Ungjilli i Palit, me gjasë i keqinterpretuar*

Postuar në 12 Dhjetor, 2018 19:03
David Bentley Hart*

Këtë vit, unë i dhashë botës anglishtfolëse përkthimin tim të Dhiatës së Re - një projekt që unë e bëra nën udhëheqjen e redaktorit tim në Yale University Press, por që e kisha pranuar që në momentin e parë kur m’u propozua. Kisha menduar gjatë në përpjekje për ta përcjellë tekstin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe subversive. Përgjatë viteve, jam zhgënjyer me pothuajse të gjitha përkthimet standarde të disponueshme, dhe veçanërisht me versionet moderne të prodhuara nga komisione të mëdha dijetarësh, shumë prej të cilëve (për mendimin tim) kanë qenë të predispozuar (për shkak të zakoneve teologjike të trashëguara) për të parë në tekst gjëra që në të vërtetë nuk ishin aty, dhe nuk kanë vënë re gjëra të tjera që dukshëm janë aty. Komisione të tilla kanë tendencë t’i përforcojnë pritshmëritë tona; por bota e antikitetit të vonë është kaq e largët nga kjo e jona, saqë pothuajse asnjëherë nuk del ajo që prisnim.

Për shembull, pyesni një të krishterë amerikan - një presbiterian i ndershëm që ndjek rregullisht kishën dhe ka një version të ri ndërkombëtar të Biblës – se çfarë ungjill predikoi apostulli Pal. Përgjigja do të shkojë pas linjave të parashikueshme: qeniet njerëzore, duke mbajtur fajin e mëkatit fillestar dhe të destinuar për ferr të përjetshëm, nuk mund të shpëtojnë veten nëpërmjet veprave të mira, ose ta bëjnë veten të pranueshëm për Perëndinë; megjithatë Perëndia, në mëshirën e tij, dërgoi Birin e përjetshëm që të sakrifikohej për mëkatet tona dhe drejtësia e Krishtit u është dhuruar me dashamirësi ose u është dhënë të gjithë atyre që kanë besim.

Disa detaje mund të ndryshojnë, por jo historia bazë. Dhe, padyshim, shumica e gjuhës së rrëfimit të kujton terma të përdorur nga Pali, të paktën siç janë filtruar përmes disa përkthimeve konvencionale; por kjo është fantazi. Kjo presupozon elemente të besimit të mëvonshëm të krishterë që mungojnë në shkrimet e Palit. Disa nga këto (si ideja se njerëzit lindin fajtorë në sytë e Perëndisë ose që veprat e mira nuk kërkohen për shpëtimin e shpirtit) ​​dalin nga historia e përkthimeve të pasakta. Të tjerë (si koncepti i një ferri të përjetshëm të torturimit të ndërgjegjes) janë plotësisht të imagjinuar dhe i atribuohen Palit në bazë të një pjese të gabuar të asaj që predikon Dhiata e Re në tërësi.

Megjithatë, predikimet e Palit, të marra direkt nga letrat e tij në greqisht, nuk theksojnë as mëkatin origjinal, as drejtësinë e e marrë për të mirëqenë (ai nuk besonte te asnjëra), por më tepër në rrëzimin e engjëjve të këqij.

Një histori e gjatë e keqinterpretimeve, sidomos e Letrës drejtuar Romakëve, ka krijuar përshtypjen e shqetësimeve teologjike të Palit, në mënyrë krejtësisht të huaj me botën e tij konceptuale, që Pali i vërtetë nuk zë pothuajse asnjë vend në kujtesën e krishterë. Është e vërtetë që ai trajton çështjet e 'asaj që është e drejtë' ose 'drejtësisë' dhe pohon se kjo bëhet e jona vetëm nëpërmjet virtytit të pistis-it1 – që njihet si 'besimi' ose 'besnikëria'. Por për Palin, brenda konceptit të pistisit janë bindja ndaj Perëndisë dhe dashuria ndaj të tjerëve. E vetmja erga (vepra), e cila siç ai pretendon nuk jep kontribut në shenjtërinë personale, janë disa 'rituale' të Ligjit të Moisiut, të tilla si rrethprerja ose ligjet e të ushqyerit. Megjithatë, kjo do të thotë që ndarja midis hebrenjve dhe johebrenjve është bërë zero te Krishti, duke lënë kështu të hapur shpëtimin për të gjithë popujt; kjo nuk do të thotë (siç Pali druhet se disa mund të imagjinojnë) se Perëndia e ka braktisur besëlidhjen e tij me Izraelin.

Megjithatë, çështjet e ligjit dhe të së drejtës janë shqetësime dytësore. Thelbi i teologjisë së Palit është diçka shumë më e huaj dhe shpaloset në një shkallë shumë më të madhe. Për Palin, epoka botërore aktuale po kalon me shpejtësi, ndërsa një tjetër epokë që ndryshon në çdo dimension nga e mëparshmja (në dimensionin qiellor ose tokësor, shpirtëror apo fizik) - tashmë po lind. Historia e shpëtimit ka të bëjë me tërë kozmosin; dhe kjo është një histori e pushtimit, grabitjes dhe triumfit. Për Palin, kozmosi është skllavëruar me vdekje, si nga mëkati ynë, ashtu edhe nga qeverisja e keqe e “autoriteteve” 'engjëllore' ose 'djallëzore' që mbretërojnë mbi tokë nga qiejt dhe që i mbajnë shpirtrat në skllavëri nën tokë. Këto qenie engjëllore, këta Arkonë, të cilët Pali i quan Fronet dhe Fuqitë dhe Pushtimet dhe Forcat Shpirtërore të së Keqes në Lartësi, janë perënditë e kombeve. Në Letrën drejtuar galatasve2, ai madje lë të kuptohet se engjëlli i Zotit që sundon mbi Izraelin mund të jetë një prej tyre. Si të rrëzuar, kryengritës apo thjesht të paaftë, këto qenie qëndrojnë ngushtë ndërmjet nesh dhe Perëndisë. Por Krishti i ka pushtuar të gjithë.

