Kuvendi Kombëtar i Përrallave

Postuar në 15 Dhjetor, 2018 14:18

I ulur në një radhë, ngjitur me Sali Berishën, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka luajtur edhe sot teatrin e liderit të ndryshimit. NJë lideri që flet me fjalë të mëdha për misionin e PD-së kundër krimit, kapjes dhe oligarkëve.

E ndërkohë që ai fliste në një podium të Kuvendit Kombëtar të PD-së, njeriu kryesor i saj, ishte Sali Berisha. Ai që i ulur ngjitur me beniaminin e tij dha mesazhin kryesor se Lulzim Basha nuk luan nga karrigia. Se ai është i zgjedhur dhe konfirmuar për misionin e ruajtjes së status quosë.

Sali Berisha është një ndër njerëzit që e solli Shqipërinë këtu ku e solli. Përtej meritave, luftërat e tij kundër komunizmit, Sigurimit të Shtetit dhe krimit, mbetën retorikë. Recitime autosugjestionuese të dikujt që mbeti përherë me një këmbë para vitit 1990.

Në muajt e ardhshme PD-ja do të sjellë një risi perëndimore: Ne do të propozojmë zgjedhjet primare. Çdokush do ta ketë rrugën e hapur drejt majave të politikave në konkurencë të ndershme

tha Basha.

A e beson vallë kush këtë që thotë ky zotëri? A është PD-ja e tij diçka që shkon përtej kufijve të para vitit 2013, çiflig i Berishës dhe Ridvanëve të radhës? A mundet sot të jesh dikush që do të japësh diçka për vendin dhe të kthesh sytë nga PD-ja, PS-ja, LSI-ja? Kurrë. Aty mund të drejtohesh vetëm për përfitime, për të qenë violinë e lojës së 3-4 njerëzve që vendosin për mbarë Shqipërinë. 

Kuvendi Kombëtar i Përrallave është si lajmet e realizimit të planit 102% në një kohë kur Shqipëria është në prag urie. Le ta lëmë zotin Basha të shesë buzëqeshjen e tij si shprehje të shpresës. Le ta besojnë ata që duan të besojnë dhe bëjnë llogari. Kath’harsisi i vendit kërkon që ky individ, kjo ligjëratë, kjo lojë të marrë fund.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.