Rehabilitim apo lexim personal i historisë?

Postuar në 18 Nëntor, 2018 14:58

10 000 studentë protestuan në Athinë dje në përkujtim të 17 nëntorit, që shënon rënien e juntës ushtarake. Mediat greke përcollën imazhe të përleshjeve mes studentëve dhe policisë përherë në të famshmin Universitet Politeknik që është shndërruar në një llojë zone përtej establishmentit politik grek. 

Protesta i bën nder protestës së dekadave më parë duke dëshmuar jo vetëm memorie dhe respekt, por edhe aftësinë e shoqërisë greke për të mbajtur gjallë dhe riprodhuar historinë jo përmes duelit të simboleve, por përmes përhapjes së literaturës dhe edukimit, pasi 10 000 studentë nuk mund të dalin në protestë vetëm për të nderuar ca simbole, apo buste, por dalin pasi kanë njohje të plotë të ngjarjeve dhe frymëzohen prej tyre. Këtu nuk ka rëndësi drejtësia e protestës, por fakti se ajo ndodh dhe përsëritet përvit. 

Le ta kthejmë pak gishtin nga vetja. Protestat në Shqipëri nuk bëhen kurrë për të përkujtuar diçka, sepse nga lëvizje të ndryshme apo nga ngjarje nuk derivojnë asnjëherë fraksione ideologjike, as ka ndonjë qasje morale për “idealet e papërmbushura” etj.. Ato që do të duhet të ishin data protestash janë momente ahengu, pasi edhe festa ka diçka më serioze. Kështu ndodhte me 29 nëntorin dikur, kur Çlirimi kujtohej si data më e shenjuar, kështu me 1 majin që konsideronte se aspiratat e punëtorëve ishin realizuar. 

Por regjimi i Enver Hoxhës është alibia perfekte për ata që kalërojnë ngjarje dhe ditë historike. Problemi është se rituali i pakupt8mtë vazhdon edhe për data të reja. 8 dhjetori në Shqipëri celebrohet nga pushteti, i majtë dhe i djathtë. Është folur se më 8 dhjetor kishte ca ideale, të cilat lindën nga kërkesat fillestare për batanije dhe ngrohje. Këto ideale mesa duket janë përmbushur dhe ne mund të themi në mënyrë cinike se vërtet, studentët kërkuan vetëm Pluralizëm politik. Dhe këtë jo vetëm e arritëm, por madje kaluam çdo parashikim. Pse vallë të ngrihen sot njerëzia për 8 dhjetorin? 

Këtë datë duhet ta kishte asimiluar rinia e sotme studentore, por me kalimin e viteve, studentët – anëse vërtet ka të tillë në Shqipëri- panë se kësaj date i kishte dalë pronari. 

E njëjta gjë shohim të ndodhë edhe me rehabilitimin e figurave si Mit’hat Frashëri. Në një opinion të publikuar dje historiani Pëllumb Xhufi shkruante se historiani nomad Artan Shkreli dhe Ardian Ndreca kanë propozuar që të ngrihet edhe një bust për Patër Anton Harapin por këtë gjë e ka kundërshtuar Vatikani. 

Vendosja e një busti apo rehabilitimi i një figure është proces dhe jo akt i shkëputur elitash. Proces pasi me rehabilitimin vjen edhe njohja e veprës që do të duhet të legjitimonte ndjesën e shoqërisë por edhe integrimin e figurës në sistemin e vlerave. 

Por kush nga brezi i ri e njeh Mit’hat Frashërin, Anton Harapin? Kush e ka lexuar veprën e tyre, kush është sot në gjendje të kontekstualizojë aktivitetin e tyre politik? Pakkush. Dhe pikërisht pse kemi të bëjmë me akte, gjeste të elitave, segmenteve të tyre, për shkak financimi apo afilacioni, këto figura kanë për të mbetur gjithë kohës të margjinalizuara.

Ato do të jenë pjesë e hapësirës publike, por pa kumtuar ndonjë gjë. Pa e grishur as kuriozitetin, as ndërgjegjen dhe as kujtesën. Sepse vepra e tyre kumbon si muzikë dhome për individë apo grupe që nuk dinë, duan apo nuk i lënë që dimensionet e saj t’i përçojnë duke thyer propagandën dhe klishetë e pushtetit. Është e kundërta e asaj që ndodh në Greqi apo gjetkë: krijimi, konservimi dhe riprodhimi i  vlerave në përgjithësi bëhet në konfrontim me pushtetin dhe jo duke u bërë debitor i tij. Është kjo arsyeja pse protestat ngordhin para se të nisin dhe pse datat historike kufizohen në një brez. Në mos në një grusht njerëzish.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.