Ka ende të lëkundur në Shqipëri?

Postuar në 27 Dhjetor, 2018 16:59

Partia Socialiste ka publikuar kalendarin e veprimtarive të strukturave për periudhën deri në zgjedhjet lokale. Janë disa pika që kanë të bëjnë me organizimin dhe aktivitetin elektoral. Një ndër pikat thotë se duhet një punë intensive sqaruese në vijimësi dhe me intensitet me qytetarët, sidomos me të Lëkundurit.

Shikoni sa këmbëngulëse është kjo fjali. Punë me njeriun duke shpikur kategorinë e të lëkundurve. Ky plan ngjan disi joreal. Qoftë edhe sepse tashmë edhe kryeministri i Shqipërisë, Kryetar i Partisë Socialiste është lëshuar në revanin e protestave. Populli del e proteston kundër tij dhe hajdutërisë në grup të qeverisë së tij, pra socialistëve. Ai thjesht trazohet me protestuesit dhe bëhet lider i tyre. Por këtu nuk ka të lëkundur. Protestuesit në vetvete janë kundër qeverisë, jo të lëkundur. Ata mund t’i lëkundër Edi Rama, sidomos nëse do t’u japë rastin ta njohin nga afër. Sepse lëkundja është tipari i tij.

Nuk dihet kujt i referohet ky dokument, madje është apo jo i vërtetë ai ka dyshime. Në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit, Erjon Veliajt dhe bashkimëve që marrin miliarda nuk besohet të ketë ende të lëkundur. Ka shqiptarë që duan të ikin ose të rrinë. Që duan të merren me hashash, ose jo, që duan të luajnë kumar ose jo. Ka shqiptarë që hanë qofte ose i kanë inat ato. Ka një shumicë konsensuale se politikanët me këtë, çe ka ky Kryeministri i tanishëm në krye, janë hajdutë dhe kaq. Hajdutë. Sikundër ka një shumicë që duan edhe të vjedhin vetë po t’u jepet mundësia.

Nuk ka hapësirë për të lëkundur këtu. Nuk ka sidomos zgjedhës të lëkundur. Ka patjetër zgjedhës që urrejnë kërmën e politikës shqiptare, por edhe votues që nuk kanë asnjë ofertë. Shpikjet e një partie që po rrjep të gjithë shqiptarët janë eufemizma që ndoshta fshehin tjetër gjë. Por jo shqiptarin dominues të sotshëm që thjesht nuk e sheh dot me sy Politikanin. Që i ka rënë për hise të shohë ngado surratin e kryeministrin dhe të vetëve përditë, në rrjete sociale, tv portale. Kudo. Që ndjejnë pazaret e tij me 3-4 të tjerë. Që flasin e flasin për të mirën tonë ndërkohë që vetëm po t’u shohësh veshjet e tyre dhe të familjarëve, vilat që kanë e kupton se u kanë mbetur vetëm luspat e arit mbi lëkurë. Cilët janë këta të lëkundur moj Partia Socialiste që do na vish derë më derë si ata dëshmitarët e Jehovait, të qeshur dhe të përhumbur në një botë tjetër nga realja: ata në atë të Zotit ju në atë të Hajdutërisë?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.