Ta marrim seriozisht Europën

Postuar në 19 Nëntor, 2018 18:14
Hans Eichel, Jürgen Habermas, Roland Koch, Friedrich Merz, Bert Rürup, Brigitte Zypries*

Pas vdekjes së 55 milionë njerëzve në Luftën e Dytë Botërore, pas shekujsh të luftërave nacionaliste dhe imperialiste që e lanë Europën në gërmadha, njerëzit dhe qeveritë kombëtare në kontinent, kuptuan më në fund se uniteti europian ishte e vetmja rrugë për të ndalur këtë çmenduri.

Imanuel Kant e pati këtë vizion 150 vjet më parë në traktatin e tij filozofik “Mbi paqen e përjetshme”. Kështu, më në fund, liderët europianë vendoës ta kthejnë atë në realitet. Përgjatë dekadave që pasuan, u krijua Tregu i Përbashkët, Komuniteti Europian dhe Bashkimi Europian, pasuar nga një monedhë e përbashkët. Diktaturat ranë dhe demokracia triumfoi në mbarë kontinentin.

Europa pa kufij të brendshëm është bërë realitet: çdo qytetar i BE-së mund të kërkojë punë në çdo vend të unionit. Sipërmarrësit janë të lirë të ndërtojnë biznesin e tyre kudo ku u pëlqen. Ne mund të blejmë dhe të shesim të mira materiale në mbarë bllokun europian pa aplikimin e tarifave. Shërbimet mund të ofrohen kudo. Dhe ka më shumë. Të rinjtë europianë mund të marrin arsimin në çdo universitet të Europës. Dhe , si të gjithë ne, ata mund ta përjetojnë diversitetin kulturor të Europës, vlerat dhe traditat e përbashkëta që qëndrojnë në themel të saj. Dhe le të jemi të qartë: asnjëherë më parë kontineti ynë nuk ka përjetuar një periudhë paqeje 73 vjeçare. Këto janë arritje të mëdha të Bashkimit Europian. Është shumë më tepër sesa një projekt ekonomik” është një projekt kulturor, një kërcim përpara i qytetërimit për të cilin e gjitha bota na ka zili.

Por sërish, e gjitha kjo është në rrezik. Nacionalizmi po rishfaq sërish fytyrën e tij të shëmtuar në Europë. Solidariteti po çedon para egoizmit, sikur ne të kemi harruar mësimet e historisë që mori brezi para nesh. Nga jashtë, Donald Trump, Rusia dhe Kina po e testojnë unitetin e Europës, vullnetin tonë për të qëndruar të bashkuar për vlerat tona, për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës.

Mund të ketë vetëm një përgjigje ndaj të gjitha këtyre: solidaritet. Kjo do të thotë t’i kundërvihesh nacionalizmit dhe egoizimit brenda në shtëpi dhe të dëshmosh unitet dhe lëshim sovraniteti jashtë. Dhe kjo është përgjigja që qytetarët e Europës, secili prej nesh, duhet të japë tani. Të vetëm, si gjermanë, francezë, italianë, polakë, ne jemi shumë të dobët. Vetëm së bashku mund të sigurojmë veten në shekullin e 21-të.

Ne duam që BE-ja të mbrojë mënyrën tonë të jetesës dhe të krijojë prosperitet për të gjithë. Ne duam që Europa të mbështesë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe solidaritetin global në uftën për ruajtjen e buruimeve natyrore. Tani ne duhet tqë hedhim hapa të mëdhenj dhe të guximshëm. Dyuke u ngatërruar nga kriza në krizë siç kemi bërë së fundmi, na rrezikon gjithçka që kemi arritur.

Për të shmangur një gjë të tillë, ne besojmë se Europa duhet të thellojë integrimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë duke u zhvendosur drejt votës së shumicës. Europa duhet po ashtu të punojë drejt qëllimit për një ushtri të përbashkët europiane. Kjo nuk do të thotë se ne kemi nevojë për më shumë para – anëtarët aktualë europianë të NATO-s shpenzojnë për mbrojtjen tri herë më shumë se Rusia. Ajo që kemi nevojë është tejkalojmë politikat e mbrojtjes së shkallës së vogël që gjenerohen nga shtetet kombe. Në këtë mënyrë ne do të projektojmë shumë më tepër fuqi ushtarake pa kosto shtesë. Gjithashtu, përderisa ne nuk jemi më të prirur për të luftuar kundër njëri-tjetrit brenda Europës, nuk kemi nevojë më për ushtritë kombëtare. Dhe qëkurse ushtritë e Europës nuk janë të drejtuara kundrejt dikujt tjetër, krijimi i ushtrisë europiane duhet të kombinohet me kontrollin e amrëve dhe iniciativat për çarmatimin.

Gjermania dhe Franca së bashku duhet të ftojnë vendet themeluese të BE-së, Poloninë dhe shtetet e Balltikut që t’i bashkohen asaj që në fillim. Por kjo nismë duhet të jetë e hapur për të gjithë anëtarët e BE-së që ndjekin të njëjtin qëllim – e që do të mundtë përfshinte shumë dhe nëse është e mundur të gjitha vendet. Kështu ne duhet t’i themi botës se po bashkohemi pa qëndrojmë bashkë dhe nuk po dështojmë, se ne nuk do ta lëmë veten që të dobësohemi dhe të ndahemi. Ne do t’u tregojmë vendeve të tjera dhe ata mund ta konsiderojnë Europën një partner të barabartë për politikat paqësore që synojnë një balancë të ndershme interesash dhe ruajtjen e burimeve natyrore të planetit tonë.

