"Edi Rama e ka kuptuar..." - del garant Sokol Balla

Postuar në 22 Dhjetor, 2018 19:12

Sokol Balla ka publikuar sot një opinion në javanews.al që e titullon: Qeveria e re që lind për Krishtlindje.

Ballës, një gazetar që rron profesionalisht për vanitetin, i pëlqejnë frazat që “ngjisin” dhe godasin. Ndaj edhe ky titull krijon idenë se Edi Rama, kryeministri ynë i veçantë, po na bën një dhuratë shpirtërore për Krishtlinjde: një qeveri të re.

Nëse lexon panegjirikun e Ballës, atëherë shkrimi mund të riformulohej në titullin: Edi Rama e ka kuptuar.

Çfarë ka kuptuar Edi Rama? Na e thotë Balla që është zëdhënësi në distancë i kryeministrit dhe që ndan një admirim të hapur për të si tiransi me tiransin. Ca vezë të Endri Hasës i kanë dhënë të kuptojë Ramës është i vetmuar, skandalet e Astirit i dhanë të kuptojë se duhet të merret me letrat zyrtare dhe jo piktura, apo edhe protesta e studentëve që la pas mësimin se vendi nuk qeveriset me statuse dhe meme.

Balla e çon deri në fund nderin ndaj lexuesit kurioz shqiptar, kur na jep ca informacione shtesë ai na thotë se përveç rendit, mbrojtjes dhe dipomacisë, çdo ministri do të preket nga ndryshimi. Arsyeja: Edi Rama nuk mund të marrë mallkimin e të gjithëve mbi supe.

Ai nuk është Krishti që duhet të kryqëzohet për mëkatet e ministrave. Ai është perëndia vetë që urdhëron përmbytjen e madhe dhe shpëton vetëm nja tri Noe të përzgjedhur që i janë bindur atij pa bërë lojërat e veta. Ka edhe më: Edi Rama ka vendosur të qeverisë me Sandër Lleshaj në çdo sektor, me anonimë politikë që i njeh me sy, i percepton vetë, që ulin kokën e shohin punët e Shqipërisë.

Mesazhi bajat i analistit në fjalë është një: të kumtojë lajmin që dihet, atë të ndryshimeve në qeveri. Të përshkruajë ankthin, frikën, dyshimet e kryeministrit, racionalizmin e rifituar të tij, të paralajmërojë tërmetin në radhët e opozitës, të njoftojë madje se largimet nga qeveria të ministrave të akuzuar për korrupsion po bëhen sepse me krjimin e SPAK, Edi Rama nuk mund të mbrojë më askënd dhe mandej të rekomandojë si zgjidhje: një qeveri Rama 3. Lëpirësja e sheqerosur analitike kalon edhe nga halli për rikandidim të Erjon Veliajt, duke përligjur tezën se  korrupsioni nis e mbaron poshtë Kryeministrit si e si për të bindur se ky i fundit e ka dëgjuar zërin e shqetësimit qytetar.

Me kumtin e ndryshimeve kalëron nëpër fjalë edhe apologjia e Edit që nuk ka faj për këta maskarenj që vjedhin. Për Edin që është e vetmja alternativë. Për Edin që ka reflektuar. Tuhafëria e tij mbaroi. Ai u ngjall, po kupton se "korrupsioni në të gjitha degët e qeverisjes" është një sëmundje për të cilën duhen marrë masa. Milionat e eurove që përfliten as e kanë prekur sepse ai qeveris duke u parë sy mësy me popullin. 

Vështirë të gjendet një grumbull fjalish që të konkurojë me vezën e prishur për nga trazimi dhe pështjellimi tërësor që të sjell pse në fakt, qeverisja e këtyre pesë viteve mban vetëm një emër dhe një vulë: Edi Rama. I cili ka fuqinë e dekretimit të së mirës dhe të keqes për qeverisjen e vet, që ka personalizuar çdo gjë dhe që është sot e keqja që duhet larguar. Kampi rozë, mavi, apo kampet e lule deleve gazetareske që lulëzojnë pranë tyre e kanë të vështirë ta thonë këtë gjë, pse janë pjesë e vrapit që nisi këtu e në vitin 1999 kur zoti Rama u katapultua në Ministrinë e Kulturës për të mos u larguar nga pushteti dhe për ta rrëgjuar Shqipërinë deri në pikën sa e ka katandisur në një vend që i përket pak njerëzve dhe që sundohet nga një pushtet që po radikalizon mendimet e një pjese të shoqërisë në mënyrë të panevojshme. Dhe arsye për këtë janë edhe gazetarë të kësaj kategorie.

Comments

Submitted by keno kotorri (not verified) on

Pseudogazetari i radhës po mundohet ta mbaj gjallë dështakun, që e urrejnë dhe të vetët, me leksionin që nuk i eci as Ramiz Alisë në dhjetor 1990 : të përdorte pakënaqësinë e studenteve nga gjendje e mjeruar e Universiteteve publike (kujdes mos i shani ato private që po pagove mirë të japin Diplomë me ngjyra), për të larguar disa nga ministrat sepse sot nuk ka Byro Politike me Lenkra e Muhora), duke premtuar përpara natës së gjelit të detit një Asamble (Ramizi bëri Aktiv Kombëtar të PPSh).
Kot e ka Ai , ministrat e sekserët e tij, madje dhe zëdhënësi vullnetari radhës. Kupa u mbush e po merr udhët. Sot apo nesër pak rëndësi ka se kur do rrëzohet. Shqiptarët e të gjitha partive nuk e meritojnë qeverisjen e tij dhe të Oligarkëve, pjesëtarë të një organizate të strukturuar kriminale që bashkëdënohet. Dhe po kështu kot e ka avokati vullnetar Sokol Balla qe mundohet ta justifikoj krimin e korrupsionit të tyre (aktiv e pasiv) që meqenëse është “vendim kolektiv” nuk dënohen, përkundrazi atyre Kodi Penal u jep 5 vjet me shume secilit, do apo s’do Ai e Arta Marku që dhe ajo me mosveprimin e saj po shpërdoron detyrën. Një sqarim : pushtetarët e korruptuar, që miratojnë projekte vjedhjeje të fondeve shtetërore i marrin paratë (hisen) nga sipërmarrësi i cili është Oligarku i radhës, po aq keqbërës ndaj shqiptarëve dhe pjesëtarë i bandës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.