Malli për protesta nuk mund të legjitimojë çdo kërkesë

Postuar në 06 Dhjetor, 2018 14:09

Entuziazmit se në Shqipëri ka një protestë masive i është bashkëngjitur sot edhe ish-zëdhënësi i Kishës Katolike, Dom Gjergj Meta.

Ju jeni në fakt përgjigja më e mirë ndaj atyre që duan të ikin nga ky vend, sepse politika e qeverisë ua ka bërë t’u gërtitet ky vend.

Ju jeni përgjigja më e mirë ndaj një grupimi opozitar pa mendim substancial, sidomos të atyre rioshave që janë plakur para kohe dhe ndaj një qeverisje pa vizion tërësor.

Ju jeni përgjigja më e mirë ndaj ne të rriturve që mbetëm duke u kap’ nëpër studjo televizive pa asnjë produkt.

Faleminderit studentë!

Jua di për nder që jeni dhe që ngrini zërin tuaj. Mos pranoni t’ju vjedhin kauzat apo t’ju blejnë. Forconi mendimin tuaj dhe shkojini deri në fund. Keni të drejtë derisa sa doni një të ardhme.

Ju mund ta bëni ndryshimin. Lëreni politikën plakë në “shenjtninë” e saj. Mos u ndalni. E drejta juaj është e ardhmja e vendit tone

citohet se ka shkruar në rrjetet sociale, Meta.

Si përgjigje ndaj arrogancës së qeverisë, protesta duhet përkrahur.

Si formë e qashtër e diskreditimit të opozitës së shitur, ajo po ashtu duhet duartrokitur.

Si manifestim dhe organizim, patjetër duhet admiruar.

Por përmbajtja e kërkesave të saj në fakt denoncon vetë studentët. Një tarifë për provimet e bartura, kushte në konvikte dhe përgjysmim i tarifës së shkollimit, janë në fakt kërkesa që hanë diskutim. Studentët kanë të gjithë të drejtën e Zotit të ngrenë zërin kur sheh se edhe ministrja e Shëndetësisë është kapur me doktoraturë të kopjuar, por përpara se të protestosh duhet sqaruar raporti me veten. Çfarë niveli përçojnë këta studentë? Profesional dhe moral.

Duhen hapur për diskutim këto çështje, sidomos kur sheh se ka një keqkuptim të madh që e konsideron arsimin e lartë ende si një të drejtë, kur ai është e drejtë, por edhe Privilegj. Ndaj të mos i shenjtërojmë protesta si këto që vënë edhe ultimatume nga rruga. Dhe me këtë rast opozita mjerane e këtij vendi duhet të ketë më shumë respekt për qeverisjen e vet dhe të mos gënjejë kaq hapur. Pasi një opozitë që mbështet çdo protestë, në fakt nuk mbështet asnjë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.