Kushtetuta shqiptare dhe efektiviteti në mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Postuar në 24 Dhjetor, 2018 11:38
Robert Gajda*

Është emblematike paraqit ja e Charli Chaplin në filmin tashmë klasik “Kohët Moderne”, në të cilin Sharloti endet rrugëve të Amerikës i lirë, por i pazotë ta gëzojë lirinë e tij, pasi i papunë, i pastrehë, i pangrënë, me pak fjalë i pashpresë dhe e vetmja mënyrë efikase që ka për ta përdorur këtë Liri është ta japë atë në këmbim të një strehe, një shtrati dhe një vakti të ngrohtë, të cilat i gjeti me shumë bujari prapa hekurave të një qelie.

Kjo është sfida e shtetit sot, mirëqenia e qytetarëve të tij, nëpërmjet garantimit të të drejtave sociale, pikërisht atyre të drejtave që bëjnë të mundur gëzimin e lirisë individuale, e cila pa këto të drejta do të ishte jodinjitoze.

Por, pavarësisht natyrës së filmave fantazi, një nga elementet më të forta garantuese të lirisë dhe të të drejtave të njeriut është Kushtetuta dhe historia e konstitucionalizmit të shtetit shqiptar deri më sot e provon më së miri këtë dhe për këtë do të flasim në pjesën e parë të kësaj trajtese. Ndërsa në pjesën e fundit do të diskutojmë nëse ekzistojnë probleme me efektivitetin e parimeve kushtetuese në situatën aktuale.

Materia dhe trashëgimia kushtetuese shqiptare Ndryshe nga ç‘mund të mendohet, materia kushtetuese e Shqipërisë është po aq e vjetër sa vetë shteti shqiptar dhe daton jo më shumë sesa një vit nga vetëdeklarimi i Shqipërisë si shtet më vete. Kuptueshëm, trashëgimia e parë lindi si produkt kontributesh ndërkombëtare, por nevoja për ndërtimin e një shteti të ri bashkërisht me frymën kushtetuese është e padiskutueshme, edhe pse kushtetutat në Europë akoma nuk e kishin konsoliduar ekzistencën e tyre dhe efektivitetin në shoqëri. Statuti i Lushnjës: një dallëndyshe kushtetuese

I miratuar në 8 dhjetor 1922, si një produkt kushtetues me nismë dhe vullnet krejtësisht shqiptar, Statuti i Zgjeruar i Lushnjës shpreh krejtësisht aspiratat dhe mjetet më të mira demokratike dhe liberale të ngurtësuara në një akt juridik themeltar. Statuti i Zgjeruar i Lushnjës është ai që në terma kelsianianë do të konsiderohej Kushtetuta Historike e Shqipërisë, e cila praktikisht shërben si bazë vlerash dhe parimesh udhërrëfyese për çdo Kushtetutë të ardhshme, të pranuar bashkërisht. Janë të shumta të drejtat dhe parimet themelore të organizimit shtetëror që trajtohen aty: ndarja e pushteteve, parimi demokratik, shteti liberal dhe shteti i së drejtës, garancitë e gjyqësorit si edhe strukturën dhe konceptimin e Kushtetutës së fortë apo vështirësisht te modifikueshme. Është surprizuese dhe njëkohësisht ngushëlluese kur shikon ngjashmërinë e Statutit të Zgjeruar të Lushnjës këtu e 96 vjet më parë dhe Kushtetutës aktuale, me po të njëjtën frymë vlerash e parimesh themelore në ndërtimin e një shteti në respekt të të drejtave të njeriut. Pa hezitim mund të thuhet që Statuti i Zgjeruar i Lushnjës është dallëndyshja kushtetuese, e cila i hap rrugën Republikës shqiptare për herë të parë në historinë tonë. Por, pa hezitim duhet thënë që kjo pranverë kushtetuese u shoqërua me një autoritarizëm monarkik dhe një dimër komunist që nuk lejuan përvetësimin në thelb të Kushtetutës.

