Pse nuk ka protestë para Ministrisë së Gjiknurit?

Postuar në 08 Dhjetor, 2018 13:19

Sot banorë të zonës së Astirit kanë dashur t'i bashkohen protestës së studentëve të Ministria e Arsimit, por kjo ka shkaktuar përplasje mes tyre. “Nuk duam, nuk ju pranojmë, nuk duam politikë”-thanë protestuesit studente, të cilët nuk duan të bashkojnë kauzat, pasi janë çështje të ndryshme.

Banorët e Astirit me të drejtë kërkojnë që edhe zëri i tyre të dëgjohet nga një protestë që po i imponohet qeverisë dhe mediave si ajo e studentëve, por vendi i protestuesve të Astirit duhet të ishte sot para Ministrisë së Infrastrukturës së "kapiten" Gjiknurit dhe jo para Ministrisë së Lindita Nikollës. Ata duhet t'i kërkojnë llogari Gjiknurit për zullumin që po ndodh me Unazën e Madhe, i cili prek edhe shtëpitë e tyre. 

Protesta e banorë e të Astirit sot duhet të ishte edhe më e madhe se ajo e studentëve, pasi me ta duhet të bashkoheshin edhe qytetarë të tjerë të Republikës që panë sesi qeveria u kap gafil me letra të fallsifikuara në një projekt ku paratë publike shkojnë për emra të veçantë të lidhur me damianët e qeverisë. 

Nëse ka ministër që duhet të lërë urgjentisht detyrën është Damian Gjiknuri që me një dosje nën sqetull u paraqit urgjentisht në ambasadën amerikane për aferën që doli sheshit. 

Studentët janë në rrugë për një mijë arsye që kanë të bëjnë me të ardhmen, ndërsa baballarët e tyre duhet të kishin lënë divanet dhe të ishin bashkë me bankrët e Astirit para Ministrisë së Damian Gjiknurit, një ministër i paditur nga Kontrolli i Lartë i shtetit për miliona lekë abuzime dhe përfitime me projektet publike. Shoqëria po bën sehir nga televizori protestën e studentëve që deri diku është protesta e tyre, ndërsa vetë po demostron se është në kllapi të plotë, e padenjë për lirinë e saj dhe në pritje të dhuratave që mund të sjellé dhjetori i studentëve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.