Metafizika e rrokut*

Postuar në 02 Dhjetor, 2018 02:31
Antonio Spadaro***

Çfarë është rroku (rock)? Nuk është e lehtë të përkufizosh një fenomen kaq kompleks dhe kontradiktor e njëkohësisht jokompakt dhe koherent. Ai është një formë e shprehjes muzikore, në evoluim të vazhdueshëm që nga mesi i viteve ‘50. Është një fenomen eklektik, rezultat i një kombinimi në ndryshim të formave muzikore të zhvilluara në mënyrë të pavarur. Një gjë është e sigurt: rroku ka pasur që në krye të herës aftësinë për t’u shndërruar në përkthyes të ëndrrave, aspiratave dhe problemeve të të rinjve. Ai ka përcjellë tensione, madje edhe të dhunshme, por sigurisht të thella. Gjuha e tij është gjuhë pushteti. Vetë fjala rock'n roll të sjell ndërmend imazhin e një shkëmbi (rock) që vibron, bëhet i paqëndrueshëm, shkëputet dhe rrotullohet. Ndoshta përkufizimi më i mirë është dhënë nga Manzoni në himnin e tij të shenjtë “Krishtlindjet”: "Një gur nga maja e malit / nga shpatet e larta, / i braktisur që në shtytje / me zhurmën rrëshqitëse të dheut, / rrugës së shenjuar / përfundon në luginë / përplaset në fund dhe ...

Çfarë e "thyen" këtë gur? Çfarë synon të rrëzojë? Barrierat, muret. Sigurisht. Është një këngë çlirimi. Ka lindur nga një reagim. Është muzikë e thyerjes, sepse ajo i jep zë një energjie vitale që dëshiron të lëvizë, të rrokullisë gurët që i marrin frymën. Është tension i çlirimit nga një ego e rrethuar, e mbyllur në vetvete. Muzika dhe tingujt e rrokut mund të shprehin fare mirë një “grisje”, një dramë, madje edhe një rebelim të thellë që duhet lexuar me kujdes. Një shembull: në “Tren i ngadaltë”, në mënyrë lapidare, Bob Dylan nuk pranon të bëhet pjesë e asaj pjese të njerëzimit që e ka humbur sensin e realitetit dhe të lidhjes me të ngjashmit e tij, tashmë i dominuar nga dëshira për të poseduar dhe për të mbledhur: "Njerëz të uritur e të etur / hambarët po shpërthejnë nga gruri / e dini që kushton më shumë për ta grumbulluar ushqimin / më shumë sesa t’ua japësh të tjerëve të t’u ushqyer". Këto vargje i referohen Ungjillit të Lukës (12, 13-21) për lakminë e njeriut të pasur që mendon të prishë dyqanet e tij për të ndërtuar më të mëdhenj, duke mos e ditur se pikërisht në atë moment vetë jeta do ta braktisë. Dylan reflekton mbi këtë prirje të njeriut për ta parë jetën si gjërat materiale, në mënyrë të tillë sa ta konsiderojë si mall për t’u shkëmbyer, blerë apo shitur.

Shumë autorë të rrokut reflektojnë mbi këtë prirje që injoron tërësisht vlerën e ndërgjegjes, të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Rreziku është atje në pritje: narcizizmi, ideologjia, një dëshirë gjenerike dhe dionisiane për çlirim të vakët dhe  nganjëherë shkatërruese. Çfarë mbetet pas çlirimit? Ndonjëherë boshllëku. Në këtë rast, energjia vitale e çliruar kthehet kundër vetvetes dhe mund të shkojë deri në vdekje, në vetëvrasje, natyrisht. Etiketa "drogë, seks dhe rock'n roll" është shumë e lehtë. Nevojitet një dallim i kujdesshëm, domethënë, i analizës së shpirtit. Sipas Injacios së Lojolës (prift dhe teolog spanjoll), ajo që ngop shpirtin nuk është aq të dish e të njohësh, sesa të shijosh nga brenda. Dhe është pikërisht kjo ajo çfarë bëjnë Massimo Granieri dhe Luca Miele në këtë vëllim (Ungjilli sipas rrokut). Duke lexuar portretet që kanë nënshkruar, të krijohet përshtypja se ka një pakt biografik me muzikën, që kuptohet si rezervë sensi, pyetjesh. Duke shfletuar faqet percepton pasionet dhe “fërkimet”, harmoninë dhe mospajtimin e autorëve, të cilët nuk fshihen prapa diskursit kritik. Është diçka krejt tjetër: vetë jeta e tyre gjendet brenda atyre faqeve.

Autorët duket se tregojnë pak për veten e tyre. Por mbi të gjitha ndihet një hermeneutikë** e krishterë, ku Ungjilli i jep formë dhe amplifikon aftësinë për të dëgjuar muzikë. Por ndodh gjithashtu që muzika të shndërrohet në mjedis që lejon një dëgjim depërtues të ungjillit. Jo vetëm kaq: rroku është edhe “biri” i Ungjillit, i Biblës, pasi Granieri dhe Miele na ndihmojnë të kuptojmë. Fjalët, imazhet, kontekstet e teksteve të rrokut kanë rrënjë biblike. Dylan dikur ka thënë: "Bibla përfshin gjithë jetën e Shteteve të Bashkuara, e dinë apo nuk e dinë njerëzit. Është libri që qëndron në themel. Libri themelues i etërve, në çdo rast. Njerëzit nuk mund t'i shpëtojnë. Kudo që të shkosh, nuk mund t'i shpëtosh". Dhe, duke thënë këtë, natyrisht fliste edhe për veten. Ne e zbulojmë Biblën si rrugën që na siguron akses në dëgjimin e thellë të rrokut.

Bibla është konfirmuar si "kodi i madh" i letërsisë perëndimore. Edhe vetë anglishtja e përditshme ka marrë formë në një pjesë të madhe të saj nën ndikimin e përkthimit të Shkrimeve të Shenjta të Mbretit Xhejms. Prej tij vjen muzikaliteti i termave, idiomat dhe metaforat rrok. Shpesh, ndër të tjera, të filtruara nga letërsia e madhe - nga John Steinbeck te Flannery O'Connor - apo edhe nga regjisorët - nga John Ford te Terrence Malick. Rroku u ka dhënë zë shumë jetëve të prishura nga varfëria dhe dhuna, duke i ngritur ato me poezi dhe delikatesë; rroku ka ditur të zgjedhë dashurinë para pushtetit, paqen para luftës, dialogun para monologut; është përpjekur të hetojë shpirtin, duke u ngritur në qiej, por duke qëndruar me këmbët e rrënjosura në atë tokë që ndonjëherë është e thatë dhe e vështirë.

Sa shumë rrugë duhet të kalojë një njeri ...

"Sa rrugë duhet të përshkojë një njeri / para se të quhet burrë? [...] dhe sa vjet duhet të jetojnë disa njerëz / para se të jenë përfundimisht të lirë? [...] Sa herë njeriu duhet të shikojë lart / përpara se të shohë qiellin?"

*Titulli i ResPublica. Përktheu: Gazmira Sokoli

**Hermeneutika është teoria dhe metodologjia e interpretimit, veçanërisht interpretimi i teksteve biblike dhe atyre filozofike.

***Autori është ndër njerëzit më të afërt të Papa Françeskut. Prift jezuit, shkrimtar dhe gazetar, ai ka qenë edhe kryeredaktor i të njohurës "La civilta Cattolica"

Burimi: Avvenire

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.