Kushtetuta

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (këtej e tutje KSH) është akti kushtetues, i cili pasoi një kushtetutë provizore, që ishte në fuqi për rreth shtatë vite: një akt i plotësuar në kohë të ndryshme, por duke pësuar dhe modifikime. Një nga këto plotësime parashikon dhe ndërton për herë të parë në historinë kushtetuese të Shqipërisë Gjykatën Kushtetuese, e cila që në fillim ushtron funksionin e saj dhe fillon të shprehë mendimet e para juridike kushtetuese. E pajisur me shumë kompetenca, të cilat pothuajse i përdor të gjitha gjatë 6 viteve, ajo rrezikoi ekzistencën e saj si në një konflikt të hapur me Kuvendin ashtu edhe në debatin kushtetues, në rastet kur kushtetutëbërësit flisnin për Gjykatë Supreme të tipit amerikan, duke e shkrirë Gjykatën Kushtetuese me Gjykatën e Kasacionit.

Kushtetuta shqiptare, produkt i disa faktorëve që bashkëpunojnë, është një akt themeltar ashtu si edhe simotrat e saj në Europë, por ka një mangësi të madhe: pretendon efektivitet dhe zbatim në një shoqëri dhe klasë politike që njohin dhe përdorin një vetëdije minimale kushtetuese dhe ligjshmërie. Dhe në fakt, forca e një Kushtetute këtu qëndron tek efektshmëria e saj.

Me gjithë problemet e tranzicionit dhe të një kaosi shkatërrimtar të të gjithë strukturës shoqërore dhe shtetërore, por jo politike, miratimi i Kushtetutës së Shqipërisë dhe dekretimi i saj në datën simbolike të 28 nëntorit konsolidoi forcën e saj dhe pasurohet me parashikime dhe garanci të reja. Pa dashur të shpjegoj të gjithë strukturën e saj komplekse, përveç organeve klasike të një shteti me tipare demokratike shtohen dhe garancitë e të drejtave të njeriut, duke parashikuar organe garancie më të strukturuara si edhe krijimi për herë të parë i institucionit të Avokatit të Popullit si një mjet, por dhe si një trend europian i vendosur jo në mënyrë rastësore, menjëherë pas katalogut të gjerë të të drejtave.

Të drejtat e njeriut dhe sfida me të drejtat sociale

ndërtimin kushtetues të një shteti është ai i mbrojtjes, garantimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut. Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë në ekzistencën e saj që gjithmonë të drejtat e njeriut janë qëllimi dhe struktura juridike dhe shtetërore është instrumenti që shoqëria përdor për ta arritur këtë qëllim të sajin. Sfida është e dyfishtë, nga njëra anë të drejtat dhe liritë individuale si substanca e qenies dhe dinjitetit njerëzor dhe nga ana tjetër, të drejtat sociale si domosdoshmëri e pashmangshme e mirëqenies individuale dhe shoqërore dhe garancia e duhur për gëzimin e të drejtave themelore të njeriut. Në bazë të të drejtave sociale qëndron parimi i barazisë, jo ai i barazisë formale, as ai i barazisë absolute, por ai i barazisë thelbësore, garantimi i shanseve të barabarta ku detyrë e Shtetit është që të lëvizë të gjitha barrierat ekonomike dhe shoqërore, ndërsa detyrë e shoqërisë është që të tregojë solidaritet, tolerancë dhe gjithëpërfshirje.

Pushteti gjyqësor si mbrojtësi natyror 

Të drejtat asnjëherë nuk duhen dhënë të mirëqena sepse pikërisht momenti kur individët dhe shoqëria e bëjnë një gjë të tillë, atëherë liritë dhe të drejtat e tyre janë në rrezik. Të drejtat duhen garantuar në përditshmëri dhe duhen pretenduar në vazhdimësi. Mbrojtja e tyre nuk kërkon një sforco momenti, por një impenjim të përhershëm.

Pikërisht për t’i bërë këto garanci efektive, rendi juridik parashikon pushtetin gjyqësor, i cili është aty si mjeti më i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Garancia që individi ka! Jo vetëm nga individët e tjerë dhe nga shoqëria, por edhe nga vetë shteti, pasi ky i fundit ndodhet gjithmonë në një pozicion paradoksal: nga njëra anë është mbrojtësi më i madh i të drejtave të njeriut, por nga ana tjetër është dhe shkelësi më i madh i tyre. Sidomos pushteti politik dhe administrativ i tij.

