Një “opozitë” që vret protestat

Postuar në 04 Dhjetor, 2018 11:15
Skerdilajd Zaimi

Ka një prirje për të krahasuar protestat e Francës me protestat në Tiranë. Duhet thënë se ndonëse krahasimet pak qëndrojnë, qeveria shqiptare ka shprehur drojën e vet. 

Së pari protestat në Francë ndodhin në një shoqëri që e ka pjesë të kulturës reagimin. Madje që edhe në shekullin e 20-të dëshmoi më shumë se kushdo frymë kundërshtimi. 
Së dyti, protesta aktuale u ngjiz në kundërshtim të një takse kombëtare ndërkohë që presidenti francez ka përgënjeshtruar veten duke shkurtuar taksa për të pasurit. 
Së treti, Franca është ndër vendet ku establishmenti politik është tronditur realisht. 
Së katërti dhe më kryesorja, protesta është nismë mirëfilli qytetare. 

Nëse vijmë në Shqipëri, protesta e banorëve të zonës së Astirit është e përligjur sepse bëhet për shtëpinë, por aty këreksa është një dëmshpërblim më i drejtë. Mund të jesh solidar me banorët, por fakti se në thelb ato janë ndërtime pa leje e bën të pajustifikuar përshkallëzimin e një proteste kombëtare. Duhet të jemi të qartë: Edi Rama dhe qeverisja e tij janë fatkeqësia e përbashkët. Një e keqe që po vë në diskutim stabilitetin e së ardhmes sonë. Por objektet e Unazës së Re nuk janë arsyeja dhe as mund të jenë shkëndija e protestës masive kundër tij. 

Këtu vijmë te roli i opozitës, Partisë Demokratike dhe dy njerëzve që e drejtojnë atë: Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Të dy këta dhe bashkë me ta edhe kryetarja e LSI-së, i shohin protestat si instrumente për kapjen e pushtetit. Dy të parët na e provuan më së miri këtë me pazarin e 17 majit, të cilin sot nuk kanë qejf ta kujtojnë edhe sepse ndoshta u ndien të tallur nga Edi Rama. E dyta, pra zonja Kryemadhi, luan me opozitarizmin e gjesteve, pozave dhe kërcënimeve. Por ne kemi sy në ballë të shohim se Edi Rama, kjo e keqe ngjitëse, as nuk i ka cenuar gjëkundi as atë, as bashkëshortin që ia bëri president. Dhe as u ka cenuar mesa dihet edhe pasurinë, për të cilën dikur fliste me zë të lartë. 

Është kjo opozitë luksoze pasanikësh që në rastin e një proteste tjetër, e cila me të vërtetë mund të kishte kumbim nacional, atë të Teatrit Kombëtar, u tregua ambigue. E luhatur. Dhe më e keqja, luajti me dy standarde. Është e vërtetë që Presidenti ktheu ligjin, por opozita e z. Basha nuk i ndihmoi protestuesit përveçse me ca fjalime. Z. Basha premtoi madje edhe një padi ndaj firmës së arkitektit danez, ndërkohë që asgjë nuk ka ndodhur. Përkundrazi ka ndodhur që thashethemi se ai është përfitues te kullat që do të ndërtohen vetëm sa është fuqizuar. 

Pse opozita i dëmton kaq shumë protestat? Pse ajo nuk arrin të kapitalizojë diçka prej tyre? Pse p.sh sot jemi në situatën qesharake kur për protestën e kuksianëve, përfaqësues të mazhorancës tallen duke u kujtuar atyre se ishte “Luli që ua prishi protestën”? 
Përgjigja është e qartë: PD-ja dhe LSI-ja nuk dëshirojnë që kauzat e lindura aty për aty të diktojnë rregulla të reja, duke cenuar sistemin e pazarit që është ndërtuar dhe nga i cili ata përfitojnë bashkë me Edi Ramën. Ata nuk duan protesta për çmimin e naftës, sepse janë miq me distributorët, ata nuk duan të flasin për koncesionet, sepse në disa prej tyre janë vetë. As Sali Berisha, as Lulzim Basha dhe as Monika Kryemadhi nuk kanë gjë me kullat, thjesht merren me artistin kryeministër që i ndërton duke ndërtuar një betëjë të dështuar të cilën mandej askush nuk do ta rifillonte më. Për t’i lënë rrugë të lirë biznesit të tyre me shokët socialistë. 

Kjo situatë merr më shumë kuptim në të paktën dy protesta që patën rezultat real në Shqipëri: protesta kundër armëve kimike, që e dëboi Sali Berishën dhe Lulzim Bashën dhe bëri Timonierin e Ballkanit të djersinte në brekushe dhe protesta e banorëve të Zharrëzës. Të dyja këto, sado modestisht, rrëfejnë të vërtetën e sistemit aktual: aty ku një prej këtyre “figurave” apo kllounëve të tyre do të dojë të hyjë, aty edhe kauza ka vdekur. Sepse aty ka lindur pazari i përbashkët që e kemi në kurriz për dy dekada. 

E keni parë sa i kujdesshëm është kryeministri orator në etiketime? Mezi pret që kudo të hyjë SHQUP-i që të nisë bejtet e tij. Që analistët e tij t’ia marrin sazeve të përnatshme, që ambasadorët të dalin e të flasin për stabilitet. Të gjithë në grup duke u tallur me këtë milet të cilit nuk i mbetet gjë tjetër veç të ikë. Ose në rastin më fatkeq për të, të shpresojë tek estrada e bashkëqeverisjes që është lëmosha përçmuese e improvizuar posaçërisht për të. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.