Gjithësesi, Europa mund të jetë e besueshme jashtë vetëm nëse është e bashkuar së brendshmi. Zona e euros, zemra dhe hapësira më e avancuar e projektit bashkues europian, është e brishtë. Të gjithë e dinë këtë. Një çorientim i mëtejshëm e vendos Eurozonën në rrezikun e mbijetesës ndaj krizës tjetër financiare. Dhe kjo duhet ta çonte Europën pas në shumë fusha të tjera po ashtu.

Një monedhë e përbashkët sjell përfitime për të gjithë: promovon shkëmbime përgjatë kufijve të brendshëm në të gjitha fushat. Mbron kundër sulmeve spekullative brenda një zonë të madhe dhe fortë ekonomike. Një monedhë e përbashkët kërkon që gjithësecili t’i mendojë termat e pagave dhe çmimeve jo më në një kontekst kombëtar, por europian.

Gjithësesi, një monedhë e përbashkët do të thotë politikë e përbashkët dhe e njëjtë monetare për të gjithë eurozonën. Kështu politika jonë monetare kërkon stabilizues për të zbutur dhe kompencuar këto rezultate. Dhe kjo kërkon përpjekje nga gjithkush.

Në kohën e markës, Gjermania krijoi stabilizues për të kompensuar efektet e monedhës nacionale në rajonet e ndryshme të vendit dhe klasat sociale: sigurimi i papunësisë, sigurimi i shëndetit, barazia financiare lokale dhe federale dhe një sistem të përbashkët për borxhet e autoriteteve lokale, sa për të përmendur disa. Qëllimi i tyre është harmonizimi i standardeve të jetesës në vend. Në kontrast me këtë, Unioni Monetar dhe Ekonomik Europian ende nuk i ka mjete të tilla dhe disa prej tyre janë të nevojshme për të mbajtur eurozonën.

Ne i kërkojmë qeverisë gjermane të marrë hapa të guximshëm, bashkë me presidentin francez Emanuel Macron të fuqizojnë bashkimin ekonomik dhe monetar. Ata duhet të ndërmarrin politika që çojnë në një përpuqje më të madhe ekonomike në BE dhe të shmangin ndarje të mëtejshme. Ne kemi nevojë për një politikë buxhetore për eurozonën, e cila t’i shërbejë kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë zonës. Ne po ashtu kemi nevojë për një politikë të përbashkët për tregun e punës, mundësisht duke përfshirë sigurimin e papunësisë në BE. Vetëm atëherë Bashkimi Europian do të ishte i besueshëm.

Për këtë ne duhet të jemi gati për kompromise të rënda përfshirë gatishmërinë gjermane për kontribute më të mëdha financiare. Etërit themelues të Europës, përfshirë ish-kancelarin Konrad Adenauer, e dinin se uniteti europian mund të kishte sukses nëse diferencat pasurore mes vendeve nuk do të jenë të mëdha. Ata e dinin se rajonet dhe shtresat e varfra përveç përpjekjeve të tyre do të kishin nevojë për ndihmë shtesë nga shokët më të pasur që të shkurtonin distancën. Ata e dinin se uniteti europian është po ashtu një premtim për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, financuar nga dividenti i paqes. Helmut Kohl gjithashtu, e dinte këtë gjë dhe veproi në përputhje me të. Kjo i ka shërbyer Gjermanisë. Europa do të jetë ajo për të cilën europianët bien dakord, ose nuk do të jetë. Ajo çfarë e bën Europën të fortë fuqizon të gjithë europianët; ajo çfarë e zvogëlon atë dobëson të gjithë europianët.

Ata që duan të fuqizojnë demokracinë europiane duhet të fuqizojnë institucionet europiane, sidomos Parlamentin Europian. Ky ka qenë përherë synimi i Gjermanisë dhe ky duhet të jetë tanimë shumë i qartë sërish.

Një Europë e bashkuar mund të jetë një fuqi globale për paqen. Një Europë e bashkuar do të ishte e aftë të ndikonte SHBA-në dhe Kinën për një qasje më të moderuar në konflitkin e tyre kanosës që ai të mos përfundojë në një katastrofë. Kjo është ajo që Gjermania donte pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është arsyeja pse preambula e Kushtettës gjermane nis me fjalinë:

Të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tyre para Zotit dhe njeriut, të frymëzuar nga vendosmëria për të promovuar paqen në botë si një partner i barabartë në një Europë të bashkuar, populli gjerman në ushtrim të detyrave të veta kushtetuese, ka adoptuar këtë Ligj Themeltar

Le të jemi seriozë rreth kuptimit të kushtetutës. Qeveria aktuale lajmëroi si kreun e programit të vet “një fillim të ri për Europën”. Është koha për ta marrë seriozisht një gjë të tillë.

Përkthimi dhe titulli nga ResPublica

Burimi: https://global.handelsblatt.com/opinion/europe-unity-future-habermas-koc...

*Kjo është një letër e hapur që është publikuar më 25 tetor, firmosur nga disa figura publike të Gjermansië, përmes së cilës kërkohet nga qeveria gjermane që të marrë seriozisht axhendën europiane dhe mbajë në fokus nevojën e unitetit europian.

Hans Eichel – ish-ministër i Financave

Jürgen Habermas – filozof

Roland Koch – ish- kryeministër i landit të Hesse

Friedrich Merz – pjesëtar i CDU-së

Bert Rürup – ekonomist

Brigitte Zypries – ish-ministër i Drejtësisë

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.