Lefter Talo, Hero i Popullit, apo i likujduar nga Partia Komuniste?

Postuar në 04 Dhjetor, 2018 23:17

Panajot Barka, profesor i asociuar dhe pjesëtar i minoritetit grek në Shqipëri, aktivist për të drejtat e këtij minoriteti, shkruan sot në gazetën “Tema” për situatën e krijuar së fundmi Jug, ku sipas tij janë cenuar raportet mes “pakicës dhe shumicës”. Barka e ka konceptuar shkrimin e tij si një letër të hapur për Presidentin e Republikës, Ilir Meta, me ç’rast i lë të kuptojë se vrasja, instrumentalizimi dhe tensionimi pas ngjarjes së Bularatit si dhe prishja e memorialit të Thimjo Lolit në Krane, po provokojnë situatën. Ndër të tjera Barka artikulon edhe një akuzë që nuk është dëgjuar deri më sot publikisht. Shkruan ai:

Në burgjet e sistemit komunist gjuha greke konkuronte bindshëm shqipen dhe vuajtjet vinin për shkak të identitetit. Sistemi komunist përndoqi dhe zhduku njësoj, si kundërshtarët e tij, antikomunist si V. Shahinin e Th. Lolin, ashtu edhe përkrahësit e tij komunist që nuk hoqën dorë nga integriteti etnokulturor grek, si L. Talon apo M Jorgjin

Duke lënë mënjanë persekutimin etnik edhe në burgje, për të cilin duhen studime dhe fakte dhe jo spekullime, ndalemi pak tek akuza se Lefter Talo është zhdukur nga sistemi komunist. Sipas Barkës kjo për arsye se Talo nuk hoqi dorë nga përkatësia e tij etnike.

Duhet sjellë në vëmendje një lapsus “teknik”. Lefter Talo zyrtarisht dhe faktikisht ka vdekur në vitin 1944, konkretisht në prill të atij viti në Margëlliç të Mallakstrës, në kuadër të lufitmeve që Brigada VI Sulmuese u angazhua kundër forcave gjermane. Dhe në këtë kohë në Shqipëri nuk ishte ngjizur ende Sistemi Komunist, por vepronte Partia Komuniste, pjesë e të cilës ishte edhe Talo. Në betejën në fjalë, përveç Talos u vranë, Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, të tre të vlerësuar me titullin Hero i Popullit.

Talo u nderua edhe pas vdekjes gjatë gjithë kohës që mori jetë dhe veproi Sistemi Komunist. Duhet të themi se Talo ishte nga zona e Vurgut në Sarandë, zonë e cila ka nxjerrë edhe një figurë kontroverse si Thimjo Loli. Për ata që nuk e dinë duhet të theksojmë se në hapësirën e pakicës greke në Shqipëri ka disa dallime që ushqejnë disa sjellje koniunkturale të cilat përndryshe i shpëtojnë vëzhgimit të përgjithshëm politik.

Lefter Talo është ndër të paktët heronj të Popullit nga pakica greke, i vlerësuar vazhdimisht. Vurgu me Dropullin, që është pjesa më e pasur dhe me më shumë popullsi e pakicës greke që jeton në Shqipëri, kanë një lloj antipatie reciproke që është karakteristike edhe për zonat e brendshme mes shqiptarëve. Një tjetër zonë që “bën në kokë të vet” është Pogoni, që ka dhënë e marrë shumë me Lunxhërinë.

Duhet thënë se aktivizimi politik i pjesëtarëve të pakicës që janë nga Vurgu është disproporcional dhe më i suksesshëm sesa ai atyre që janë nga Dropulli. Përveç Lolit dhe Talos, zona e Vurgut u lidh ngushtë me Partinë Komuniste dhe gjatë regjimit, përfaqësues të saj ishin të inkuadruar mirë në disa sektorë. Por ky sukses vijoi edhe pas viti ’90. Njeriu kryesor i pakicës greke në Shqipëri dhe më përfaqësuesi, si në rrafsh intelektual ashtu edhe politik, mbetet Vasil Melo, i cili ishte nga zona e Delvinës.

Vangjel Dule që pasoi atë, ishte në të vërtetë një zgjedhje e Anastas Janullatos dhe për disa vite me radhë ai ka mbijetuar në politikë falë votave të marra në zonën e Bregut. Po kështu një ndër figurat profesionalisht më përfaqësuese të PBDNJ-së, ka qenë Spiro Peçi, ish-ministër Drejtësie, me origjinë nga Peca e Sarandës(prej nga ishte edhe Kiço Mustaqi), fshat që bashkë me Muzinën ka origjinë të debatueshme etnike. Në fund nuk duhet të harrojmë të mirënjohurin Panajot Pano, po ashtu nga zona e Vurgut, apo edhe ish-presidentin e Greqisë, Stephanopoulos. 

Edhe në fushën letrare, shkrimtari më përfaqësues është Niko Kacalidha, po nga Saranda.

Nga kjo pikëpamje, për Lefter Talon dhe Thimjo Lolin është e dobishme të dëgjohen edhe përfaqësues të Vurgut, përpara se ata të adoptohen në mënyrë – më së paku emotive – qëndrimet e “metropolit” të vetëshpallur të pakicës greke në Dropull, ku veprojnë prirje më radikalizuese dhe politikisht më të koordinuara.

Deri më sot, kjo e Barkës është ndoshta deklarata e parë që e shpall Lefter Talon si të likujduar nga Partia Komuniste për shkak të etnisë së tij. Edhe në një aktivitet të viteve të fundit, konkretisht të vitti 2004, në të cilën kanë marrë pjesë edhe familjarë të tij, është vlerësuar si e vërtetë historia zyrtare dhe kontributi i tij në luftë. Ligjërata e përgatitur nga poeti konispolat, Bardhyl Maliqi nuk aludon për ndonjë likujdim apo zhdukje. Në frymë dhe përmbajtje ajo karakterizohet nga një gjuhë dhe terminologji glorifikuese, tipike e regjistrit të kohës së Hoxhës për dëshmorët e luftës.

Për këtë arsye kjo akuzë e Barkës ka nevojë të mbështetet me fakte apo prova dokumentare që do të nxirrnin në dritë të re jo vetëm figurën e Talos, por edhe realitetin e ndërlikuar të asaj kohe në një zonë kontakti etnik siç është Saranda apo Gjirokastra.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.