Sprova e parë e ministrit të ri të Jashtëm, në mesin e janarit

Postuar në 08 Janar, 2019 14:03

Shqipëria hyn këtë vit në një etapë të rëndësishme për integrimin europian. Në qershor të këtij viti është premtuar çelja e negociatave për anëtarësim nëse vendi do të plotësojë disa kushte dhe do të sigurojë besimin e vendeve anëtare. Në këtë kuadër, sot Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka drejtuar një letër Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, Nicolae Liviu Dragnea dhe Presidentit të Senatit të këtij vendi, Calin Popescu Tariceanu përmes së cilës kërkon mbështetjen e këtij vendi që merr presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian.

Ai ka ftuar dy zyrtarët që të vizitojnë Shqipërinë për të parë nga afër arritjet e saj. 

Lobimi politik hyn tanimë në një fazë vendimtare dhe ai është patjetër i lidhur ngushtësisht me atë që po ndodh mes Serbisë dhe Kosovës dhe rolin e Shqipërisë në të. Përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë bërë të qartë se ata favorizojnë një marrëveshje, qoftë ajo marrëveshje e korrigjimit apo shkëmbimit territorial. Kjo është e vërteta që duket. Në këtë kuadër qasja miratuese e Edi Ramës për ndryshimin e kufijve dhe për një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës merr tjetër kuptim. Zoti Rama nuk është njeri i planeve dhe strategjive që kërkojnë punë. Ai ndjek një politikë të jashtme instinktive që konformon qëndrimin me kërkesat e faktorëve të huaj për të marrë diçka në këmbim.

Shqipëria ka ofruar kështu të mos bëhet problem i shtuar kundër një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës, ajo nuk ka vërejtje për Marrëveshjen e Prespës dhe mban të hapur kanalin e disikutimit me Greqinë.

Mirëpo aktualisht ka një krizë në miniaturë që konsumohet me eksperimentin personal të z. Rama në Ministrinë e Jashtme, ku si ministër është propozuar një njeri për të cilin nuk gjendet as edhe një cv. Ndodh kjo ndërkohë që në mesin e muajit janar në Shqipëri do të vijnë ministrat e Jashtëm të Italisë, Enzo Moavero Milanesi, ai i Gjermanisë, Heiko Mass dhe ministri hollandez, Stef Blok.

Mbetet për t’u parë sesi do të përfaqësohet Shqipëria në këtë tur intensive takimesh dhe lobimi me një ministër të ri, i cili mundet edhe të emërohej pas qershorit me ç’rast do të kishte mundësinë të lexonte edhe ca libra të tjerë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.