Kandidat i tepsisë

Postuar në 19 Dhjetor, 2018 16:04

Kujt opozite t’i besohet? Kjo është një pyetje që ka zënë vend në diskutimin politik të paktën që nga maji i vitit 2017. Dhe duket se do të mbetet pa përgjigje për një kohë të madhe. Sot Partia Demokratike, përmes përfaqësuesve të saj, Jorida Tabaku dhe Gazmend Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erjon Veliaj si përgjegjës të një afere të re që fshihet pas projektit të Unazës së Madhe:

Janë 40 milionë euro që çifti më i korruptuar i politikanëve sot në Europë, Rama dhe Veliaj, po përfitojnë në 2.2 kilometra nëpërmjet paracaktimit të 3 fituesve të tenderit dhe nëpërmjet fallsifikimit ndërkombëtar të dokumentave të njërit prej fituesve, DH Albania.

Por duke qenë se projekti i vetëm i Edi Ramës dhe Erion Veliajt është vjedhja dhe grabitja e qytetarëve, ata nuk ndalen me 40 milionë euro.

Partia Demokratike publikon sot fakte tronditëse sesi Rama dhe Veliaj kanë bashkëpunuar për një projekt tjetër korruptiv me trafikantin ndërkombëtar të drogës Edmond Bego, i njohur si miku i Taulant Ballës.

Edmond Bego ka parashikuar të ndërtojë një kompleks rezidencial luksoz tek zona e Unazës së Madhe. Për llogari të këtij projekti të trafikantit të drogës, Edi Rama dhe Erion Veliaj:

• kanë ndryshuar Planin Urbanistik të Tiranës

• kanë ndryshuar rrjedhën e lumit Lanë në favor të projektit luksoz të trafikantit të drogës

• kanë planifikuar dëbimin nga shtëpitë të të paktën 200 familjeve për të mbajtur të paprekur pronën e Edmond Begos

u shpreh Tabaku.

Kjo është një akuzë që nuk u ndahet Ramës dhe Veliajt dhe në këtë dalje për shtyp, PD-ja ka shmangur Damian Gjiknurin, i cili befas shfaqet i pastër. Nga ana tjetër, një ditë më parë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi përcolli një qëndrim tjetër. Sipas saj Erjon Veliaj mund të jetë kryeministër para zgjedhjeve parlamentare.

S’mund të them që Erjon Veliaj s’ka punuar, por kryebashkiaku i Tiranës ka edhe mëkate. Veliaj mund të jetë edhe kryeministër para zgjedhjeve. Rama mund të jetë kostoja e kësaj situate dhe socialistët s’kanë pse të bëhen pis me trafikun e drogës, etj. Treçereku i PS vijnë qahen te unë dhe janë gati ta rrëzojnë Edi Ramën.  Opozita e ka shansin 100% për të fituar jo vetëm në Tiranë, por kudo. Veliaj është një njeri që punon me një program, i cili i ka ecur. Në të gjithë historinë e tij ka gabuar me Teatrin dhe kjo nuk do t’i ndahet gjatë gjithë jetës

tha ajo në emisionin “Dritare”.

Është pak e vështirë të bashkosh në një unitet logjik fjalitë e zonjës Kryemadhi, e cila nga njëra anë thotë se opozita ka shans të fitojë, nga ana tjetër jep mbështetje për kryebashkiakun socialist.

Po kështu është e vështirë të kuptohet sesi opozita mund të fitojë në zgjedhjet lokale me këtë ndarje që përcjell për kandidimin në Tiranë. PD-ja e akzuon Veliajn, LSI-ja e promovon atë. Kjo dëshmon edhe njëherë nevojën e Erjon Veliajt që të imponohet si kandidaturë ndërkohë që ka zëra se Kryeministri nuk e dëshiron më. Me kredencialet e dikujt që ka fitoren e sigurtë, z. Veliaj me pazarin e tij me LSI-në ngjan se po i rrit faturën kryeministrit në një luftë pushteti që nuk mund të fshihet më. E sigurtë është se Veliaj është aktuaisht lojë e LSI-së dhe një grupimi në PS, por nëse ai nuk kandidon, apo humbet në zgjedhje, fatura është vetëm e tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.