Prandaj dhe pushteti gjyqësor merr një rol kyç në strukturën shtetërore, pasi në sajë të pavarësisë dhe paanshmërisë që duhet të ketë, është mbrojtësi ynë natyror nga të gjitha llojet e shkeljeve që u bëhen të drejtave tona si nga privatët, ashtu edhe nga pushteti publik. Sot ndodhemi përpara një përpjekjeje shumë të madhe për ta bërë këtë pushtet të efektshëm dhe mbrojtës të vërtetë të të drejtave tona, pasi çdo veprim është i destinuar të jetë i padrejtë nëse nuk qëndron një gjykatë e caktuar me ligj që në mënyrë profesionale, me paanshmëri dhe sens drejtësie të përcaktojë përfundimisht kush ka të drejtë mbi çfarë, kush është përgjegjës për çfarë.

Gjykata Kushtetuese si mbrojtëse e jashtëzakonshme

Në këtë kuadër garancish shtohet dhe roli i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka jo vetëm kompetenca në mbrojtje të Kushtetutës në kuptimin institucional, por edhe garantit përfundimtar të të drejtave tona kushtetuese. Një mjet i jashtëzakonshëm, por i mprehur për të qenë efektiv. Një organ midis garancisë së ekuilibrave institucionalë dhe mbrojtës të të drejtave, gjykatë konfliktesh dhe të drejtash.

Është interesant rikonsiderimi i herëpashershëm i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mbrojtjen e saj të të drejtave të njeriut dhe raportin me individët. Në kohën e Kushtetutës Provizore, mundësi e plotë për të garantuar të drejtat e të gjithëve duke i lejuar çdokujt që t’i drejtohet asaj. Fatkeqësisht, shumë pak e përdorur pasi akoma individët nuk realizojnë forcën e institucioneve dhe nuk ndërtojnë besimin kundrejt tyre. Shtojmë këtu edhe një kufizim i mbrojtjes të të drejtave kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, duke e garantuar ndërhyrjen e saj vetëm për të drejtat procedurale dhe kryesisht ato gjyqësore. Një lloj mbikëqyrëse e pushtetit garantues të të drejtave të njeriut, gjyqësorit.

Ky kufizim cungonte dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese si mbrojtëse e të gjitha të drejtave kushtetuese, pasi nuk e lejonte Gjykatën Kushtetuese edhe me vetë pazotësinë e saj për interpretime të guximshme, që të thellohej në substancën e të drejtave themelore të njeriut përtej atyre procedurale. Së fundmi, me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016, rikthim dhe njëherë në kohën e Kushtetutës Provizore duke i njohur të drejtën çdo individi që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e të gjitha të drejtave të tij kushtetuese, jo vetëm kundrejt akteve administrative dhe gjyqësore, por edhe kundrejt vetë ligjit, i cili shpesh ai vetë është në shkelje të të drejtave kushtetuese e për rrjedhojë, të vetë Kushtetutës.

Një shans i humbur këto vite, pasi GJK-ja nuk është thjeshtë mbrojtëse e ekuilibrave dhe e të drejtave, por funksioni i saj është edhe të mbushë juridikisht shumë koncepte kushtetuese, të cilat pa vendimet e GJK-së rrezikojnë të mbeten koncepte të bukura, por të pakuptimta dhe subjekte interpretimesh të pafundme pa një bazë solide arsyeshmërie.

Ndryshimet kushtetuese të 2016-ës sjellin dhe një zgjerim mbi mundësinë e lëvizjes së GJK-së, duke parashikuar edhe të drejtën e çdo Komisioneri të krijuar me ligj në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Disa nga këto organe i gjejmë tashmë në rendin juridik të parashikuar me ligje të posaçme në mbrojtje të disa të drejtave themelore kushtetuese, e drejta informimit, e drejta e jetës private dhe e drejta për barazi dhe për shanse të barabarta, institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Autoritete të krijuara nën shtysën dhe kushtet e BE-së, por me një qëllim të qartë për një mbrojtje efektive të të drejtave të njeriut. Këto përbëjnë një hap të rëndësishëm i Shqipërisë drejt mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut, duke u dhënë kështu qytetarëve instrumente shtesë për të përdorur.

