Zbutja e gënjeshtërt e Kryeneçit dhe një Parti fantazmë

Postuar në 08 Dhjetor, 2018 22:46
Leonard Mitro

Edi Rama po përballet me një situatë që nuk e kishte parashikuar dhe çdo makiazh propagandistik i "kuzhinës" Fuga në kryeministri nuk mjafton për të hedhur pa u lagur një lumë që po del jashtë interesave të establishmentit. 

Kryeministri është fshehur dhe ndoshta po përgatit fjalimin empatik të radhës pas injorimit që i bënë studentët këtij artisti bujar që shpreson ta zgjidhë edhe këtë hall nga penxheret e fesjbukut. 

Një variant i kryeneçes së zbutur ishte ai i Edi Ramës në ftesën ndaj studentëve. U shfaq delikat, me këmishë zbërthyer, i moderuar, i përulur, pa tension, i hapur dhe i buzëqeshur megjithë sikletin që e mundon prej disa ditësh nga një ballafaqim që po diskretiton jo vetëm të ashtuquajturën reformë në arsim, por edhe kapacitetin politik të ministres që u emërua në atë post, mesa duket bazuar në gustot personale të vetë kryeministrit. 

Njeriu dhe politikani që funksionon me Regji Qëndrore edhe kur takon njerëzit e përmbytur edhe kur shpërndan çertifikata legalizimi edhe kur shfaqet si bamirës i çative të rrënuara, edhe kur del si baritor me sheleg në prehër, tani duhet të përballet me një akt politik që po tund karrigen e kryeneçit dhe po zhgarravit më shumë imazhin e tij, gjithmonë nëse studentët do t'i qëndrojnë reagimit dhe karakterit të protestës që kanë filluar. 

Trupa politike që ka mbirë në Rrugën e Durrësit, mesa duket nuk është si Lulzim Basha, i cili negocion llojin e opozitës në varësi të garancive dhe konjukturës që mbajnë në lojë kandidaturën e tij si kryeministër të ardhshëm. Në një situatë të tillë kur studentët po vënë në diskutim reformën në arsim një parti normale minimumi duhet të kishte mbledhur forumet për të mos thënë kryesinë. Por partia që supozohet të ketë çelësat e kryeministrisë nuk ekziston prej vitesh, ajo qëndron si fantazmë e nje ngrehine të bojatisur me ngjyrat e Rilindjes.

Edi Rama edhe këtë radhë reduktoi momentin politik që kalon vendi në një monolog fejsbuku, duke na rikujtuar një tjetër krim të madh që ai dhe zotëria që interpreton kryetarin e opozitës i kanë bërë demokracisë dhe të ardhmes së këtij vendi. Atentatin ndaj partive dhe krijimin e një Uni politk të lidhur me një kastë sekserësh të emërtuar ministra që ndërmjetësojnë vjedhjen e parave publike në bashkëpunim me të njëjtët klientë të pushtetit të kaluar.

Edi Rama dhe Lulzim Basha, dy personazhe që duhet të varrosnin punizmin e partive që trashëguan dhe të kishin çuar më tej demokratizimin e PS-PD për të rritur cilësinë e përfaqësimit dhe qeverisjes personalizuan vulat dhe vranë konkurimin si të vetmen rrugë të tyre për të mbijetuar në lojën e pushtetit, natyrisht me ndihmën e abonentëve.

Rilindja që pretendohet se shënoi reformimin e dytë të Partisë Socialiste pas katharsisit të Fatos Nanos vulosi njëkohësisht edhe vdekjen e saj. Operacioni i vitit 2005 ishte një transaksion abonentësh politkë të quajtur "socialistë" me votat e të cilëve u legjitimua krijimi i Organizatës së Rilindjes dhe gënjeshtrës politike Edi Rama.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.