informacioni bazë mbi domainin. Në terminologjinë e Internetit kjo quhet shërbim “whois” dhe ofrohet nga çdo rregjistrar në mbarë botën.

Ky rast i veçantë, që duhet të pranojmë mbart disa problematika teknike aspak të njohura për publikun e gjerë dhe jo vetëm, tregon qartë që AMLF ka shumë punë për të kryer për të rritur nivelin teknik në përmasat e duhura për betejën kundra informalitetit në tregun e basteve sportive si dhe për të shmangur raste qesharake si ky i mësipërmi, pa folur këtu për dëmet që i shkaktohen privatit.

Pas këtij denoncimi ka reaguar AMLF dhe AKEP. Nëpërmjet një emaili AKEP ka kërkuar ISP-ve vendase (ku përfshihen dhe operatorët mobile) që të heqin menjëherë bllokimin e shoqërisë WebHost sh.p.k.. AKEP konfirmon që AMLF e ka njoftuar sot paradite për vendosjen e gabuar të WebHost sh.p.k. në listën e faqeve për bllokim dhe si i tillë bllokimi duhet hequr.

Bllokimi apo çensurimi i faqeve internet është një sfidë e shumë qeverive nëpër botë. Në veçanti bllokimi i pjesshëm i kontentit paraqet sfida të mëdha teknike me kosto të lartë për ISP-të. Por gjithashtu bllokimi i faqeve është dhe një temë e nxehtë për shkak se shpesh, pushtete të tipit autokratik, e përdorin si mekanizëm për të ndaluar opozitën që gjithmonë e më shumë tashmë realizohet në internet, në formën e faqeve, portaleve apo mediave sociale. Raste të debatueshëm ka pasur plot, ndër më të bujshmit mund të përmendim atë të Turqisë kur kryeministri (i atëhershëm) Erdogan tentoi një bllokim të Facebook e Twitter. Kjo solli debate të brendshme në Turqi ku një ndër figurat që u shfaq kundra kësaj mase ishte presidenti Gul, i cili shfaqi opinionin e tij në Twitter duke treguar që kishte anashkaluar dhe bllokimin.

Por rasti aktual i Shqipërisë është i ndryshëm dhe po të krahasohet me atë të mbylljes së portaleve në tetor 2018. Mbyllja e faqeve që ofrojnë lojra fati të paligjshme ka qenë gjithmonë në fuqi, pavarësisht se entet përkatëse nuk e ndiqnin asnjëherë si problematikë dhe e vetmja faqe e licencuar në Shqipëri për lojra fati on-line ka qenë Bastarena. Kur Edi Rama erdhi në pushtet ai ndërrmori një nismë të tillë në tetor-nëntor 2013 por që u harrua shpejt. Atëherë "armiku" ishin faqet kineze apo bet365 (çuditërisht nuk u fol asnjëherë për faqet vendase gjithashtu të paligjshme), sot janë faqet kryesisht vendase. Rama ka deklaruar shpesh që humbja e ekonomisë nga bastet e paligjshme kap shifra të frikshme, deri në 720 milione euro në vit. Me ndryshimet e ligjit "Për lojërat e fatit" të fundvitit 2018 që solli mbylljen e plotë të salloneve të basteve sportive, i tërë fokusi është tashmë në aktivitetin online ku mendohet që do të spostohet i tërë aktiviteti i basteve sportive, por jo vetëm, duke qenë se dhe lojërat e tipit kazino janë tashmë të mbyllura.

AMLF ndodhet përballë përgjegjësisë për të vepruar. Koha do të tregojë nëse do të mjaftojë vetëm angazhimi i kryeministrit Rama dhe sa efikase do të jetë kjo betejë e tija me paligjshmërinë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.