Që nga zbritja në Had dhe deri te ngjitja sërish në qiej, Krishti ka mundur të gjitha fuqitë poshtë dhe lart që na ndajnë nga dashuria e Perëndisë, duke i zënë rob në njëfarë procesioni triumfues. E vetmja gjë që tani mbetet është konsumimi final i kësaj epoke, kur Krishti do të shfaqet në lavdinë e tij të plotë si pushtues kozmik, duke bërë t’i nënshtrohen të gjitha fuqitë kozmike - dhe pastaj do ta kthejë këtë perandori të tërë rimarrë tek Ati i tij. Vetë Perëndia, në vend të ndërmjetësve shpirtërorë të pabesë ose të pafe, do ta sundojë kozmosin drejtpërdrejt. Ndonjëherë, Pali flet sikur disa qenie njerëzore do të zhduken së bashku me kohën e tanishme, dhe ndonjëherë sikur të gjitha qeniet njerëzore më në fund do të shpëtohen. Ai kurrë nuk flet për ndonjë ferr të vuajtjes së shpirtrave që nuk njohin pendim.

Epoka e re, për më tepër - kur krijimi do të glorifikohet dhe të shndërrohet në mbretërinë e Perëndisë - do të jetë një epokë e "frymës" dhe më shumë sesa "mishit". Për Palin, këto janë dy parime antitezë të ekzistencës krijuese, megjithëse shumica e përkthimeve e paraqesin këtë antitezë si një kontrast  thjesht midis 'shpirtit' të Perëndisë dhe perversitetit njerëzor. Por Pali është mjaft i qartë: 'Mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë Mbretërinë'. As psika, 'shpirti', parimi i jetës ose anima që i jep jetë mishit që një ditë kalbet. Në epokën e ardhshme, jeta si 'trup fizik', 'gjallje' ose 'kafshë', do të zëvendësohet nga një "trup shpirtëror", përtej mundësisë së vdekjes - megjithatë, përsëri, përkthimet tradicionale zakonisht e errësojnë këtë duke folur për të parën, në mënyrë të turbullt, si një 'trup natyror'.

Zëri i Palit, duhet të shtoj menjëherë, vështirë se është eksentrik. Për shembull, Ungjilli i Gjonit tregon për shpëtimtarin hyjnor që vjen 'nga lart', duke zbritur nga mbretëria e Perëndisë në këtë kozmos, duke rrëzuar Arkonin mbretërues, duke sjellë dritën e Perëndisë në errësirën e robërisë sonë dhe duke i tërhequr të gjithë pas vetes. Dhe, në regjistra të ndryshëm, kështu bëjnë shumica e teksteve të Dhiatës së Re. Pra, siç po them, është një botë konceptuale shumë e largët nga e jona.

E megjithatë, do të ishte marrëzi nëse do të përpiqeshim të gjykonim pretendimet shpirtërore të Ungjillit nisur nga fakti se sa e besueshme na duket kozmologjia që i shoqëron. Në një këndvështrim, panorama e lashtë e realitetit mund të jetë në shumë aspekte të rëndësishme më të saktë sesa e jona. Dhe me siguri do të ishte një gabim kategorik supozimi se historia e “mundjes” së Krishtit nga vdekja dhe mëkati nuk mund të shprehë një të vërtetë që i tejkalon kushtet historike dhe kulturore në të cilat është rrëfyer fillimisht. Por, para se të vendosim çfarëdolloj gjëje në lidhje me këtë histori, ne duhet së pari ta rikthejmë atë nga historitë shumë të ndryshme që aq shpesh i tregojmë në vend të saj.

1Pistisnga mitologjia greke: personifikim i besimit dhe sigurisë. Në Testamentin e Ri, fjala pistis është e barasvlefshme me besimin në Zot dhe në kuptimin e gjerë që ka vetë fjala.

2Letra e Palit për galateasit - Shkrimi i Dhjatës së Re drejtuar kishave të krishtera (vendndodhja e saktë nuk është e sigurt) që u shqetësuan nga një fraksion judaizues brenda kishës së hershme të krishterë.

*David Bentley Hart është studiues ortodoksizmit lindor, filozof, shkrimtar dhe komentator kulturor. Ai është një bashkëpunëtor në Institutin për Studime të Avancuara “Notre Dame”. Libri i tij i fundit është “Dhiata e Re: Një Përkthim” (2017). Ai jeton në South Bend, Indiana.

Burimihttps://aeon.co/ideas/the-gospels-of-paul-dont-say-what-you-think-they-s...

Përktheu: Gazmira Sokoli 

Comments

Submitted by Tuci (not verified) on

E ka nisur Muci duke gjetur cdo artikull te mundshem dhe jo shume serioz qe te veje ne dyshim mesazhin e Bibles. Muci nuk provon dot te shkruaje gjera te tilla per Kuranin se ka djalin nga ata qe falen disa here ne dite.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.