Është pikërisht ekzistenca e këtyre organeve në rendin kushtetues dhe juridik që afron vendin tonë me aspirata perëndimore në familjen e madhe europiane. Por jo gjithmonë roli i tyre ka qene i konsoliduar dhe jo gjithmonë strukturat publike i kanë kuptuar. Prandaj, sfidë e këtyre institucioneve është krijimi i besimit te publiku dhe përpjekja e përditshme dhe e vazhdueshme për të ndikuar efektivisht në veprimtarinë e organeve shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ajo që të gjithë organet në mbrojtje të të drejtave duhet të frymëzojnë, është pikërisht besimi. Besimi që qytetarët duhet të kenë te këto organe. Por besimi nuk krijohet nga hiçi, ai ndërtohet me aktivitetin e këtyre organeve, i cili duhet të jetë përherë i paanshëm, objektiv, produkt i arsyes dhe gjithmonë në mbrojtje të më të pamundurve. Besim që sot shqiptarët e kanë si përherë tek institucione jashtë vendit të tyre dhe më specifikisht, sot në Gjykatën Europiane të të Drejtave të njeriut.

Duhet të bëjmë që ky besim të injektohet plotësisht tek organet tona shtetërore. 3 konsiderata 1. Sistemit garantues dhe efektiv të të drejtave të njeriut i ka humbur komponenti i rëndësishëm mbrojtës kushtetues. Për herë të parë në historinë e drejtësisë kushtetuese shqiptare rendi ynë kushtetues kaa mbetur pa gardian. Në këtë vit ne nderojmë 20 vjet Kushtetutë moderne në Shqipëri, por ky sot është një jubile i hidhur. Nëse Kushtetuta është gardiania e të drejtave tona, Gjykata Kushtetuese është gardiania e Kushtetutës.

2. Garanti tjetër natyror është duke lënguar dhe ky lëngim përçohet direkt në jetët e qytetarëve, në qëllimin ekzistencial të tyre, në mbrojtjen e të gjitha të drejtave të tyre. Reforma në Drejtësi nuk duhet të jetë më kosto, por tashmë duhet të japë fruta dhe pushteti gjyqësor duhet të fillojë të fitojë besimin në shoqëri.

3. Një nga përkufizimet e Kushtetutës është i tillë: Kushtetuta është pakti social, është marrëveshja politike, është arsyeja më e lartë juridike, shprehje supreme e së drejtës së aplikuar. Si rrjedhojë, çdo ndryshim që i bëhet, çdo reformë kërkon vetëm një faktor të thjeshtë dhe të paanashkalueshëm për të bërë të mundur efektivitetin e saj: Dialogun, konsensusin politik dhe shoqëror. Ky konsensus nuk lidhet vetëm me miratimin e një akti, kjo s’është veçse një fazë e parë, por mbi të gjitha lidhet me të gjithë vazhdimësinë e jetës Kushtetuese dhe me zbatimin e saj me apo pa ndryshime. Vetëm në këtë mënyrë Kushtetuta merr kuptim, krijon besim dhe ndikon efektivisht në shoqërinë që pretendon të konstituojë. Gjithmonë konsensusi mund dhe duhet të vendoset në bazë të vlerave për t’u promovuar dhe të drejtave për t’u mbrojtur.

Në mbyllje, duke rikujtuar filmat tashmë klasikë të Çarli Çaplin, shoqëria njerëzore duhet t’i trembet një mundësie hipotetike, në të cilën edhe kur i shkelin formalisht të drejtat e tua, të jesh i kënaqur me të drejtat që të ofron burgu. Të drejtat e njeriut janë të të gjithëve dhe të gjithë duhet t’i mbrojnë.

*Doktor i Shkencave Juridike dhe Komisioneri Shqiptar për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.